Shkollat Shqipe “Alba Life” filluan suksesshëm semestrin e dytë për vitin akademik 2022-2023

Nga Keze Kozeta Zylo

Semestri i dytë për vitin akademik 2022-2023 filloi me plot sukses për shkollat Shqipe “Alba Life” që operon në gjithë Nju Jorkun dhe në Online.

Të gjitha mësueset nëpër shkollat ku japin mësim i mirëpritën me plot dashuri dhe respekt nxënësit dhe prindërit të cilët sollën fëmijët e tyre nëpër mjediset ku zhvillohet mësimi i Gjuhës Shqipe.  Pas një pushimi të shkurtër dimëror dhe pas konfirmimit te marrjes së permiteve nga Bordi i Edukimit, ata erdhën plot freski dhe gjallëri për t’u ulur në bangat e shkollës dhe për të marrë mësimet përkatëse për Gjuhën Shqipe. 

Ndonëse disa prej tyre sic na njoftuan mësueset në Bronx si mësueset Mehrije, Kade dhe Merita mungonin për shkak të virozave, gripërave të stinës, përsëri mësimi filloi normal dhe plot profesionalizëm.  E njejta gjë ishte dhe nëpër shkollat e tjera si në Queens ku jep mësim mësuese Vjollca, ne Brooklyn nga mësueset Elida, Jonida dhe drejtuesja e programit artistik Gela, në Staten Island mësuese Entela, Anxhela, Elona si dhe në Online mësuese Gresila. 

Është shumë krenari kur ky program vazhdon të eci mbaë dhe të rritet vazhdimisht cka është dhe qëllimi i këtij Misioni Kombëtar nga Shkollat Shqipe “Alba Life”.

Mësueset plot përvojë sjellin në klasë përmirësimin e praktikës së mësimdhënies dhe shfrytëzojnë me profesionalizëm traditën me mjetet bashkëkohore. Psh po ndalem vetëm në një klasë ë mësuese Kades, me nxënësit më të rritur në Bronx, e cila nëpërmjet dërrasës me shkrimin e saj dhe kompjuterit kombinon bukur dhënien e mësimit për t’ju mësuar nxënësve atë që është më e domosdoshme.  Kështu veprojnë dhe të gjitha mësueset e tjera me planet e tyre që kanë përgatitur për t’i tërhequr sa më shumë nxënësit për mësimin e Gjuhës Shqipe. 

Mësueset dhe prindërit e kanë të qartë se nuk është e lehtë t’ju mësosh Gjuhën Shqipe pasi këta fëmijë kanë lindur dhe po rriten në Amerikë, jashtë Atdheut të të parëve të tyre, si rrjedhim gjuha e parë e tyre është Anglishtja, pasi në shkollë ku ata venë kanë vetëm këtë gjuhë të parë zyrtare. 

Të gjitha mësueset që përmenda më lart janë të licensuara nga shteti amë dhe disa prej tyre dhe në New York dhe kjo e bën orën e mësimit më interesante pasi sjellin gjithë përvojen e tyre duke e ndërtuar mbi bazën e njohurive te nxënësve dhe këtu nëpër klasat e tyre.  Nxënësit e mbyllën me një aktivitet madhështor semestrin e parë, aktivitet që u zhvillua në Staten Island në fidanishten e parë të Alba Life.  Së shpejti po përgatiten për 15 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, të cilën e kemi festuar dhe përkujtuar për cdo vit duke respektuar të rënët për Liri dhe Pavarësi, filluar me Heroin legjendar Adem Jasharin.  Pastaj do të vazhdojmë me festimin e 15 Vjetorit të themelimit të TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life”, më 11 Mars, 2023, cka do të jetë një festim i bukur për nxënësit, mësuesit, prindërit dhe mbarë komunitetin shqiptaro amerikan. 

Nxënësit do të kenë programin e tyre special në këtë festë jubile dhe natyrshëm mësuesit kanë planet e tyre rreth realizimit të këtij programi.

Dalja në skenë e fëmijëve është shumë frytdhënëse, pasi në bazë të studimeve psiko-pedagogjike nxënësit i bën të ndihen më konfident, më të shprehur para publikut dhe mësohen me disiplinën artistike. 

Sidoqofte ata vinë gjithë dëshirë pranë këtyre shkollave ngase në zemër kanë amanetin e Rilindasve si:

Kur lexoj vjershat e tyre,

Zoti sikur flet me gojë,

Marr bekimin prej natyre,

Që vendin mos ta harrojmë.

17 Janar, 2023

New York