Shënime e reflektime për Papën Benedikt XVI, në ditën e varrimit të tij

Nga Ruben Avxhiu

Nënë Tereza dhe Kardinali Jozef Ratzinger.

Në 29 shtator, 1986, një prift amerikan Leo G Neal ishte duke pritur, në paradhomën e zyrës së një Kardinali gjerman.

Papritur hapet dera dhe nuk shfaqet Kardinali, po një grua e imët me një veshje karakteristike, që tashmë e njihte e gjithë bota: Nënë Tereza.

At Neal u ngrit në këmbë dhe i foli diçka që për të tjerët nuk kishte asnjë kuptim: “Kjoftë lëvdue Jezu Krishti.” Nënë Tereza ndaloi në vend e habitur që dikush i kishte folur në shqip dhe ia kishte kthyer menjëherë, po në gjuhën shqipe, përgjigjen tradicionale: “Gjithmonë e jetës”!

Shenjtorja shqiptare e pyeti nëse vinte nga Shqipëria, po At Neal i shpjegoi se në fakt vinte nga SHBA dhe se nuk ishte shqiptar, por drejtonte Qendrën Shqiptare Katolike të Informacionit. I tregoi se si bashkë me një grup katolikësh shqiptaro-amerikanë kishin udhëtuar për në Vatikan si delegacion me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Qendrës së tyre. I tregoi se si Papa Gjon Pali II kishte pritur shqiptaro-amerikanët dhe se kishte mbajtur së bashku një meshë. Një përvojë e paharrueshme për ta.

“Më takon shumë rrallë të dëgjoj shqip”, i tha Nënë Tereza që kur mësoi se Qendra kishte si synim kthimin e lirive fetare në Shqipëri, e pyeti me interes për zhvillimet në dy vitet e fundit të vendin e shqipeve.

At Leo G Neal që e ka treguar ngjarjen për “Buletinin Katolik Shqiptar”, i kërkoi Nënë Terezës që të lutej për kthimin e lirisë në Shqipëri. Ajo i premtoi që do ta bënte. “Lutuni edhe ju për mua e për të varfrit e mi”, i tha në fund ajo.

Për koinçidencë, emri i Kardinalit, në mjediset e të cilëve ndodhi takimi ishte Joseph Ratzinger, që më vonë u bë Papa Benedikt XVI.

Ngjarja e mësipërme është një rast i rrallë që tregon se përkrah miqësisë dhe bashkëpunimit shumë të njohur të saj me Papa Gjon Palin II, pak dihet për lidhjen e Nënë Terezës me kardinalin që do të bëhej Papa Benedikt XVI. Por, kjo nuk duhet të jetë ndonjë surprizë e madhe gjithësesi për ata që ndjekin zhvillimet në Kishën Katolike. Papa Benedikt XVI ishte në atë kohë kreu i Zyrës së Doktrinës Katolike në Vatikan, pasardhësja e inkuizicionit të dikurshëm. Gëzonte besimin dhe adhurimin e atij krahu të perceptuar brenda kishës që shihte me skepticizëm përqafimin e modernizmit nga Kisha. Nënë Tereza ishte gjithashtu e palëkundshme në pikëpamjet e saj për doktrinën. Vetë e krijuar nga epoka moderne, një lloj sfiduese e status kuosë në punën dhe organizimin e katolikëve në botë, themeluese rebele e një urdhri të ri, që në fund Vatikani e pranoi dhe e promovoi botërisht, por në thelb Nënë Tereza e shihte me dyshim epokën që i kishte dhënë famën dhe pushtetin. Kritika e saj e ashpër ndaj një tjetri prodhimi të epokës moderne, presidentit të “brezit me xhinse blu”, Bill Clinton, gjatë vizitës së saj në mesin e viteve 90 në Washington, ishte një shembull më i qartë.

Për herë të parë pas 717 vjetësh

Papa Benedikt XVI

Papa Bendikt, i cili dha shpirt në 31 dhjetor dhe u përcoll deri sot nga miliona besimtarë në Qytetin e Vatikanit, na bëri të gjithëve dëshmitarë të një ngjarje epokale, kur në 11 shkurt 2013, me dëshirën e tij, dha dorëheqjen nga posti i tij si Ati i Shenjtë i besimtarëve katolikë. Kur je papë, je papë për gjithë jetën. Kjo ishte një ngjarje e paparë. Selestini V në vitin 1294 (para 717 vjetësh kishte dhënë dorëheqjen po kështu).

