Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia përkujtoi e nderoi Karl Gegen, projektuesin e ndërtuesin e mrekullive inxhinierike

            Ditën e shtunë më 27 prill shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia zhvilloi një veprimtari përkujtimore ku u përkujtua e u nderua Karl Gega, projektues e ndërtues i veprave madhështore ndërtimore e hekurudhave, ndërtimi i të cilave gjer atëherë ishte i paimagjinueshëm – vepra që kanë hyrë në listën e mrekullive botërore. Këto veprimtari që organizon shoqata jonë janë një rast mjaft i mirë që bashkatdhetarët tanë të njihen me figurat madhore të kombit tonë të të gjitha lëmive. Veprimtari që përputhen me misionin dhe programin e shoqatës sonë.  Salla si zakonisht kur zhvillojmë veprimtari të tilla, ishte rregulluar bukur, ku binte në sy një pano e madhe me fotografi të Karl Gegës, pamje nga veprat e tij inxhinierike, hekurudhën e Semeringut, njëzet shilingshin austriak me imazhin e Karl Gegës, etj. Përveç bashkatdhetarëve me banim në FiladelFia e rrethinë, pjesëmarrës të rregullt të veprimtarive tona, në këtë veprimtari merrnin pjesë edhe miqtë e shoqatës sonë: Poeti Mhill Velaj, kryetar i sapozgjedhur i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë, zoti Adi Veseli me bashkëshorten e tij,shkrimtaren Sabije Veseli, kryetare e Shoqatës së Grave Shqiptaro – Amerikane “Marigona”, me seli në Nju Xhersi, shkrimtari e poeti, studiusi dhe mbledhësi i folklorit, profesori i gjuhës shqipe, dr. Bexhet Asani, si dhe zoti Prend Qetta, me banim në shtetin Connecticut. Ne nuk denim më parë se miqtë tanë do të merrnin pjesë në këtë veprimtari, prandaj paraqitja e tyre ishte një befasi e këndshme. 
          Veprimtarinë e hapi zoti Bujar Gjoka, kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, i cili i përshëndeti të pranishmit, duke u dëshiruar atyre mirëseardhjen në mjediset e shoqatës sonë dhe duke i falenderuar për pjesëmarrjen në këtë veprimtari të rëndësishme. Pastaj ai foli për rëndësinë e kësaj veprimtarie, që ishte pak më ndryshe nga veprimtaritë tjera, sepse po nderonim një figurë që vjen nga një lëmi tjeter, inxhinieria, dhe jo ng arti, kultura e historia, siç kemi organizuar herave të tjera.  
          Në vazhdim ai ia dha fjalën zotit Vlashi Fili, sekretar i shoqates “Bijtë e Shqiopes” që nga themelimi i saj, i cili e kishte përgatitur një material serioz e gjithëpërfshirës për jetën dhe veprimtarinë inxhinierike të Karl Gegës, titulluar: “Karl Gega, kolosi i artit për ndërtimin e hekurudhave”. Vlashi, i nxitur me siguri nga madhështia e figurës së Karl Gegës, por edhe nga profesioni i tij, inxhinier (nafte) ka kohë që i kishte propozuar Këshillit Drejtues të shoqatës për një veprimtari të tillë, pak më ndryshe nga të tjerat, siç cekëm edhe më parë.

