Shkrimtari tanzanian Abdulrazak Gurnah fiton Nobelin për letërsi

Stokholm, 7 tetor 2021 – Shkrimtari me origjinë nga Tanzania, Abdulrazak Gurnah fitoi të enjten çmimin Nobel për letërsi.

Akademia suedeze e vlerësoi shkrimtarin për atë që e cilësoi “depërtim i pakompromistë dhe i dhembshur në efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatit, në hendekun mes kulturave dhe kontinenteve”.

Abdulrazak Gurnah ka lindur në Zanzibar në vitin 1948. Ai shkoi si refugjat në Britani pas një kryengritjeje në ishullin e Oqeanit Indian në vitin 1968, ndërsa ishte ende adoleshent.

Zoti Gurnah ka qenë profesor i letërsisë post-koloniale në universitetin e Kentit. Ai është autor i 10 romaneve, mes tyre “Parajsa”, një ndër kandidatët për çmimin “Booker” në vitin 1994, si dhe romanet e tjera “Pranë Detit” dhe “Dezertimi”.

Kryetar i Komisionit Nobel për Letërsinë Anders Olsson, e quajti atë “një nga shkrimtarët më të shquar post-kolonialistë në botë”.

Ai tha se personazhet e zotit Gurnah “e gjejnë veten në hendekun, që ekziston mes kulturash, apo jetësh të lëna pas dhe së ardhmes, duke u përballur me racizmin e paragjykimet. Ata detyrohen gjithashtu të mos i japin zë së vërtetës, apo të trillojnë historinë e jetës së tyre, për të shmangur konfliktin me realitetin”.

Zoti Gurnah i shkruan romanet e tij në anglisht. Ai është shkrimtari i gjashtë, i lindur në Afrikë, që nderohet me Nobelin në letërsi.

Vitin e kaluar ky çmim iu dha poetes amerikane Louise Glück. Ajo ishte një përzgjedhje e pranuar gjerësisht pas disa vitesh polemika. Në vitin 2018, dhënia e çmimit u shty nga akuzat për abuzim seksual, që tronditën Akademinë Suedeze. Në 2019, dhënia e këtij çmimi shkrimtarit austriak Peter Handke shkaktoi protesta për shkak të mbështetjes së tij të fortë për serbët, gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990.

(REL)

Comment

*