Atëhere ishte një epokë tjetër. Benedikti vendosi të largohet në epokën e internetit, të rrjeteve sociale, të lajmeve të çdo sekonde, të angazhimit masiv në komunkimin mes nesh. Ai vendosi të largohet gjithashtu në një kohë që nuk ishte më e tija.

Ai u zëvendësua nga Papa Françesku I dhe gjatë dekadës së fundit, u pa se Benedikti nuk vuante nga ndonjë sëmundje apo rrezik i menjëhershëm shëndetësor. Ishte thjesht një dorëheqje e vullnetshme e një pape që mund të kishte vijuar punën në post.

Që nga dorëheqja të dy papët kanë bashkekzistuar, ndonëse njëri në një manastir të bukur e tjetri në një Vatikan. Marrëdhënia mes të dyve (që ka qenë edhe temë e një filmi: “Dy papët”) sigurisht ndryshon nga ajo e më shumë se shtatë shekujve më parë, kur Selestini V në vend që të kalonte pensionin në paqe e kaloi në burg. Bonifaci VIII, papa që erdhi pas tij, vendosi ta burgoste. Thuhej se druhej që Selestinit do t’i ndërrohej mendja dhe mund të kërkonte të rikthehej. Papa i dorëhequr donte thjeshtë të kalonte vitet në vetmi dhe duke u lutur e reflektuar. Në fillim u fsheh në pyll e pastaj u përpoq të hidhej në Ballkan me anije, po nuk arriti dot. E kapën dhe vdiq në izolim.

A ka menduar për këtë paraardhës Benediktit, kur dha dorëheqjen? Filmi nuk merret me Selentinin, por mjafton të shkoni në faqen e Wikipedias për të parë sesi Benedikti XVI ia ka vizituar varrin me rastin e 800 vjetorit, në 2009 dhe e ka shpallur që nga ai moment, fillimin e Vitit të Selentinit. Unë them se Benedikti e ka pasur në mendje këtë punë, shumë më parë sesa ndodhi.

Të them të vërtetën, Selentini do të ishte “harruar” si shumë papë të tjerë. Dorëheqja në këtë rast të vendos në librat e historisë si pak ngjarje të tjetra.

Benedikti “konservator”, Francis “liberal” e “reformator”

Do të flas pak për filmin “Dy Papët” (dalë në 2019) që përmenda më lart për të shpjeguar pak sesi e kam kuptuar unë deri diku zhvillimin e Papës Benedikt XVI me vizionin e tij për botën.

Ashtu si e prisja filmi, megjithë ndonjë përpjekje pa shumë zemër, nuk i shpëtoi dot klishesë së Francisit reformator dhe Benediktit konservator, i Bargoglios modern dhe Ratzingerit klasik. (Për ata që nuk e dinë, Bargoglio është mbiemri i kardinalit argjentinas që u bë Papa Francis I, kurse Ratzinger i kardinalit gjerman që u bë Papa Benedikt XVI.)

Por ndonëse jep informacione dhe sekuenca nga e kaluara e tyre, sidomos në rastin e Papa Françeskos, filmi nuk arrin të kuptojë se si jeta e tyre dhe jo ndonjë paraprirje apo natyrë personale i ka çuar në qendrimet e tyre ndaj kishës dhe fesë.

Filmi ka edhe humor. Për shembull në një moment, Benedikti XVI, thotë se flet rregullisht në latinisht, “se kështu e di që vetëm 20% e kardinalëve mund të nxehen me mua”.

Kurse Papa Françesku i tregon se si bën vetëvrasje një argjentinas: “Ngjitet në majë të egos së vet dhe hidhet”.

Për kurreshtarët kam një shpjegim shumë të thjeshtë për ato që duken si vizione diametralisht të kundërta politike të tyre.

Si prift në vite të rëndësishme formimi intelektual e shpiërtëror, Kardinali Bargoglio (Françesku i sotëm) përjetoi nga afër shumë personalisht diktaturën ushtarake ultra të djathtë të oficerëve në Argjentinë. Ajo, e gërshetuar me studimin e pasojave të kolonizimit kanë gdhendur një këndvështrim të botës, të cilën media dhe vëzhguesit laikë e perceptojnë si të majtë, liberale, antitradicionale etj.

