Shifra shqetësuese të viktimave dhe të sëmurëve nga COVID-19 në Kosovë

Prishtinë, 23 gusht 2021 – Në Kosovë janë regjistruar shifra shqetësuese të viktimave dhe të të infektuarve nga virusi COVID-19,

Gjatë 24 orëve ekanë humbur jetën 17 persona që ishin të infektuar nga ky virus.

Kjo është edhe shifra më e lartë e viktimave të COVID-19 gjatë këtij muaji. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë këtij muaji e kanë humbur 77 persona të infektuar nga ky virus.

Ministria njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 1 mijë e 67 raste të reja të infektimit nga koronavirusi.

Zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Isme Humolli, në një bisedë për Zërin e Amerikës, tha se numri i lartë i viktimave dhe i atyre që po infektohen është brengosëse.

“Aktualisht Kosova ka diku rreth 18 mijë raste aktive ndoshta edhe mbi 18 mijë raste aktive, në qoftë se këtë e shumëzojmë me katër që janë mesatarisht numri i kontakteve atëherë brenda dy javëve fatkeqësisht numri i rasteve të reja pritet të jetë mbi 40 mijë më tepër. Shpresojmë që nuk do të jetë kështu por këto janë projeksionet në bazë të shifrave aktuale të cilat janë. Sot, veç po vërehet që edhe sistemi shëndetësor ka filluar të sfidohet për shkak të rritjes së numrit të rasteve të cilat janë të hospitalizuar në spitalet e përgjithshme dhe Qendrën Klinike Universitare dhe me të vërtetë është një situatë brengosëse”, tha ajo.

Autoritetet e shërbimit spitalor në Kosovë thanë se 723 pacientë me COVID-19 janë të shtrirë në spitalet e Kosovës, në mesin e të cilëve 688 me oksigjeno-terapi ndërsa 35 pacientë janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Infektimet janë shtrirë gjithandej Kosovës dhe shifrat e ditëve të fundit e bëjnë gushtin një nga muajt më të rëndë që nga shpërthimi i pandemisë në mesin e muajit mars të vitit të kaluar.

Autoritetet ndërkaq thonë se janë vënë në përpjekje për të vaksinuar sa më shumë qytetarë. Isme Humolli nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se me ritmet aktuale të vaksinimit, pritet që situata me COVID-19 të stabilizohet brenda një muaji.

“Fatbardhësisht javëve të fundit kemi kërkesë për vaksinim ku shifrat ditore të vaksinimit janë mbi 20 mijë që është jashtëzakonisht pozitive, ajo që është për t’u vlerësuar është se OBSH-ja parasheh që deri në shtator të përfshihen 10 për qind e popullatës me dy doza, që veç Kosova është në rrugë të mirë që me dy doza të përfshihen 10 për qind e popullatës (në muaj) që mandej të shkohet deri 40 për qind deri në fund të dhjetorit. Ajo se çka është pak shqetësuese në rastin e vaksinimit është grumbullimi shumë i madh i personave të cilët po grumbullohen në qendra të vaksinimit pa e respektuar distancën fizike. Vaksinimi është i suksesshëm vetëm atëherë kur merret para se personat të infektohen por sido që të jetë një shkallë e tillë e vaksinimit do të ketë impakt pozitiv në uljen e kurbës epidemike dhe mbajtjes së situatës epidemiologjike nën kontroll”, tha ajo.

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Zërin e Amerikës tha se deri më tash 38.3 për qind e grupmoshave nga 18 vjeç e lart janë vaksinuar, prej të cilëve 18.7 me dy doza.

Autoritetet thonë se synimi i tyre është që deri në fund të vitit të vaksinohen 60 për qind e 1 milionë e 260 mijë qytetarëve të moshës mbi 18 vjeç.

(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)