Jetëshkrimi i Karl Gegës

          Në fillim ai paraqiti disa të dhëna jetëshkrimore për Karl Gegën: fëmijërinë, rininë e shkollimin e tij. Karl Gega, apo siç njihet me emrin e tij të plotë, Carl Ritter von Ghega, lindi më 10 janar të vitit 1802 në Venedik në një familje shqiptare. I ati, Anton Gega, atë kohë ishte kapiten i Marinës Venedikase. Dihet mirë se në Venedik ka lulëzuar një koloni (ngulim) e fortë e shqiptarëve, ende edhe sot në këtë qytet ekziston rruga “Calle dei Albanesi” (“Rruga e shqiptarëve”). Arsimin fillor Karl Gega e mori pranë familjes në Venedik. Pa i mbushur 13 vjet, karriera e Karl Gegës mori një drejtim tjetër nga ajo tradicionale të familjes. Duke i vlerësuar dhuntitë e Karlit, i ati vendosi t’i japë të birit një drejtim tjetër dhe ai kaloi nga Kolegji Real i Marinës në Kolegjin Ushtarak të Shen Anës.  
          Pas përfundimit të kolegjit, Karli ndoqi për disa muaj një institut privat marine, me qëllim që të thellonte njohuritë e tij në matematikë. Me dëshmitë e dy shkollave, në janar 1818, Karli regjistrohet në vitin e dytë të studimeve në kursin tre vjeçar, në Fakultetin e Shkencave të Filozofisë dhe Matematikës të Universitetit të Padovës, në të cilin punonin pedagogët dhe shkencëtarët më të mirë të asaj kohe. Kalimi direkt në vitin e dytë të Universitetit mundësohej nga fakti se ky student i talentuar e zotëronte lëndën e vitit të parë. Por edhe viti i dytë nuk zgjati shumë, pasi mbas 7 muajve Karli dha provimet përkatëse. Krahas ndjekjes së shkollës private, ai qysh në tetor 1817, në moshën 15 vjeçare, kishte filluar punë në Inspektoriatin Qendror të Ujërave dhe Rrugëve të krahinës së Venetos, fillimisht si inxhinier praktikant. Përkundër këtyre angazhimeve, ai ndiqte edhe kurse në “Akademinë e Arteve të Bukura” në Venedik, që i jepnin një formim të plotë në fushën e arkitekturës. Në vitin 1818 ai dha provimet përfundimtare dhe u emërua “Inxhinier arkitekt”, kurse më 11 Qershor 1819, në moshën 17 vjeçare, u diplomua “Doktor në matematik” me vlerësimin unanim “Shkëlqyeshëm” të komisionit të Universitetit të Padovës. Tashmë ai ishte dëshmuar si një talent i jashtëzakonshëm në fushën e shkencave natyrore e teknike dhe e ardhmja e tij ishte përcaktuar mirë në këtë drejtim.

Veprat e Karl Gegës

          Pastaj z. Fili bëri një paraqitje të veprave të Karl Gegës: “Kur shikon fushat në të cilat ka kontribuar Gega, mendon që sot, për të patur formimin e tij, një inxhinieri i duhet të studiojë, në disa fusha si, ndertimi i rrugëve dhe hekurudhave, pyjtaria, ujërat, gjeodezia, arkitektura, inxhineria mekanike, etj. Gega e tha fjalën e vet me kopetence profesionale, pavarësisht se shkenca e asaj kohe, në ndërtimin e hekurudhave ishte në hapat e para dhe nuk ishte formuar akoma si një degë e dijes. Për të arritur në kryeveprën e tij, hekurudhën e Semeringut, që e bëri atë të pavdekshëm, Karl Gega punoi dhe krijoi në shumë sektorë të tjerë, nga ku ai grumbulloi atë përvojë, që e futi në panteonin e njerëzve më të shquar të kohës. Me dhjetra rrugë, vepra dhe hekurudha në Perandorinë Austro-Hungareze, të asaj kohe, në Austri, Gjermani, Çeki, Hungari, Sllovaki, Slloveni e Itali, kanë vulën e mendjes gjeniale të Karl Gegës: rruga që lidhi Venedikun me Tirolin (1820), projekti për ndërtimin e rrugëve në Vittorio Veneto dhe Conegliano, ndërtimi i ndërtesës së gjykatës në Trevo (1824), projekti për disiplinimin e ujrave të lumit midis Piave-s dhe Tagliamentos (1827), projekti për rregullimin e ujrave të lumit Po në zonën e Rovigos (1830), drejtimi i punimeve për regullimin e segmentit hekurudhor Tirol-Ravensburg-Brno (Çeki), 140 kilometra i gjatë (1839), drejtimi i segmentit hekurudhor Tirol-Voralberg (1840), drejtimi i punimeve për lidhjen e Trento-s me Pergine-n e përmirësimi i rrugës së vjetër romake “Via Klaudia Augusta”, drejtimi i punimeve për segmentin hekurudhor Murzzushlag-Grac (1844) dhe Grac-Celje (Slloveni), projektimi i linjave hekurudhore për në Ljubljanë dhe Trieste (1845). Në prill 1842 Gega dërgohet nga qeveria Austriake në Shtetet e Bashkuara, për të përfituar nga përvoja amerikane, në projektimin dhe ndërtimin e hekurud have. Këtij udhëtimi ai i kushtoi dy botime me rreth 264 faqe, në të cilat përshkruan teknikat e ndërtimit si dhe problematikën në lidhje me zbatimin e tyre. Në vitin 1845 ai botoi për auditorin e ndërtuesve librin “Mbi ndërtimin e urave në Amerikën e Veriut””.

