Shkon në gjashtë numri i viktimave të etheve hemorragjike në Kosovë

Prishtinë, 27 qershor 2013 –Në Kliniken Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Prishtinës (QKUK), në Prishtinë, ka vdekur edhe një pacient i infektuar me ethet hemorragjike, që shkaktohen nga puckimi i rriqrave. Viktima e gjashtë është një foshnjë një javëshe, e cila është infektuar nga e ëma e saj, e cila gjendet nën përkujdesjen intenzive të kësaj klinike.

Sali Ahmeti, shefi i repartit të Klinikës Infektives, ka thënë se ditët e fundit është shtuar dukshëm numri i pacientëve të infektuar nga pickimi i rriqrave. Ai theksoi se ndër faktorët që kanë ndikuar në shtimin e këtyre rasteve është edhe ndryshimi i klimës.

“Aktualisht në spital janë të shtruar nëntë pacientë, prej të cilëve tre janë në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerët kanë gjendje stabile. Natyrisht, numri i tyre ndryshon nga dita në ditë”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, numri i të pickuarve nga rriqrat sivjet është më i madh se vitin e kaluar.

“Deri më tani, gjatë këtij sezoni, kemi pasur 74 të shtrirë në klinikën tonë, te 12 prej të cilëve janë konfirmuar gjetje të virusit, në mostrat e gjakut dhe lëngjet të tjera trupore. Gjashtë kanë pasur përfundim fatal”, ka thënë ai.

Infektologu Ahmeti, ka thënë se muajt qershor dhe korrik përbëjnë kohën kritike të përhapjes së kësaj sëmundjeje, prandaj i ka këshilluar qytetarët që gjatë këtyre muajve të kenë kujdes të shtuar gjatë punës në fusha.

Sëmundja e etheve hemorragjike apo krime kongo në Kosovë është regjistruar për herë të parë në vitin 1954, kur kanë ndodhur tri raste vdekjeje. Prej vitit 1954 deri në vitin 1989 nuk ka të dhëna për përmsat e kësaj sëmundjeje. Kurse nga viti 1889 janë regjistruar shpërthime të herëpashershme epidemike, të cilat kanë marrë përmasa të gjera veçanërisht në vitet 1991, 1995, 2001 dhe 2005.

B.S.