Shkupi kërkon ndihmën e BE-së dhe NATO-së për zjarrin në Tetovë

Shkup, 9 shtator 2021 – Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të enjten, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO ndihmë për hetimin e shpërthimit të zjarrit në spitalin modular në Tetovë.

Nga zjarri që shpërtheu të mërkurën rreth orës 21:00, vdiqën 14 pacientë të sëmurë nga COVID-19 dhe u lënduan 12 të tjerë.

Dyshohet se zjarri është përhapur nga shpërthimi i bombolave të gazit apo të oksigjenit.

Zëvendës-kryeministri Artan Grubi tha se vendi ka nevojë për ndihmë të ekspertëve, siç u shpreh, “për një hetim sa më të shpejtë dhe më të thellë, që të mos lihet asnjë fije dyshimi apo të zbardhet gjithçka lidhur me këtë rast”.

Grubi foli edhe për vërejtjet që ishin bërë qysh në muajin prill nga drejtuesit e Spitalit të Tetovës për lëshime gjatë ndërtimit të këtij spitali. Ai tha se në mbledhjen e qeverisë është konstatuar se spitali ishte ngritur sipas standardeve të nevojshme.

“Ky qëndrim u shpalos sot në mbledhjen e qeverisë nga Ministria e Shëndetësisë. Drejtori ka dhënë sqarimet e duhura rreth vërejtjeve të tij rreth spitalit modular në Tetovë. Bëhet fjalë për çështje teknike. Këtë e tha drejtori dhe e konfirmoi edhe Ministri i Shëndetësisë, për vërejtjet në muajin prill. Ministria tashmë ka dalë me qëndrimin se Qendra modulare ka qenë e ndërtuar me të gjitha standardet e nevojshme”, ka deklaruar ai.

Ky spital kishte nisur të ndërtohej në fillim të vitit dhe ndërtimi i tij vonoi shumë. Në muajin prillit, Drejtoria e Spitalit të Tetovës kishte ngritur shqetësimet mbi disa lëshime nga firma ndërtuese dhe kishte kërkuar mënjanimin e tyre, por ende nuk dihet nëse ato janë mënjanuar apo jo.

Partitë opozitare në Maqedoninë e Veriut kanë reaguar lidhur me ngjarjen tragjike.

Partia më e madhe opozitare, VMRO DPMNE, ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet shtetërore.

“Institucionet duhet të hetojnë plotësisht shkaktarët e tragjedisë dhe të përcaktojnë përgjegjësinë, e cila nuk duhet të mungojë. Duke kuptuar plotësisht revoltën e qytetarëve dhe njerëzve të Tetovës, i bëjmë apel ministrit [të Shëndetësisë] Venko Filipçe dhe kryeministrit Zoran Zaev që, në këto momente të vështira, të mos fshihen nga publiku dhe të dalin me të dhëna dhe vlerësime të sakta të situatës”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, njëherësh sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, e ka fajësuar qeverinë për këtë tragjedi dhe ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë.

Një deputet opozitar maqedonas, Vladimir Gorçev ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev dhe nga ministri Venko Filipçe përshkak të cilësisë së ndërtimeve.

“Spitali modular në Tetovë u ndërtua me nxitim, me interesa biznesi. E trishtuar dhe e trishtuar prishja e sistemit. Zaev dhe Filipçe, dorëheqje dhe përgjegjësi”, ka thënë Gorçev.

Në Maqedoninë e Veriut ka gjithsej 19 spitale modulare. Për ndërtimin e tyre, janë shpenzuar 3.6 milionë euro. Të gjitha këto spitale janë ndërtuar nga kompania “Brako”, pronë e ish-zëvendëskryeministrit maqedonas, Koço Angjushev. 

Autoritetet kanë shpallur tri ditë zie në mbarë vendin nënderim tëviktimave të kësaj ngjarjeje tragjike.

(r.m.)