Hekurudha e Semeringut

          Pak më gjërësisht z. Fili u përqëndrua në ndërtimin e hekurudhës së Semeringut, që është një mrekulli inxhinierike, ndërtimi i së cilës ishte vlerësuar si i pamundur për shkak të terrenit tepër të vështirë malor. Kjo vepër e ka bërë Karl Gegën të pavdekshëm dhe në vazhdim ai theksoi: “Pa dyshim kryevepra e Karl Gegës, konsiderohet Hekurudha e Semeringut, punimet për ndërtimin e së cilës filluan më 1848 dhe përfunduan më 1854. Kjo hekurudhë nuk ishte vetëm një risi në fushën e ndërtimit të trasesë për konstruksionin e lokomotivave malore, apo teknikën e sigurisë, por ajo shënonte edhe një hap përpara në drejtim të ndërtimeve malore, duke shënuar një arritje në studimin e teknikës së ndërtimit me shina. Në një zonë tepër malore, rreth 1.000 metra mbi nivelin e detit, u ndërtuan 41 kilometra hekurudhë, shumë vepra arti, 15 tunele me një gjatësi të përgjithshme prej 4520 metra, nga të cilat ai i Semeringut 1430 metra, 16 viadukte me gjatësi 1502 metra, disa prej tyre me dy kate, si dhe disa dhjetra ura. Në ndërtimin e trasesë së Semeringut punuan rreth 20.000 vetë. Vështirësitë ishin shumë të mëdha, tereni tepër i thyer, dimri i egër, epidemitë vdekjeprurëse, si edhe kushtet e punës, pasi dinamiti akoma nuk ishte shpikur, mungonim mekanizmat dhe veglat, kurse mjetet e punës kishin një efektivitet shumë të ulët. Të tilla vështirësi si dhe punën kolosale, Karl Gega i përballoi me aftësi, pasion, besim e guxim të rrallë dhe arriti një fitore historike në shkencën e ndërtimit të hekurudhave”. Për këtë hekurudhë me vlerësimin më të lartë është shprehur edhe perandori i Austro – Hungarisë, Franc Jozef: “Një kryevepër e mendjes njerëzore, që për të gjithëa kohët do të mbetet e lidhur me jetën e Gegës”. Në vitin 1998 hekurudha e Semeringut është future në listën e UNESCO-s të Trashëgimisë Botërore.  Një arritje tjetër e madhe e Karl Gegës ishte edhe përfundimi me sukses i “Hekurudhës së Jugut” Vjenë – Trieste në korrik të vitit 1857. 
          Në mirënjohje të shërbimeve të shkëlqyera shumëvjeçare të Karl Gegës, Perandori Franc Josef e dekoroi dhe e bëri Gegën mbajtës të disa urdhërave dhe titujve të fisnikërisë. Që më 22 Qershor 1851 Karl Gega kishte marë titullin fisnik “Kalorës”. Më 14 Mars 1860, në moshën 58 vjeçare, Karl Gega vdiq në apartamentin e tij në qendër të Vjenës. Ceremonia fetare mortore u zhvillua në Katedralen kryesore të Vjenës, Shën-Stefan në prani të motrave të tij. Trupi u përcoll për në varrezat e Ëahringer-it në Vjenë. Më 1887, kur këto varreza u shpërngulën, sargofagu me eshtrat e Gegës u vendos në varrezat qëndrore, pranë njerëzve më të shquar të Austrisë, Mozartit, Bethovenit, Shubertit, Shtrausit, Brahamsit dhe Alois Negrellit (projektuesit të kanalit të Suezit). Pastaj z. Fili në fjalën e tij u angazhua që të bëhet diçka më tepër për ta vlerësuar figurën dhe veprën e Karl Gegës:“Edhe në Shqipëri