Shënohet 110 vjetori i kryengritjes antiosmane në Malësinë e Madhe

Tiranë, 6 prill 2021 – Banorë të Malësisë së Madhe, në dy anët e kufirit, përkujtuan të martën në Hot 110 vjetorin e Kryengritjes antiosmane të Malësisë, një ngjarje e rëndësishme për historinë kombëtare të shqiptarëve, e cila i parapriu shpalljes së Pavarësisë.

E udhëhequr nga prijësi popullor Dedë Gjo Luli dhe mbështetur nga intelektualët më në zë të kohës, Kryengritja e Malësisë së Madhe u kurorëzua me ngritjen e flamurit kombëtar në Deçiq.

Në memorialin kushtuar kësaj kryengritje dhe luftëtarit popullor Dedë Gjo Lulit, ngritur në Hot të Malësisë, u vendosën kurora me lule, ndërsa studiuesi Gjokë Luli vlerësoi rëndësinë e kësaj ngjarje për malësinë dhe mbarë kombin shqiptar.

“Një grup nismëtar me në krye Dedë Gjo Lulin krijuan mundësinë për të lidhë të gjitha malet e Malësisë së Madhe duke i organizu, këtu tek Krebenica e Hotit, për të kundërshtu dhe për tu ngrit në kryngritje kundër kësaj perandorie. Të gjitha malet ranë dakort”.

Për historianin Ndue Bacaj, malësorët e Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Trieshit, Kojës, Shkrelitdhe viseve tjera, nën udhëheqjen Dedë Gjo Lulit, pas 23 betejash të përgjakshme kundër ushtrisë osmane, arritën të ngrinin për herë të parë flamurin kombëtar, pas afër 500 vitesh robëri, sinjal ky i vendosmërisë per tu shkëputur nga perandoria osmane.

“Ishte një guxim i jashtëzakonshëm i një treve kaq të vogël kundër një perandorie aq të madhe. Pas luftimesh të ashpra në çdo postë, në çdo cep të Malësisë së Madhe, u arrit që të ngrihet flamuri me 6 prill 1911 në Bratilë të Deçiqit”.

Në përkujtimin e 110 vjetorit të Kryengritjes antiosmane të Malësisë së Madhe morrën pjesë edhe përfaqësues të shoqatës së dëshmorëve si dhe pasardhës të familjes së Dedë Gjo Lulit.

Për kryetarin e bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, është e rëndësishme që, qëndresa dhe lufta e malësorëve për çlirim kombëtar, të vlerësohet dhe kujtohet edhe nga brezat e rinj.

“Kjo është një datë shumë e rëndësishme jo vetëm për Malësinë e Madhe, por për krejt kombin shqiptar, pasi i priu ngritjes së flamurit një vit më vonë. Malësorët, por edhe Shkodra dhe krejt Veriu, iu bashkuan Dedë Gjo Lulit dhe, 110 vite më parë, ngritën flamurin në Deçiq. Kjo është një datë e rëndësishme për krejt Malësinë e Madhe, por edhe krejt shqiptarët”.

Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 është dëshmi e qëndresës dhe vendosmërisë së malësorëve për pavarësi, mbrotjen e trojeve dhe idenditetit kombëtar. Për kontriburin në historinë kombëtare Malësia e Madhe është nderuar me urdhërin “Nderi i Kombit”.

(Pëllumb Sulo, Zëri i Amerikës)