Shkon në 14 numri i viktimave të zjarrit në spitalin modular në Tetovë

Shkup, 9 shtator 2021 – Ka shkuar në 14 numri i viktimave të zjarrit që e përfshiu spitalin modular për trajtimin e të sëmurëve nga COVID-19 në Tetovë, të mërkurën rreth orës 21:00.

Prokuroria Publike në Maqedoninë e Veriut njoftoi të enjten se 14 veta e kanë humbur jetën nga pasojat e zjarrit. 

Në një komunikatë të kësaj prokurorie thuhet se prokurorët “kanë lëshuar urdhra autopsie dhe kanë identifikuar trupat e 14 personave të vdekur nga zjarri, ndërsa po hetohet nëse ka viktima të tjera”.

Disa prej trupave duhet t’u bëhen analizat e ADN-së, për të përcaktuar identitetin e tyre, thuhet në komunikatë,.

Prokuroria tha se sipas insformacioneve fillestare në mesin e viktimave nuk ka pjesëtarë të personelit të spitalit.

Edhe më tej është e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin në atë spital ku po kuroheshin dhjetëra të sëmurë. Në kohën e shpërthimit të zjarrit në spital kishte edhe familjarë të pacientëve.

Të mërkurën mbrëma në Tetovë qëndroi edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe një pjesë e qeverisë së tij.

“Një tragjedi e madhe ka ndodhur në qendrën për COVID-19 në Tetovë. Një shpërthim shkaktoi një zjarr. Zjarri është shuar, por edhe shumë jetë janë shuar. Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe të afërmit e të ndjerëve it dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit”, shkroi në rrjetet sociale, kryeministri Zaev.

Maqedonia e Veriut është përballur me rritje të rasteve të viktimave dhe të të infektuarve nga COVID-19, që nga mesi i muajit gusht, duke bërë që autoritetet të vendosin masa shtrënguese për frenimin e zgjerimit të infektimeve.

(Zëri i Amerikës)