Sherife Luta, simboli i eksodit të vitit 1999: “Ato vuajtje nuk bën t’i harrojmë…”

Prishtinë, 10 prill 2024 – Sherife Luta, gruaja që ishte bërë simbol i eksodit të shqiotarëve të Kosovës në vitin 1999, ishte të hënën, më 10 prill, në fshatin shumë pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, në Bllacë, në shënimin e 24-vjetorit të dëbimit masiv të shqiptarëve nga Kosova.

Ajo bëri forografi para mozaikut të footografisë së me foshnjën në gji, e cila zë vend qendror në pllakën e mermertë të Memorialit “Eksodi Bllaca ‘99”, të ngritur në kujtim të dëbimit me dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre.

Sot, 24 vjet pas shkrepjes së asaj fotografie, Sherife Luta rrëfen për vuajtjet fizike e shpirtërore që kishte përjetuar ajo gjatë rrugëtimit në kolonën e gjatë të njerëzve të pafuqishëm që ishin dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe ishin nisur në rrugën e panjohur të refugjatëve të pastrehë…

“Kam ardhur këtu në 24-vjetorin e atyre ngjarjeve të rënda që ka përjetuar populli shqiptar. Kam ardhur ta vizitoj këtë vend, ku kemi përjetuar vuajtje e dhimbje të mëdha, unë dhe i tërë populli i Kosovës. Ato vuajtje nuk bën t’i harrojmë, sepse nëse i harrojmë nuk do të shohim përpara me kthjellësi”, ka thënë ajo për Ekonomia Online.

“Shumë shpesh e me shumë dhimbje i kujtoi ato vuajtje e mundime. Kam me vdekë e s’kam me harrue sa kemi vuajtur dhe çfarë kemi hequr, unë sikurse i gjithë populli shqiptar… Ka qenë një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Kemi udhëtuar shumë gjatë, me fëmijë ngrykë, pa ditur se ku po shkonim, derisa kemi arritur këtu”, ka kujtuar ajo.

Zonja Luta ka treguar se ajo nuk kishte ditur asgjë për bashkëshortin e saj, deri pas tre muajsh.

“Për burrin s’kam ditur kurrgjë tre muaj dhe pas tre muajsh kam marrë vesh se ishte i plagosur”, ka thënë ajo.

Bashkëshorti i Sherifes, Mirrot Luta, atëherë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tregon se ai nuk kishte ditur katër-pesë muaj nëse kishte shpëtuar ose jo familja e tij.

“S’kemi pasur informata katër-pesë muaj, sepse nuk kemi pasur komunikim. Njerëzit tregonin se shumica e të dëbuarve ishin strehuar në Maqedoni. Unë shpresoja se edhe familja ime ishte strehuar diku, në Shkup, në Tetovë apo diku tjetër”, ka thënë Luta.

Forografia e Sherife Lutës me foshnjën e saj në gji, në kolonën e gjatë të grave, pleqve e fëmijëve të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre, ishte shkrepur në mars të vitit 1999, nga fotografi boshnjak Damir Shagol, atëherë reporter i agjencisë së lajmeve Reuters. Ajo fotografi ishte publikuar në faqet e para të gazetave dhe revistave më prestigjioze të botës që raportonin për barbaritë e forcave ushtarake e policore të Serbisë ndaj popullsisë civile në Kosovë.

Fotot dhe pamjet filmike të publikuara nga mediet dhe qendrat më të mëdha televizive në botë ishin dëshmi të fuqishme të arsyeshmërisë së ndërhyrjes së NATO-s për mbrojtjen e popullsisë civile nga makineria vrastare e kriminelit të luftës, udhëheqësit serb Sllobodan Millosheviq.

This image has an empty alt attribute; its file name is Sherife-Luta-para-mozaikut-te-saj-Bllace.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Sherife-Luta_gruaja-simbol-i-eksoidit-te-kosovareve-640x400.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Sherife-Luta-1-484x400.jpg

(r.m.)