Shpërdorimi i një shansi historik për diplomatin serb

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

OKB: Askush nuk vajton largimin e Jeremiçit – Me këmbënguljen e Shqipërisë, i refuzohet falenderimi publik nga grupi i Europës Lindore, të cilin përfaqësonte në krye të Asamblesë së Përgjithshme

NEW YORK – Me zgjedhjen e presidentit të radhës të Asamblesë së Përgjithshme në OKB, fillon numërimi zbritës i ditëve në këtë post të ish-ministrit të jashtëm serb, Vuk Jeremiç. Në sajë të këmbënguljes së Shqipërisë, ditën e premte, diplomati serb u gjend përpara një situate aspak të këndshme për të, kur rajoni që përfaqësonte, refuzoi t’i bënte falenderimin tradicional që bëhet kur nis pjesa e fundit e mandatit.

Çdo vit ky post, i bujshëm nga emri e me ndikim, por pa fuqi reale ekzekutive, i jepet një rajoni të caktuar të botës, me rrotullim. Jeremiçi u zgjodh sepse radhën e kishte rajoni i Europës Lindore.

Kur fillon fundi i çdo mandati, është traditë në OKB, që vendet e rajonit falenderojnë përfaqësuesin e tyre për punën e bërë.

Kësaj here kjo traditë u kapërcye nga pamundësia e grupit të vendeve ish-komuniste për të gjetur një gjuhë të përbashkët për përcjelljen e diplomatit serb. Ishte Shqipëria që me anë të Ambasadorit Ferit Hoxha refuzoi gjuhën plot lavde të tepruara të formuluar në draftin e parë.

Pas rishkrimit të tekstit përshëndetës në një gjuhë më të përmbajtur, Shqipëria përsëri nënvizoi se lavdërimet sipas të cilave Jeremiçi kishte punuar pa u lodhur për të mbajtur lart vlerat më të mira të OKB-së nuk qendronin. Diplomati i njohur shqiptar e dinte se nuk ishte i vetmi mes kolegëve të tij që kishte këto mbresa e pikëpamje.

Në çastin që kësaj proteste iu bashkua edhe Kroacia, u kuptua se një qendrim unanim në grup do të ishte i pamundur. Në fund, deklarata përshendetëse u anullua tërësisht, një precedent ky që simbolizon pakënaqësitë dhe përçarjet që shoqëruan që nga fillimi diplomatin serb në këtë pozitë të lartë.

Kjo nuk kishte të bënte me kombësinë e tij. Serbia ka diplomatë të shquar, disa prej të cilëve tani kanë kaluar nga shërbimi diplomatik serb në institucione ndërkombëtare e madje edhe kanë folur në favor të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Po edhe kjo e fundit nuk është domosdoshmërisht metri matës i diplomatit. Në fund të fundi, shumë diplomatë detyrohen të zbatojnë politikat dhe udhëzimet që merren në kryeqytetet e tyre.

Problemet qenë të natyrave krejt të tjera dhe reflektojnë keq mbi Vuk Jeremiçin si politikan e figurë brenda e jashtë vendit të tij.

Së pari, zgjedhja e tij riktheu një dukuri që nuk ishte parë më që nga koha kur ushtritë ruse ishin të vendosura në gjysmën e kontinetit europian e Moska pëcaktonte politikën e tyre të jashtme.

Ishte radha e Europës Lindore për të pasur një kryetar të Asamblesë së Përgjithshme dhe një konsensus jozyrtar dukej se ekzistonte për ministrin e Jashtëm të Lituanisë. Hyrja e Vuk Jeremiçit në lojë si kandidat ishte gati një diversion që cënonte ekuilibrin në rajon. Gjithësesi, ishte e drejta e tij dhe do ta kishte merituar postin nëse Serbia do të mund të fitonte një konsensus mes fqinjëve të saj.

Në vend të kësaj, zgjedhja e Jeremiçit u sigurua në sajë të angazhimit diplomatik të Rusisë dhe vendeve të tjera jashtë rajonit që në një farë mënyrë i imponuan Europës Lindore një përfaqësues për të cilin nuk kishte qenë e bindur.