është bërë një vlerësim i pamjaftushëm i Gegës. Do të ishte nder për një nga universitetet tona teknike të mbante amrin e të madhit Karl Gega. Dhënia e një çmimi me emrin “Karl Gega” për zbulime në fushën e shkencës do të ishte një tjetër vlerësim që do t’i bëhej atij dhe të parëve të tij”. Dhe në fund fare, z. Fili vuri në dukje se Karl Gega me punën e tij, duke projektuar rrugë e hekurudha, ia ka arritur që ta bashkojë Europën 150 vite më përparë se të behej bashkimi politik më 1 maj, 2004.        
          Pas kësaj paraqitjeje të z. Fili në ekran u shfaqën disa video që paraqisnin jetën dhe veprën e Karl Gegës, sidomos hekurudhën e Semeringut, me ato tunelet e viaduktet madhështore e mbresëlënëse.
           Vazhduan pastaj diskutimet nga të pranishmit. Meqenëse Karl Gega kishte studiuar në Universitetin e Padovës, z. Sadik Elshani, që kishte patur një qëndrim studimor në këtë universitet, foli edhe për dy figura tjera të mëdha që lidheshin me Universitetin e Padovës: Leonik Tomeun e Marin Beçikemin. Ai shprehu mendimin se studiusit tanë duhet të bëjnë një punë më serioze për t’i bërë këto figura më të njohura për shqiptarët dhe tërë botën. Edhe dr. Bexhet Asani ishte i këtij mendimi dhe e ilustroi me disa shembuj konkret, pikërisht mori si shembull profesorin e tij, prof. dr. Shefqet Pllanën, një emër mjaft i njohur për studiusit e folklorit. Dr. Bexheti, si gjithmonë edhe në këtë rast e vlerësoi lart punën që bën shoqata “Bijtë e Shqipes”, duke theksuar se “në këtë godinë ka aq shumë shqiptarizëm”. Javë më parë Këshilli Drejtues i shoqatës sonë kishte vendosur që zotit Mëhill Velaj t’i ndahej vlerësimi, “Miku i Shoqatës”, me këtë motivacion: “Për mbështetjen e vazhdueshme dhe propagandimin e shoqatës “Bijtë e Shqipes” midis bashkatdhetarëve tanë në Connecticut e më gjërë”.  Prandaj, ky takim ishte edhe një rast i mirë për t’ia dorëzuar atij personalisht këtë vlerësim. Kjo ishte një befasi për Zotin Velaj. I entuziazmuar e shumë mirënjohës, z. Velaj e falenderoi shoqatën për këtë vlerësim e nder që i bëjnë atij. Ai e vlerësoi lart punën që bën shoqata “Bijtë e Shqipes” dhe theksoi se vizitën e parë si kryetar i posazgjedhur i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë” po e bënte pikërisht në shoqatën tonë si nxitje për ta vazhduar e thelluar edhe më tutje bashkëpunimin në mes të dy shoqatave. Ai pastaj iu drejtua të pranishmëve, anëtarë të shoqatës “Bijtë e Shqipes” se, duhet të jenë shumë të lumtur për veprimtarët entuziastë të kësaj shoqate.      
          Mysafirët pastaj vizituan edhe godinën e re që shoqata jonë e ka blerë muaj më parë dhe u njoftuan me mbarëvajtjen e punimeve për restaurimin e meremetimin e këtij objekti me vlera historike.
          Kështu përfundoi edhe kjo veprimtari e bukur, duke e kujtuar e nderuar një inxhinier gjeni e duke u takuar me miq te vjetër e të nderuar.

Sadik Elshani

Filadelfia, 30 prill, 2019