Më pak vëmendje autorët e filmit dhe shumë komentues të medias kryesore në SHBA e më tej i kushtojnë trajektores gati ngjashme të zhvillimit intelektual dhe shpirtëror të Ratzingerit. Si prift e kardinal gjerman ai jetoi përgjatë një triumfi të demokracisë dhe liberalizimit. Si prift i ri ai ka luajtur rol në Këshillin e Dytë të Vatikanit, një ngjarje e madhe historike në reformimin e Kishës, një rol që sot, përpiqen t’ia harrojnë si kritikët e tij liberalë ashtu edhe adhuruesit e tij konservatorë.

Por nëse Bargoglio u “gdhend” nga përvoja e jetës nën një diktaturë të djathtë, Ratzinger u formua nga përvoja e liberalizimit të jetës shoqërore në Europë e SHBA, përmes të ashtuquajturit “revolucion seksual” dhe lëvizjeve kulturore e shoqërore të fundit të viteve 1960, ngadhënjimit të të drejtës së gruas, shpërthimit të divorcit, rënies së lindjeve, zbrazjes së kishave. Ai pa se përpjekja e Kishës për t’iu përshtatur kohës moderne solli në pakësimin e besimtarëve, rënien e autoritetit të priftit e të Kishës etj.

Diktaturat që ekzistonin në ato vite në Europë ishin në fakt komuniste. Ndryshe nga diktaturat e djathta, këto të ideologjisë së majtë u angazhuan në persekutimin e njerëzve të fesë, sidomos ata të fesë katolike.

Ne shqiptarët jemi dëshmitarë të disa mizorive të papara ndaj klerit katolik në Shqipërinë komuniste, por raste të ngjashme që ndoqën të njëjtin model u panë në mbarë Europën Lindore. Jo më kot, papa më antikomunist në historinë e Kishës është pikërisht edhe i vetmi papë që dol inga kjo hapësirë gjeografike e politike, Papa Gjon Pali II.

Është e pamundur të ndal formimin e Kardinalit Ratzinger edhe nga kjo përvojë vetëm disa kilometra larg shtëpisë së tij. Në fund të fundit, gjysma e Gjermanisë kishte mbetur nën një regjim komunist, ndonëse disi më të butë se versione të tjera në Europë e në Azi.

E lidha këtë shpjegim me filmin “Dy Papët” se më bëri përshtypje që autorët e kishin hulumtuar disi të kaluarën e Françeskut për ta shpjeguar disi rrugëtimin e tij, por nuk ishin lodhur të kuptonin se pse Benedikti ndodhej në qendrimet e tij. Është e njëjta përtaci apo trajtim sipërfaqësor që u bëhet këtyre figurave publike edhe nga media.

Nuk po u hy këtu pikëpamjeve teologjike për të cilat nuk jam ekspert dhe as debateve për reformimin e Kishës, meshës latine etj që mund të jenë më shumë me interes për besimtarët e devotshëm të Kishës sesa për publikun e gjerë.

As nuk po prek debatet për rastet e abuzimeve dhe skandaleve të një numër priftërinjsh, që sipas disa burimeve luajtën rol në largimin përpara kohe të Benediktit XVI.

Nuk ka diskutim që epoka moderne e shekullit të fundit ka qenë sfiduese për çdo institucion. Ne i numërojmë vitet si para dhe pas Jezu Krishtit, por kjo e jonë është një botë e ndarë shumë më fort nga përpara dhe pas Steve Jobs-it.  Është një botë në të cilën edhe “moderni” Françesku mund të ngjajë “tradicional”, “i vjetëruar”.

Qendrimi i Bendiktit XVI duket më shumë të ketë qenë se vrapi pas modernes është i kotë. Nuk e arrin dot kurrë. Por nëse morali, ndryshe nga teknologjia, ecën në mënyrë rrethore dhe e jo në vijë të drejtë, Kisha është më mirë të qendrojë aty ku ka qenë gjithmonë e të presë njerëzimin të bëjë rrotullimin e plotë.

Pamja nga varrimi në Vatikan.