I gëzuar në momentin e zgjedhjes, Jeremiçi deklaroi publikishte se fitorja e tij ishte në fakt një fitore e Serbisë, një çast që simbolizonte transformimin që kishte bërë Serbia e cila vetëm pak vite më parë kishte qenë një vend që akuzohej për krime lufte, ndërsa sot po i besonin drejtimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Që Jeremiçi t’ia kushtonte vendit të tij zgjedhjen si President të AP-së, nuk kishte asgjë të keqe. Të tjera ishin problemet me deklaratën e tij. Ato injoronin faktin që në atë pozitë ai kishte hyrë nga dritarja e jo nga dera. Në vend që të shihej si riafirmim i Serbisë, zgjedhja e tij po shihej si forcim i Rusisë. Shumica e vendeve që e kishin përkrahur për t’u zgjedhur ishin, në fakt, po ato që nuk ishin shqetësuar për krimet e Serbisë në Ballkan. Ndërsa, vendet të cilat kishin vuajtur nga Serbia, në vitet 90, e kishin kundërshtuar më fort zgjedhjen e tij, duke dëshmuar se transformimi i Serbisë, që pretendonte Jeremiçi, në deklaratën e tij nuk kishte ndodhur. Sikur të mos mjaftonin këto, Jeremiçi vetë nuk ishte shquar për dënimin e krimeve të viteve 90 dhe për turpërimin që Serbia i i kishte bërë në atë kohë OKB-së. Përkundrazi kishte punuar intensivisht për ta justifikuar sjelljen e Serbisë.

Nuk ka asnjë arsye që brezat e rinj të serbëve të ndëshkohen e diskriminohen për krimet e brezave më të vjetër. Por, pa një reflektim të shoqërisë serbe ndaj të kaluarës, nuk ka asnjë garanci që këto tmerre do t’i përkasin vetëm të kaluarës dhe që kjo shoqëri që në kushte të caktuara nuk do t’i përsërisë ato.

Pavarësisht nga të gjitha këto, askush nuk vrapoi të paragjykonte publikisht sjelljen e Jeremiçit në këtë pozicion. Përdorimi i mbështetjes ruse ishte në fund të fundit, mënyra sesi veprojnë politikanët që të fitojnë votat e nevojshme. Ish-ministri i Jashtëm serb kishte konkurruar dhe kishte fituar pa shkelur ndonjë ligj e rregull teknik. Vërtet nuk kishte qenë e moralshme të shpërfillte vullnetin e shumicës së rajonit, po edhe vetë rajoni nuk e kishte kundërshtuar njëzëri kandidaturën e tij; shumë vende europiane të Lindjes dhe Perëndimit votuan për Jeremiçin. Rusia bëri shumë fushatë për të, por në Perëndim i vunë pak rëndësi. Disa madje hodhën hipotezën se Perëndimi ishte aq i bezdisur me rolin e tij negativ në Ballkan, sa që më mirë të ishte në New York sesa në Beograd.

Gjithësesi, problemi me Jeremiçin nuk ishte ajo çfarë kishte bërë më parë, as edhe mënyra sesi u zgjodh, por sjellja e tij në këtë post. Në vend që ta rikonfiguronte veten si një udhëheqës me përmasa botërore, ai edhe në krye të OKB-së mbeti një lloj ministri jozyrtar i jashtëm i Serbisë, i paaftë për të dalë nga suaza ballkanike e nacionaliste; më shumë se Kosovës e Ballkanit, i prishi punë Serbisë dhe vetes.

Askush nuk ishte zgjedhur në atë post në moshë aq të re. Kjo pozitë shihet më shumë si një përcjellje, apo dhuratë pensioni për diplomatë e zyrtarë të njohur. Një lloj mbylljeje karriere. Po për një si Jeremiçi mund të ishte një mundësi për ta rikrijuar veten si një figurë me rëndësi në historinë e botës. U fol konkretisht për ambicjen e tij për të zëvendësuar Kan Ki Moon në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Ishte një ambicje legjitime dhe nëse do të kishte duruar pa nxjerrë flatrat e nacionalistit për pak muaj, mund të kishte pasur vërtet shanse për të bërë shumë më tepër për vendin e tij. Po e pati të pamundur.

