Shkatërrimi ekonomik më i tmerrshëm që prej Depresionit të Madh

Humbasin 20 milionë vende pune vetëm gjatë muajit Prill – rihapja e ekonomisë është një domosdoshmëri, por mënyra dhe koha e hapjes mbetet e debatueshme.

Ruben Avxhiu

Raporti i botuar ditën e premte në SHBA pritej me frikë nga analistët ekonomikë për arsyen e ditur. Që ekonomia ishte goditur fuqimisht nga kriza e COVID-19 dihej, por numrat konkretë do të tregonin se sa saktësisht ishte goditja në tregun e punës.

Tani e dimë që ekonomia amerikane ka humbur vetëm gjatë muajit Prill 20,5 milionë vende pune. Papunësia është 14.7%, duke shënuar shkatërrimin më të madh ekonomik që prej Depresionit të Madh që ndodhi rreth 90 vjet më parë.

Lajmi ishte dje, në krye të faqeve të para të të gjitha gazetave kryesore amerikane si mund ta shihni këtu.

Paralizimi i ekonomisë ka ndezur prej kohësh debate të nxehta, mes atyre që thonë se duke dëmtuar ekonominë kurimi do të dalë më i tmerrshëm se sëmundja dhe atyre që thonë se shpëtimi i jetëve të njerëzve nuk matet me para.

Mes idiotëve në një krah që besojnë se koronavirusi është një mashtrim i shpikur për të pasuruar një filantropist si Bill Gates dhe alarmantëve të panikut që mendojnë se mund të rrimë të gjithë në shtëpi pa problem, disa zgjidhje më të arsyeshme do të triumfojnë. Ideale do të ishte një hapje e ngadaltë me rihyrjen në tregun e punës të atyre që tashmë dihet se i kanë mbijetuar sëmundjes. Me një kujdesje të veçantë, për të moshuarit dhe ata që kanë probleme mjekësore që rrezikojnë humbjen e jetës nga COVID-19.

Në demokraci për fat të mirë jeta vlen më shumë, por vendimet nuk merren lehtë. Është akoma më keq kur je në një vit zgjedhjesh presidenciale si në SHBA, ku gati çdo gjë do të shihet me syzet e partisë. Nga një anë Trump do të minimizojë rrezikun madje edhe shifrat e vdekjeve për të rihapur sa më shpejt ekonominë. Nga ana tjetër, Demokratët do të vijojnë të ushqejnë panikun dhe vënë në dyshim vrapin e administratës për të vënë fatin e bizneseve mbi ato të individëve.

Ata që duan hapje sa më të shpejtë kanë të drejtë kur kërkojnë trajtim ndryshe për rajone të ndryshme. Ata kanë gjithashtu të drejtë kur thonë se rrënimi ekonomik do të marrë jetë në forma të tjera nëse vijon të imponohet me tepri. Ata që duan të vonojnë rihapjen e ekonomisë kanë të drejtë kur thonë se çmimi në jetë njerëzish mund të jetë tragjik, nëse nuk tregohet kujdes. Në të kundërt, një hapje para kohe e shoqëruar nga një valë e dytë paniku mund të jetë edhe më keq për shoqërinë.

Nuk ka dyshim që vera do të sjellë një hapje të ekonomisë dhe mbase një ngadalësim të përkohshëm të virusit. Pandemia nga ana tjetër, në mungesë të një vaksine, apo të një “imuniteti të tufës” mund të vijojë edhe për dy vjet.

Ky shpartallim ekonomik nga ana tjetër vështirë se korrigjohet vetëm duke rindezur motorët e ekonomisë.