Shkupi, modeli i një suksesi dhe krahasimi në mjekësi

Emin AZEMI

Nga Kosova vazhdojnë të vijnë pacientë në Shkup, për arsye se nuk mund të gjejnë trajtim adekuat mjekësor në vendlindje. Për 20 vite Kosova prodhoi aq shumë lavdi të rrejshme, duke e komandantizuar çdo pore të jetës, por krejt kot, sepse jeta e njeriut të rëndomtë vazhdon të varet nga mjekët e Shkupit.

Një vajzë nga Strumica nuk po e dinte se kishe pasur kalimin e fundit fatal të rrugës, pasi që mbi të ishte përplasur një automjet dhe për pasojë ajo e kishte humbur betejën e mbijetesës. Por, arriti të mbijetojë një tjetër frymë njeriu- një djalosh 27 vjeçar nga Berova, tek i cili u bë transplantimi i zemrës së vajzës së aksidentuar.

Ekipi i mjekëve në Klinikën e kardiokirurgjisë në Shkup, në mesin e të cilëve edhe kardiologu shqiptar, Kujtim Xhelili, po e sprovojnë veten për here të dytë (më 17 prill) me transplantimin e zemrës, duke u shndërruar kështu në një model jo vetëm suksesi, por edhe nxitjeje për të tjerët që të ndjekin hapat e tyre. 

Menaxhimi i procedurave të transplantimit, siç dihet, fillon që nga sigurimi i  donatorit/dhuruesit të organit, e deri te faza finale në sallën e operacionit, ku specialistët më në zë të fushës ia vazhdojnë jetën pacientit përmes organit të donuar.

Klinika e Kardiokirurgjisë në Shkup shquhet me kapacitete mjaft cilësore në zotërimin e këtyre procedurave, ndonëse nuk është e vetme. Janë edhe disa klinika të tjera që po sprovohen me ndërhyrje të tilla kirurgjikale, të cilat po rezultojnë të sukseshme.

Në Shkup, dje është kryer edhe transplantimi i parë i veshkëve në Klinikën e urologjisë, ndërkohë që pritet të bëhet edhe transplantimi i dytë tek një pacient 40 vjeçar, i cili gjithashtu do të pranojë veshka nga një donator i vdekur.

Sukseset nuk përfundojnë këtu, pasi që në Klinikën  e ortopedisë në Shkup, javën që vjen do të kryhet edhe transplantimi i eshtrave dhe pjesë të indeve të buta tek pacienti me sëmundje ortopedike.

Të gjitha këto suksese të klinikave të Shkupit, do të mund të vendosen edhe në një kontekst komparativ, për të zbuluar shkaqet e ngecjeve të mjekësisë në hapësirat që menaxhohen nga shqiptarët.

Nga Kosova vazhdojnë të vinë pacientë në Shkup, për arsye se nuk mund të gjejnë trajtim adekuat mjekësor në vendlindje. Pacientët përpos plagëve që ua jep sëmundja, bartin me vete edhe plagën e inatit e pezmit për këto ngecje që i ka shkaktuar politika dhe zeusët e rrejshëm të saj, të cilët mandatet qeverisëse i harxhuan duke i shndërruar ambientet spitalore  në stalla kuajsh dhe për pasojë duke i orientuar pacientët për shërim në Shkup (!).  

Për 20 vite Kosova prodhoi aq shumë  lavdi të rrejshme, duke e komandantizuar çdo pore të jetës, por krejt kot, sepse jeta e njeriut të rëndomtë vazhdon të varet nga mjekët e Shkupit.

Në Shqipëri, Edi Rama vazhdon të krenohet dhe lavdërohet me arritjet e mjekësisë turke, duke instaluar në Fier një spital gjigant, i cili erdhi si dhuratë e Presidentit turk, Taip Rexhep Erdogan.