Përpjekjet e tij nën rrogoz për të shfrytëzuar pozicionin e tij për të penguar njohjet e mëtejshme të Kosovës nga vende të botës ishin të pritshme dhe askush nuk mund të ankohej për to, sa kohë që mbeteshin private. Nëse dikur si ministër i Jashtëm ai kishte udhëtuar në më shumë se 100 shtete të botës për të lobuar kundër njohjes së Kosovës, tani i ishte dhënë mundësia të bënte të njëjtën gjë pa lëvizur nga zyra e tij në Pallatin e Qelqtë; në këtë post ishte bota që rrotullohej rreth tij. Herë a vonë çdo diplomat i lartë kalon nga New York-u.

Po përveç ambicjes personale, moshës së re, servilizmit ndaj Rusisë si dhe diktatorëve të vendeve të paangazhuara, Jeremiçi sillte pak talent në tryezat diplomatike të New York-ut. Deklarata si “Kosova hyn në OKB vetëm mbi trupin tim të vdekur”, i paraprinë ardhjes së tij si dhe dyshimit se do ta kishte të pamundur që të shkëputej nga politika e brendshme serbe, sepse megjithë shkollimin në SHBA, megjithë karrierën fatlume në majën e diplomacisë serbe, ai mbetej një politikan ballkanik, me mani për deklarata epiko-patetike.

Pas rehatimit në postin e ri durimi i tij i imponuar nga kostumi i kreut të asamblesë dhe etika e sjelljes që kërkonte pozita skadoi shpejt.

Të paktën dy ngjarje ia vulosën mandatin më shumë se çdo gjë tjetër. Të parën mund ta kapërcente me pak dinjitet e arsyeshmëri. Të dytën e organizoi vetë nga fillimi deri në fund e nuk mund të jutifikohet me asgjë.

Në fillim, ishte një koncert në fund të vitit të kaluar, me këngë e valle serbe. Do të kishte qenë bukur që Jeremiç të kishte organizuar një të tillë për folklorin e gjithë Ballkanit. Njerëzit që u vranë me njëri-tjetrin në sytë e ushtarëve të OKB-së, do të ndanin të njëjtën skenë e do të këndonin e vallëzonin së bashku.

Po këto ide që lënë konfliktet pas janë përtej fantazisë së Jeremiçit, karriera e të cilit është vetëm një vazhdim me mjete të tjera i konflikteve të viteve 90.

Një nga këngët e repertorit të koncertit serb ishte “Marshi mbi Drin”, një himn tashmë famëkeq, nën tingujt e të cilit u bë masakra e Srebrenicës. Në atë kohë në vitin 1995, 8.000 boshnjakë të të gjitha moshave, u masakruan nën vështrimin e pafuqishëm e pa dinjitet të ushtarëve “paqeruajtës” të OKB-së. Kësaj here e njëjta këngë u këndua përpara syve të pafuqishëm dhe injorantë të zyrtarëve më të lartë të OKB-së. Amerikanët këtë e quajnë “t’i shtosh fyerje plagës”.

Pas reagimit të menjëherëshëm të boshnjakëve dhe jo vetëm prej tyre, gishti fajësues u drejtua nga Jeremiçi; ai kishte qenë ideatoi dhe organizatori. Diplomati serb kishte plot arsye për t’u jutifikuar dhe madje diplomatët ndonëse u dhanë të drejtë boshnjakëve, nuk nxituan ta kritikonin kreun e Asamblesë. Fundja aim und të mos e kishte ditur repertorin, apo mund të mos e kishte menduar efektin emocional të një kënge. Siç u justifikua edhe ai vetë, kjo ishte një këngë serbe nga Lufta e Parë Botërore.

Po kishte dy probleme me deklaratën e vonuar të Jeremiçit. Përveçse injoroi faktin që pavarësisht se kur ishte kompozuar kënga, ajo tashmë u përkiste viteve 90, në kujtesën popullore ballkanike, Jeremiçi në deklaratën e tij nuk tha një fjalë të vetme ngushëllimi apo simpatie për qindra mijëra viktimat e luftës në Bosnje. Asnjë fjalë mirëkuptimi për ata që u fyen nga kjo këngë, apo për ata që ende i kanë plagët e hapura. Asnjë shënim kalimthi për një tragje aq të madhe, për të cilën vendi i tij ka fajin kryesor.

