Shkarkohet Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati

Prishtinë, 19 janar 2022 – Bordi Drejtues i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka marrë vendim për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm, Ngadhnjim Kastrati.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kastrati, përmes një postimi në Facebook.

“Të dashur kolegë të RTK-së, miq e bashkëpunëtorë, sapo u njoftova se anëtarët e Bordit të RTK-së, të emëruar javë më parë nga politika, kanë marrë vendim për shkarkimin tim nga pozita e drejtorit të Përgjithshëm në Radio Televizionin e Kosovës”, ka shkruar ai.

Kastrati ka thënë se njoftimin për shkarkim e ka marrë në shtëpi, pasi ai është i infektuar me COVID-19 dhe ankohet se ai nuk ka qenë fsare në dijeni për nismën e procedurës për shkarkim.

“Njoftimin për shkarkim e mora në shtëpi, ku jam prej disa ditësh në izolim si rezultat i infektimit me Covid. Perveç tjerash, une as nuk jam njoftuar per ndonjë procedurë të shkarkimit dhe as nuk ka pasur në rend të ditës pikë për shkarkimin tim”, ka shkruar Kastrati.

Ai është lavdëruar për punën e transmetuesit publik të Kosovës gjatë kohës që e ka udhëhequr.

Ngadhnjim Kastrati ishte emëruar në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës në prill të vitit 2019.

(r.m.)