Shkatërrohet grupi kriminal që kontrabandoi qindra shqiptarë në SHBA dhe Britani

Eisenhowerlaan (Holandë), 12 korrik 2021 – Agjencia Evropiane e Policisë, EUROPOL, ka njoftuar të hënën për 18 arrestime të kryera ditë më parë nga Policia Kombëtare e Spanjës, si dhe për shkatërrim të një grupi të krimit të organizuar, i cili ka qenë i përfshirë në kontrabandim me migrantë dhe mashtrim me dokumente.

Pjesëtarë të këtij rrjeti është thënë të kenë ndërmjetësuar hyrjen e paligjshme të më shumë se 400 personave me shtetësi të Shqipërisë, në Mbretëri të Bashkuar dhe Shtete të Bashkuara.

Hetimi për këtë grup është thënë të jetë udhëhequr nga Policia Kombëtare e Spanjës, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shqipërisë dhe zyrtarë për zbatim të ligjit dhe imigrim në Austri, Francë, Itali, Slloveni, Kosovë, Portugali, Mbretëri të Bashkuar dhe Shtete të Bashkuara.

Në ditën e aksionit, më 29 qershor të këtij viti, në Spanjë, përveç 18 arrestimeve, janë bastisur edhe dy shtëpi dhe janë konfiskuar një varg dokumentesh, pajisjesh elektronike, para të gatshme dhe disa lloje të drogës.

Më tutje në njoftimin e EUROPOL-it është thënë se nga viti 2019, hetimet kanë nxjerrë në pah rritjen e numrit të dokumenteve të falsifikuara nga imigrantët e Ballkanit Perëndimor.

“Fazat e kaluara të hetimeve kanë çuar në shkatërrim të një grupi kriminelësh të identifikuar në një ishull të Karaibeve, i cili ka kontrabanuar imigrantë nga Shqipëria në SHBA, me dokumente të rreme”.

Aty po ashtu është përmendur se në dhjetor të vitit 2020 janë arrestuar edhe disa persona, të cilët në Kosovë dhe Shqipëri kanë bartur dokumente false.

“Katër dyqane printimi për dokumente false në Kosovë, janë shkatërruar në mars të vitit 2021. Deri më tani, hetimet kanë rezultuar me 46 arrestime, më shumë se 400 migrantë të identifikuar në aeroporte dhe 1,000 dokumente të rreme të konfiskuara”.

(REL)