Shoqata Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia sërish bashkon komunitetin shqiptar për Festën e Mësuesit dhe Ditën e Gruas

Nëse dashuria duhet të emërohet, ne i vendosim emrin Nënë,

Nëse dija duhet të emërohet, ne i vendosim emrin Mësues.

Festimi i festave te 7 -8 Marsit është kthyer tashmë në traditë shumëvjecare dhe njëkohësisht një nga traditat më të bukura që mezi pritet të festohet nga komuniteti ynë që jeton në Filadelfia. Edhe pse pothuajse cdo vit, temperaturat e ditës së festimit janë tepër të ulta, atmosfera  është tepër e gëzuar dhe ndihet një angazhim nëpër familjet tona. Dikush fton nënën, gjyshen, vjehrrën, kushërinjtë; dikush ndihmon fëmijët për një recitim apo këngë, dikush përpiqet të blejë dhurata simbolike, lule. Kjo lidhet me një arsye shumë të thjeshtë se është dita kur më shumë se kurrë në fokus është figura e gruas, e qënies më të adhurueshme dhe më  të rëndësishme në jetë që  na dhuron cdo ditë  dhe pa kushte  DASHURI, DIJE,  MBËSHTETJE, NDIHMË,  PËRKUSHTIM !

 Organizimi i festës u realizua në sajë të përkushtimit të anëtarëve të Kryesisë dhe shume anëtarëve të shoqatës.Tepër i dukshëm ishte ndihma që dhanë prindërit e nxënësve të shkollës shqipe. Moderatorë dhe prezantues të këtij aktiviteti kaq argëtues, por edhe kuptimplotë, krejt ndryshe nga herët e tjerat, ishin dy nxënës të shkollës shqipe “Gjuha Jonë” Filadelfia: nxënësja e klasës së pestë, Jona Hajrrullahu  dhe nxënësi i klasës së katërt, Enid Bezhani. Ata do të transmetonin tek të gjithe të pranishmit emocione të paharruara. Duke prezantuar vetën si dy shqiptarë të lindur në Filadelfia: Jona si shqiptare e Kosovës, dhe Enidi si shqiptar i Shqipërisë, përmes një shqipe të kulluar dhe një intonacioni të adhurueshëm, shprehen krenarinë për atdheun e prindërve të tyre. Sinqerisht, Jona dhe Enidi falenderuan për mësuesit, prindërit që me durim dhe vullnet i ndihmuan të përsosin gjuhën e Naimit, Asdrenit, Cajupit, gjuhën e gjyshërve, gjuhën e nënës së tyre.  

Në fjalën e përshëndetjes, kryetari i shoqatës, zoti Bujar Gjoka, nuk harroi te falenderonte kontributin e vyer jo vetem te mesueseve aktualë:Irini Zeneli, Mimoza Sotiri, Raimonda Bardhi, Rudina Bani, e  Afërdita Muzhaqi por edhe 20 mesueset e tjera që kanë ndihmuar ndër vite që në momentin e hapjes së shkolles shqipe “Gjuha Jonë” 20 vite më parë.

Mësuesja e klasës së dytë, Mimoza Sotiri përshëndeti të gjithë të pranishmit në emër të Kryesisë së Shoqatës “Bijtë e Shqipes” Filadelfia. Pasi falenderoi të gjithë të pranishmit në sallë ajo theksoi rëndësinë që ka pasur hapja e shkollës së parë shqipe në Korcë më 7 Mars 1887 dhe pa diskutim vlerësoi rolin e gruas në shoqërinë shqiptare. Ajo falenderoi të gjithë prindërit që i mësojnë fëmijve të tyre shqiptaro-amerikanë të flasin shqip, të ruajnë gjuhën që me shumë mund e sakrifica shqiptarët e ruajtën nga asimilimi.

  Emocionë të bukura përcollën fëmijët e shkollës si dhe fëmijët e pranishëm në sallë me shpërndarjen e kartolinave dhe luleve për të gjitha gratë në emer të shoqatës” Bijtë e shqipes”.

 Jona, Enidi, si dhe dy nxënësit e klasës së pestë, Rron Hajrrullahu dhe Nicholas Hoxha, nën drejtimin dhe kujdesin e vecantë të mesuese Rudina Bani në bashkëpunim me prindërit e tyre do të përlotnin dhe do të bënin krenarë  mësueset e shkollës shqipe. Me dashuri, ëmbëlsi dhe me siguri ata do të lexonin bukur  kartolinat e personalizuar që ata kishin shkruar për secilën mësuese dhe do të dhuronin  buqeta me lule e duke  i falenderuar këto gra të vecanta  që kanë  kuptuar që mësimi i gjuhës shqipe është detyrë dhe peng i cdo shqiptari. Momente tepër emocionuese!

Për mësuesen e klases se pare, Znj Irini Zeneli  surprizat nuk kishin fund. Kryetari Z. Bujar Gjoka dhe sekretari i Shoqatës Z. Ali Sopaj i dhuruan certifikatën “Nderi i Komunitetit” për punën e palodhur njëmbëdhjteë vjecare, përkushtimin, dedikimin profesionalizmin e treguar për të rrënjosur tek fëmijët e komunitetit shqiptar në Filadelfia, dashurinë për gjuhën shqipe, gjuhën e prindërve dhe gjyshërve tanë dhe duke e transmentuar nëpër brezat e rrinj!

Magjia e muzikës shqiptare, ritmi unik i valleve tona, falenderimet, urimet, fëmijët, lulet e kartolinat do të përbënin bukurinë e festimit të Festës së Mësuesit dhe Ditës së Gruas.

Gëzuar festat dy qëniet më unike: Mësues dhe Grua.!

Faleminderit për gjithcka që realizoni dhe rrezatoni në punë e në familje!

Rudina Bani

N/Kryetare e Shoqatës