Sherri mes Tiranës dhe Prishtinës që argëton Beogradin

Nga Ruben Avxhiu

Një nga kënaqësitë që kemi në demokracinë amerikane është lehtësia për të akuzuar udhëheqësit politikë në veçanti dhe figurat publike në përgjithësi.
Ligji kundër shpifjes dhe dëmtimi i karrierës profesionale është i plotfuqishëm në SHBA, po ai mbaron te caku mes njerëzve publikë dhe atyre privatë.
Në vende si Shqipëria është e kundërta. Njerëzit që nuk janë publikë mund t’i akuzosh për gjithshka. Mund t’jua marrësh gytyrën, t’ua prishësh jetën, t’ua grabisësh pronën. Në rastin ideal do të zvarriten në gjyqe, në ndërmjetësime, etj. Janë figurat publike ato që edhe duan të ngjiten në majë edhe mërziten nëse dikush i sheh shtrembër.
M’u kujtua kjo temë kur pashë që Edi Rama kishte hedhur në gjyq Ramush Haradinajn për shpifje. Një incident i turpshëm që më shumë se çdo gjë do të shërbejë për që ta padisë atë vetë, në mos që të dy kryeministrat, në sytë e historisë.
Zhgënjimi nga përplasja mes këtyre dy figurave politike është i madh. Po Rama është humbësi më i madh në debatet për mini-Schengenin dhe Kosovën dhe nëse këshilltarët e tij të afërt nuk do të kishin frikë prej tij, do t’ia kishin thënë se akti i padisë dëmton imazhin e Ramës, shumë më tepër se Haradinajt.
Janë bërë shumë shkrime kundër nismës së Schengen-it ballkanik. Nuk do të merrem me të. Në parim është pozitive të happen kufijtë në Ballkan. Në praktikë, nisma e një dekade të kaluar, që kishte brenda Kosovën, por jashtë Serbinë, ishte ideale për shqiptarët. Ajo do ta detyronte Serbinë të trokiste në derën tonë, në vend që të vinte në pozitë Kosovën, duke cënuar dinjitetin e republikës së re.
Rama e kishte kultivuar me kënaqësi suksesin dhe popullaritetin e tij në Kosovë. Ndonëse me vonesë, kishte konkurruar me lehtësi për simpatinë e opinionit publik Kosovar, pa bagazhet që e rëndonin në Shqipëri, për shumë arsye që vijnë nga e kaluara e komunizmit, ndarja totale mes krahëve politikë, etj. “Papritmas” e gjithë ajo festë popullariteti është shuar dhe kryeministri i Shqipërisë duket se ka gjetur te Haradinaj fajtorin për këtë.
Haradinaj ka qenë vërtet shumë i ashpër ndaj Ramës dhe nganjëherë edhe ka shkuar në skaj me deklarata. Ka plot shprehje të pamatura në këtë periudhë për shumë figura nga Haradinaj, që ka qenë nën presion të madh edhe nga aleatët tanë më të ngushtë për shkak të tarifës ndaj mallrave serbe e boshnjake.
Rama duke besuar se ka bërë një shërbim njëkohësisht vetes, aleatëve, e mbase edhe vetë Kosovës, e ka trajtuar pa doreza në privat e në publik. Haradinaj nuk ia ka falur. Në botën shqiptare, marrëdhëniet mundër rrokullisen sumë shpejt. Të dy kryeministrat kanë treguar për njëri-tjetrin më shumë mllef e inat sesa për homologen e tyre serbe, në Beograd.
Kjo është një pikë e ulët për politikën mbarëshqiptare. Konfliktet janë normale or nuk duhet të degjenerojnë në këtë nivel. As nuk është ky ndonjë aksident i rrallë. Pak kohë më parë, Sali Berisha dhe Hashim Thaçi nuk lanë gjë pa i thënë njëri-tjetrit në publik, duke përsëritur edhe akuza të njohura serbe. Askush nuk del fitues nga këto lloj përplasjesh që përqendrohen vetëm në karakterin dhe të kaluarën personale të debatuesve, pa asnjë synim konkret politik e strategjik.
