Shoqëria civile shpreh shqetësim për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë

Prishtinë, 11 maj 2022 – Një raport i organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, i publikuar të martën, nxjerr në pah mangësitë në zbatimin e ligjeve që garantojnë të drejtat e barabarta për qytetarët e Kosovës.

Marigona Shabiu nga kjo organizatë i tha Zërit të Amerikës se gjetjet e raportit dëshmojnë se viti 2021 ka shënuar kthim mbrapa në respektimin e të drejtave të njeriut, posaçërisht për shkak të pandemisë COVID-19.

“Dy vitet e fundit situata e të drejtave të njeriut është përkeqësuar shumë. Raporti vë në pah shumë shkelje, shumë veprime e mosveprime të institucioneve publike të cilat i kanë vendosur në një pozitë edhe më të rrezikuar sidomos grupet e margjinalizuara në Kosovë. Kështu që mund të themi se nuk ka përparim të mjaftueshëm në shumë aspekte, për shumë grupe të cenueshme si komunitetit LGBTI, personat me aftësi të kufizuara, gratë e të tjera”, thotë ajo.

Valmira Rushiti nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, tha se gratë paraqesin një ndër kategoritë më të cenueshme të shoqërisë.

Sipas raportit shkalla e papunësisë te gratë është 32.3 për qind, krahasuar me 23.5 për qind sa është te burrat. Derisa rastet e dhunës në familje kanë shënuar rritje nga një mijë e 915 raste sa ishin në vitin 2019, në dy mijë e 69 raste në vitin 2020 dhe dy mijë e 200 raste në vitin 2021.

“Flasim për vrasjet e grave, shkallën e dhunës në baza gjinore e cila është rritur shumë përgjatë pandemisë, neglizhencën institucionale si dhe mungesën ende të një trajtimi serioz të dhunës me bazë gjinore”, tha zonja Rushiti.

Zonja Shabiu thotë se ky raport përmban mbi 100 rekomandime, por se shqetësues sipas saj është fakti se shkeljet janë sistematike.

“Sigurisht është e drejta për qasje në drejtësi ose e drejta për të pasur një gjykim në kohë të arsyeshme që i ndikon dhe i prek të gjitha këto kategori, sidomos gratë viktima të dhunës në familje, i prek komunitetet joshumicë, me theks të posaçëm personat e komunitetit LGBT. Pastaj e drejta në punësim, në qasjen në shërbime shëndetësore”, thotë ajo.

Në një vlerësim lidhur me shkallën e diskriminimit të realizuar në Prishtinë del se nga tri grupe të përfshira, komuniteti LGBT është grupi më i diskriminuar në të gjitha zonat ku janë kryer anketime.

Blert Morina nga organizata për personat e komunitetit LGBT, CEL, tha se ky komunitet ka nevojë për angazhim ndërinstitucional për përmirësimin e situatës aktuale.

“Të kemi një përkushtim të sinqertë që këto rekomandime do të mirren parasysh, të kemi një zotim që sidomos theksi do të vihet te personat të cilët janë në pozitë më të pafavorshme sepse mos të harrojmë që pikërisht te këto grupe ka nevojë për angazhim të dyfishtë që t’u dilet në mbrojtje”, tha ai.

Raporti i shoqërisë civile për të drejtat e njeriut për vitin 2021 paraqet edicionin e tretë të tij, ndërsa në hartimin e tij janë përfshirë 37 organizata jo qeveritare nga 24 fusha të të drejtave të njeriut në Kosovë.

(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)