Pas kësaj filloi një nismë për shkarkimin përpara kohe të tij nga posti i kryetarit të Asamblesë. Një nismë e tillë normalisht nuk të çon askund, po fakti që ajo u organizua përgënjeshtron pretendimin e tij se një epokë e re kishte filluar për Serbinë. Nëse kishte një epokë të tillë, kjo nuk ishte në sajë të Jeremiçit dhe ai sigurisht nuk ishte përfaqësues i saj. Qysh prej viteve 90 nuk kishte pasur kaq nervozizëm e mosbesim në korridoret e OKB-së për çështje të Ballkanit sesa në muajt jeremiçianë.

Në pranverën e këtij viti, ai organizoi aktivitetin e dytë të përfolur, atë që mund të ketë vrarë përfundimisht ëndrrën e tij për t’u zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së: organizimin e një forumi ndërkombëtar për të rishikuar punën e Gjykatës së Hagës për Krimet Kundër Njerëzimit në ish-Jugosllavi.

Debati për këtë gjykatë nuk do të kishte asgjë të keqe, por që nga fillimi i organizimit të tij u pa se synimi nuk ishte të ndihmohej drejtësia ndërkombëtare dhe të lehtësohej shpirti i familjarëve të viktimave të pafajshme, por për të rishkruar historinë dhe të mbuloheshin krimet serbe.

Siç e ka denoncuar publikisht edhe në atë kohë, Ambasadori ynë në OKB, Ferit Hoxha, si kurrë ndonjëherë u mbajtën të fshehtë deri vonë emrat e ekspertëve që do të flisnin në këtë forum. Ata u zgjodhën me kujdes që të ishin mes atyre kokrrave të pakta që kishin mbajtur qendrime pro-serbe e ishin shpërblyer për këtë me vizita luksoze e trajtim yjesh spektakli nga Beogradi i uritur për ndonjë fjalë të mirë nga ndonjë perëndimor, çfarëdo perëndimori.

Dëgjimi i pikëpamjeve të ndryshme ka rëndësi, pavarësisht nëse ato mbajnë anën serbe, por animi i gjithë debatit e kthimi i tij në propagandë shtetërore të një vendi të vetëm, është i papranueshëm. Kulmi arriti kur Jeremiçi refuzoi që t’i jepte fjalën Grupit të nënave të Srebrenicës, organizatës që më shumë se kushdo ka punuar për të vërtetën dhe kujtimin e viktimave të luftës në Ballkan.

Më kot u munduan diplomatë të njohur përfshi edhe ata perëndimorë për ta bindur Jeremiçin që të mos e kthente një mundësi të tillë në një farsë propagande. Ai refuzoi të ndryshonte e zgjeronte listën e folësve, refuzoi të njihte viktimat, refuzoi të hiqte Presidentin nacionalist të Serbisë, Tomislav Nikolic si folës kryesor, pavarësisht se vetëm pak javë më parë kishte mohuar masakrën e Srebrenicës, refuzoi të ndryshonte datën e aktivitetit që rastiste në të njëjtën ditë me krijimin e shtetit ustash të Kroacisë, etj.

Në fund, aktiviteti dështoi. Zyrtarët kryesorë që merren me çështjen e krimeve kryesore dhe drejtësisë ndërkombëtare munguan. Asnjë shtet tjetër përveç Serbisë nuk solli presidentin në këtë aktivitet. Në një masë ambasadorësh e zyrtarësh të ulët, prania e Nikoliçit thumbonte si përpjekje e dëshpëruar e Serbisë për t’i dhënë rëndësi një ngjarjeje që rëndësi nuk pati.

Refuzimi për të negociuar lidhur me organizimin e këtij aktiviteti vulosi bindjen te diplomacia e vendeve si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, të cilat kanë fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit se Vuk Jeremiç është i paaftë për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.

Kokëshkretë si gjithë udhëheqësit regresivë ballkanikë, ai dëmtoi shanset e veta. Për hir të një ambicje kohëshkurtër e mendjeshkurtër dëmtoi ambicjen e tij afatgjatë dhe më të rëndësishme. Po kjo është pak a shumë historia e diplomacisë serbe në këtë çerekshekullin e fundit.