Shqipëria dhe Kosova, bashkë me Diasporën ende nuk mundën të ngrenë një spital rajonal në Kukës, Prizren apo Ferizaj, i cili përveç që do të ishte në shërbim të pacientëve të kësaj hapësire, përfshi edhe Pollogun, Kumanovën e Likovën e deri në Ohër, do të ishte edhe një arsye më shumë për të besuar se bashkimi kombëtar nuk është parullë, por punë e lodhshme që nuk duron fjalë boshe. Sepse është bërë modë që për bashkimin kombëtar më shumë të flitet se sa të punohet, ose po punohet që të mos arrihet asnjëherë me fjalë boshe që përdoren vetëm sa për të kënaqur veshin e idealistëve të vonuar.

Kur jemi tek suksesi i klinikave të Shkupit, nuk e kemi patjetër të mposhtemi shpirtërisht e kombëtarisht nga efekti i komparacionit që lëndon krenarinë tonë nga mungesa e një politike të mirëfilltë shëndetësore në Kosovë e Shqipëri. Këtë krenari të humbur ka do të mund ta kompensojmë duke hapur në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup (ku ka plotë specialistë shqiptarë me tituj akademik e shkencor), edhe një paralele me mësim në gjuhën shqipe, i cili në çdo gjeneratë do të nxirrte nga 20, 30 mjekë, që nesër mund të jenë pasues të profesorëve të tyre që aktualisht po kryejnë transplantime organesh, siç janë, bie fjala, Zhan Mitrev, Sashko Jovev, Kujtim Xhelili.

Me studimet mjekësore nuk ka hajgare dhe më së paku ka vend për qasjen për biologjizimin e kësaj fushe, siç po ndodhë aktualisht në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë në Universitetin Tetovës, i cili ose duhet të transformohet rrënjësisht, ose të mbyllet krejt. Në këtë fakultet ka kuadro të shkëlqyeshëm, por ata duhet urgjentisht të riformatohen sipas një metodologjie komplet të re menaxhuese , e cila fushën e studimeve  mjekësore do ta nxirrte nga stadi i qasjes ambulantore në atë klinike. Do ta nxirrte nga qasja idiote e një grupi profesorësh të lidhur familjarisht, të cilët Fakultetin e Mjekësisë e përdorin për të rekrutuar hallexhinj për bizneset e tyre private. Ka plotë studentë që nuk guxojnë t’i bëjnë publik emrat e tyre, por në anonimitet tregojnë se në këtë fakultet ka edhe profesor që i shesin notat dhe për pasojë ata kanë rënë nga provimi jo pse s’kanë ditur, por pse s’kanë pasur para.

Cili nga këta ekspertë të transplantimeve nga Shkupi është ftuar në Fakultetin e Mjekësisë në Tetovë, që të mbaj një cikët ligjëratash dhe sa prej studentëve të këtij fakulteti kanë marrë pjesë në ndonjë operacion të ndërlikuar, i cili do t’iu ndihmonte në avancimin e shkathtësive praktike ?

Mirëpo kjo nuk ka ndodhur. A e dini pse? Sepse dikush qëllimisht këtë fakultet dëshiron ta shndërrojë në institut të biologjisë, kurse babai i këtij instituti vazhdon të ngelet po ai që veten e konsideron të plotfuqishëm edhe atëherë kur paturpësisht plagjiaturën e shndërron në vepër autoriale të cilën ua shet me detyrim studentëve(!).

Asnjë dije nuk pikon nga qielli, e sidomos ato që kërkojnë punë e angazhim dërmues. Mjekësia më së paku mësohet duke bë hajgare me të dhe duke e lënë atë në duar të biologëve që famën e tyre akademike e ndërtojnë mbi praktikat më të poshtra të abuzimit.

Përderisa është kështu, Shkupi vazhdon të jetë lider i arritjeve mjekësore, kurse ata mjekë/specialtë shqiptarë që aktualisht punojnë në klinikat e Shkupit, janë bërthama e një Fakulteti të ri të mjekësisë në gjuhën shqipe.

Mjaft më me improvizime!

Comment

*