Shkurt 1993 – Pjetër Arbnori, politikani i parë shqiptar, në Mëngjezin e Lutjes

“I thashë Presidenit Clinton, se, për 28 vite me radhë, jam lutur për lirinë e Shqipërisë. Por tani po lutem për paqen në Ballkan”

Nga Ruben Avxhiu

Sot, çerek shekulli më vonë, kur pjesëmarrja në Mëngjezin e Lutjes, në Washington, është kthyer në një ritual të kërkuar të politikanëve shqiptarë, mund të jetë harruar nismëtari i kësaj tradite të përvitshme.

Në 2 shkurt 1993, Pjetër Arbnori, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, mbërriti në New York, në Aeroportin JFK, i pritur me kuriozitet e me mall nga dhjetëra shqiptaro-amerikanë.

Në fotografinë që shoqëron shkrimin, Arbnori sapo ka marrë lule nga një vajzë e vogël Lisa Maria Ulaj. Pranë tij është kryetari i Lidhjes Qytetare Shqiptare, Joseph DioGuardi, që luante një rol parësor në atë kohë në radhët e komunitetit shqiptar, si dhe ndihmësi i tij Leon Shestani.

Nuk kishte njeri më të gjetur për këtë fillim të ri. Arbnori kishte vuajtur për 28 vite në burgjet komuniste, në një vend ku feja bashkë me lutjet ishin të ndaluara me ligj e ku regjimi Amerikën e shihte si armike.

Në atë shkurt të harruar, shkodrani i urtë, nuk ishte më në burg. Ligjet që e kishin ndaluar ishin fshirë. Madje ai ishte tani në krye të institucionit që bënte ligjet.
Në Shqipëri, liria fetare kishte ardhur me liritë e tjera dhe njerëzit ishin të lirë të luteshin. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara ishin rivendosur dhe ai po udhëtonte që të lutej bashkë me udhëheqësit e botës së lirë.

Në mars të një viti më parë, opozita demokratike kishte ardhur në pushtet. Shqipëria e re demokratike kishte një president mysliman, një kryeministër ortodoks dhe një kryeparlamentar katolik.

Edhe në SHBA sapo ishte hapur një kapitull i ri. As dy javë më parë, në Shtëpinë e Bardhë kishte hyrë një president i ri, Bill Clinton, duke mbaruar 12 vite mbizotërimi republikan. Lufta e Ftohtë kishte mbaruar dhe bota nuk ishte më njësoj.

“Do të lutem për paqe në Ballkan”

Në Washington, gjatë Mëngjezit të Lutjeve, ish-i burgosuri politik u takua edhe me Presidentin Bill Clinton.
“I thashë Presidenit Clinton, se, për 28 vite me radhë, jam lutur për lirinë e Shqipërisë. Por tani po lutem për paqen në Ballkan”, u tha Arbnori, pak ditë më vonë, shqiptaro-amerikanëve që ishin mbledhur për ta takuar në Bronx.
Ndërsa Europa Lindore kishte lënë pas diktaturat dhe po bashkohej me pjesën tjetër të kontinentit, Ballkani po zhytej në luftë. Jugosllavia po shpërbëhej dhe Serbia po ndalonte vetëvendosjen e popujve të tjerë jugosllavë me forcën e armëve. Lufta po zhvillohej e ashpër në Bosnje e rrezikonte të përhapej në Kosovë e në Kroaci.
Lufta tani po hynte në vitin e tretë dhe paqja nuk shihej në horizont.
Bill Clinton i kishte thënë se edhe ai ishte shumë i shqetësuar për ngjarjet në Jugosllavi dhe se ishte në dijeni për rrezikun e gjendjes në Kosovë. Ai e kishte siguruar kryeparlamentarin nga Shqipëria, se SHBA e kishte një tashmë një plan se si duhej vepruar.
Për shqiptarët e mbledhur këto fjalë ishin një mesazh i rëndësishëm. Ata ishin të shqetësuar për Kosovën e për shqiptarët në Jugosllavi. Por donin të dinin edhe për Shqipërinë e gjendjen aty.
“Komunizmi është mundur, po rrënjët nuk i janë shkulur”, tha Arbnori. “Do të na duhet të punojmë shumë që ta çrrënjosim nga atdheu”.
Ai tha se komunistët shqiptarë shpresojnë që Jelcini të përmbyset në Rusi se kjo mund ta kthejë komunizmin në vend.

Lot gëzimi në Kishën Shqiptare “Zoja e Shkodrës”

Një vizitë emocionale ishte padyshim në kishën me emër të lidhur me qytetin e tij të lindjes.
Pjetër Arbnori u prit ngrohtë e me lotë gëzimi nga katolikët shqiptaro-amerikanë dhe ish-famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës, Rrok Mirdita.
Ishte një kohë tjetër. Kisha e shquar shqiptare ishte ende në Bronx, por Mirdita sapo ishte caktuar arqipeshkv i Tiranës dhe Durrësit dhe do të zhvendosej përgjithmonë në Shqipëri.
Imzot Mirdita e quajti Arbnorin një pioner të demokracisë dhe një luftëtar për lirinë fetare në vend.
Për shkak të natyrës së tij, kishin shkuar për ta dëgjuar shqiptarë nga të gjitha besimet fetare. Takimin e tij në Bronx e kishin bekuar si Rrok Mirdita ashtu edhe Imam Isa Hoxha, i Xhamisë Shqiptare në Brooklyn. Një pyetje që i mundonte shumë pjesëmarrësve ishte ajo për Anastasin, priftit grek që ishte vendosur në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare.
Arbnori u dha të drejtë dhe u shpreh se kisha shqiptare meritonte një udhëheqës shpirtëror shqiptar, si ishte rregulli dhe si e dëshironin besimtarët.
Ai foli për trajtimin e rehabilitimin e ish-të burgosurve, për të ardhmen e demokracisë, për gjendjen e rrezikshme të luftës në Ballkan.
Më tej, Pjetër Arbnori udhëtoi edhe në Detroit, Chicago e Boston për të njohur më mirë komunitetin shqiptar në SHBA.
Përpara nisjes, ai zhvilloi edhe një takim me drejtuesit e LDK-së për treishtetëshin, Rustem Ibraj, Marjan Cubi dhe Musa Dakaj, ku mësoi për punën që po bënin shqiptarët në SHBA për të përparuar çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në Jugosllavi. (Ruben Avxhiu)