Sot, kur fillon numërimi zbritës i ditëve të tij si kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ai fillon t’i zbresë shkallët pa duartrokitjen dhe rrahjen e shpatullave nga njerëzit e rajoni që përfaqësonte, pa mirënjohjen dhe falenderimin qoftë edhe formal që fiton një diplomat i këtij rangu.

Ndërsa OKB-ja është e famshme apo famëkeqe për mbylljen shpesh të syve ndaj imoralitetit të historisë, për shmangie të përgjegjësive apo veprime të pafuqishme, meriton të përshëndetet Shqipëria dhe Ambasadori i saj në OKB, që refuzuan që për hir të politesës së shtirur të çoheshin në këmbë për të nderuar një njeri që në pak muaj kishte bërë çmos për të dëmtuar paqen dhe progresin e arritur me aq vështirësi dhe vuajtje në Ballkan.

Këto 25 vite kanë qenë edhe 25 vite naiviteti e përpjekjeje për ta justifikuar Serbinë për sjelljen e saj. Jeremiç si rrallëkush është falur e stërfalur për shqelmat e tij antidiplomatike si në Beograd ashtu edhe në New York. Nëse Jeremiç nuk pranoi të ndryshonte asgjë nga planet e tij megjithë këshillat dashamirëse të kolegëve të tij, Ambasadori Hoxha refuzoi deri në fund të pranonte një lavdërim të pamerituar për kolegun ballkanik.

“Nuk mund me ndërgjegje, jo vetëm si shqiptar po si diplomat e njeri të nënshkruaja atë deklaratë”, tha ai.

Deklarata thuhet se është rikthyer disa herë me tekste kompromisi, por ishte e pamundur të gjendej një gjuhë që shprehte vullnetin e një grupi të zhgënjyer nga përfaqësuesi që u kishin veshur.

Në fund, heshtja shoqëroi fillimin e zbritjes së shkallëve të Jeremiçit. Një heshtje që ndoshta mund të mos rëndojë në ndërgjegjen e tij të sëmurë nga nacionalizmi serb, për që oshëtin më shumë se çdo britmë në atë mjedis ku simbolikat janë të rëndësishme.

Diplomati serb që mesiguri do të kthehet në vjeshtë në Beograd për ta dëmtuar që aty paqen në Ballkan, mund ta shpërfillë sa të dojë refuzimin e grupit të Europës Lindore për ta falenderuar publikisht, po ai sikurse dhe ata që punojnë e jetojnë në OKB e dinë se në çastin e zgjedhjes së kryetarit të ri, pati një moment aty në sallën gjigande, ku pritej falenderimi formal tradicional, ku pritej respektimi i radhës dhe ku në fakt nuk lëvizi askush. Nuk foli askush. Qoftë edhe për një fraksion momenti ajo heshtje ka qenë shurdhuese edhe për veshët më të pandjeshëm. Qoftë edhe për një moment Jeremiçi ka dashur të mos ishte aty.

Ndërsa diplomatët e angazhuar në OKB nuk duan të flasin për këto akte simbolike që lexohen zakonisht vetëm nga diplomacitë e përfshira, “Illyria” respektoi dëshirën e Ambasadorit Hoxha për të mos e bërë publike kontributin e tij në këtë rast. Po nga rrjetet sociale në median e disa vendeve të rajonit, kjo ngjarje sfiduese ndaj Jeremiçit e bëri të panevojshme vetëpërmbajtjen tonë.

Në fund duhet kujtuar se Asambleja e Përgjithshme ka pasur lloj lloj kryetarësh. Herën e fundit kur radhën e kishte Amerika Latine, në krye të saj u zgjodh një politikan që ishte edhe prift edhe leninist e që shfrynte kundër Amerikës më shumë se kundër djallit e mbase i njësonte të dyja. Krahasuar me disa nga këta, në cirkun e diplomacisë botërore, Jeremiçi nuk ishte ndonjë kuriozitet shumë i madh. Për tre muaj nuk do të jetë më aty. Jepi edhe tre muaj të tjerë dhe do të harrojmë fare që e kishim këtu kaq afër për një vit të tërë.