Ashtu si në rastin Berisha-Thaçi edhe për përplasjen Rama-Haradinaj, media serbe po i transmeton me kënaqësi detajet e akuzave reciproke. Atë vetëm bindin nacionalistët serbë se kanë të drejtë e u japin guxim t’ua përsërisin diplomatëve në botë si dëshmi që shqiptarët po e thonë me gojën e tyre.
Rama nuk e ka humbur popullaritetin në Kosovë për shkak të akuzave nga Haradinaj. Nëse këron fajtor duhet të shihet në pasqyrë. Edhe sikur nisma e Schengen-it ballkanik të ishte një ide e mirë dhe e mbështetur nga SHBA e BE, ajo ka pasur nevojë për më shumë shpjegim. Më shumë konsultim me Kosovën. Më shumë harmonizim qendrimesh dhe studim hapash. Është e qartë se Vuçiq kishte një interes intensiv në këtë nismë. Kjo vetëm sa duhej ta kishte lehtësuar manovrimin e bushtit Tiranë-Prishtinë. Me votat shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë, një forcë vendimtare për çdo nismë të kësaj madhësie, Maqedonia gjithashtu mund të ishte angazhuar për të kushtëzuar Serbinë, për t’i dhënë përparësi Kosovës.
Edhe sikur kjo të ishte e pamundur për shkak të vendosmërisë së qeverisë Haradinaj për tarifën, Rama duhej të kishte formuluar dhe praktikuar një shpjegim publik për Kosovën. Një argument të qartë ku shpjegohej qendrimi i tij, dëshmohej njohja dhe respektimi i ndjeshmërive të Kosovës për këtë hapje me vendin verior që po përpiqet t’ia zhdukë ekzistencën.
Mirëpo, Rama, e nënvleftësoi problemin që vinte me këtë nismë rajonale. Në konferencën për shtyp pas samitit të radhës në Shqipëri, ishte i papërgatitur, nervoz, arrogant, shpërfillës. Me përbuzjen e turpshme për gazetarët, me humbjen e instiktit të mjeshtërisë së komunikimit për shkak të mësimit me median e kontrolluar, ai ofendoi Kosovën dhe historinë e saj. Ai gaboi politikisht.
Nuk ka rëndësi se çfarë ka në mendje e në zemër. Mund të jetë patrioti më i madh apo tradhëtari më i madh; kjo është për taborrët e servilëve dhe urrejtësve për ta debatuar. Një politikan duhet të dijë të hedhë vallen e komunikimit publik. Të shpjegojë pse ilaçi i hidhur të bën mirë. Pse e zeza është në fakt e bardhë. Një marrëveshje pa kufij mund të ketë përparësi ekonomike për Kosovën. Jo çdo gjë mes shqiptarëve ka të bëjë me temat e luftës. Më shumë se 20 vjet më vonë, ka fëmijë që duhen ushqyer, njerëz që duan të shërohen e mbeten gjallë, të moshuar që kanë nevojë për jetë të qetë, të rinj që duan një të ardhme më të mirë.
Rama kishte alternativa të shumta për ta shpjeguar veten dhe nuk diti. Tani është nisur të gjejë fajtorë për t’i ndëshkuar. Një këshilltar i mirë duhej t’i kishte thënë ta linte përplasjen të harrohej. Po politikanët shqiptarë gjëja e fundit nga e cila heqin dorë është mania vetëshkatërruese për të mos dalë nga vrimat ku rrëzohen herë pas here. E mbaj mend kur u duk për një moment se Rama do të bëhej i paprekshëm e i pamposhtshëm. Kundërshtarët ishin bërë lëmsh. Gjërat po i shkonin vaj. Shumëkush nuk ia kishte më ngenë politikës. Ishte mbase atëhere që vendosi t’i hyjë e t’i bëjë vetes çfarë nuk po ia bënin të tjetër. Është mbase një histori shumë shqiptare.