Shëngjin: Homazh për Jonadën, vogëlushen që u vra në plazhin e Potamit

Shëngjin, 3 gusht 2022 – Disa dhjetëra qytetarë të zonës së Lezhës, Laçit dhe Rrëshenit kanë marrë pjesë në një marshim homazh në Shëngjin në nderim të vogëlushes Jonada Avdia, e cila gjeti vdekjen në plazhin e Potamit, ku u godit nga gomonia e drejtuar nga komisari i policisë në Elbasan, Arjan Tase.

Pjesëmarrësit e marshit, me lule në duar, marshuan paqësisht drejt bregut të detit, ku ndezën qirinj në shenjë kujtimi e nderimi për vogëlushen e pafajshme.

Dom Gjergj Meta, si ideator i marshit, tha se vogëlushja Jonada Avdia e humbi jetën për shkak të mungesë së përgjegjshësisë së institucioneve shtetërore.

Ai ka bërë një lutje për shpirtin e vogëlushes së ndjerë e pasatj pjesëmarrësit kanë hedhur lule në det në shenjë kujtimi. Lejla, një vajzë 6 vjeçare, e moshës së Jonadës, ka qenë e para që ka hedhur lule në det e pas saj pjesëmarrësit tjerë të marshit.

Më pas, në bregun e detit, ata kanë ndezur qirinj për Jonadën, duke shprehur dhembjen për shuarjen e saj mu në agun e jetës.

(r.m.)