Shpërthim jashtë aeroportit të Kabulit, raportohet për së paku 13 të vdekur

Kabul, 26 gusht 2021 – Të paktën 13 persona janë vrarë në shpërthimin që ka ndodhur të enjten jashtë Aeroportit të Kabulit, raportoi Rojters, duke iu referuar zyrtarëve talibanë.

Në mesin e të viktimave raportohet se ka edhe fëmijë.

Ende nuk dihet numri i të plagosurve, por sipas raportimeve, nëmesin e të plagosurve ka edhe ushtarë amerikanë dhe talibanë që po ruajnë rreth aeroportit.

Një afgan që ishte dëshmitar i ngjarjes ka treguar se shpërthimika ndodhur  në njërën nga hyrjet e aeroportit. Adam Khan ka thënë se ai ishte rreth 30 metra larg vendit të shpërthimit. Ai ka thënë se pas shpërthimit i ka parë disa persona të vrarë apo të plagosur. Po ashtu ka thënë se ka parë disa njerëz që i kishin humbur edhe gjymtyrët.

Sipas zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shpërthimi që ka ndodhur jashtë aeroportit të Kabulit, në njërën nga hyrjet kryesore,duket të ketë qenë sulm vetëvrasës, raporton CNN.

Ushtria amerikane konfirmoi se një shpërthim ka ndodhur jashtë aeroportit të Kabulit në Afganistan.

“Ne mund të konfirmojmë një shpërthim jashtë aeroportit të Kabulit. Ende nuk dihet për viktima të mundshme. Kur të mundemi do të ofrojmë informacione shtesë”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Agjencia Reuters citon një zyrtar amerikan të ketë thënë se sipas një raporti fillestar shpërthimi është shkaktuar nga një sulmues vetëvrasës.

Presidenti amerikan, Joe Biden është informuar për incidentin, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Më herët, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore i paralajmëruan qytetarët e tyre që të largohen menjëherë nga zonat përreth aeroportit të Kabulit, për shkak të kërcënimeve për një sulm terrorist.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kabul i këshilloi qytetarët amerikanë që të shmangin udhëtimin në aeroport dhe tha se ata që tashmë janë në portat e tij, duhet të largohen menjëherë, për shkak të “kërcënimeve të sigurisë”.

Mijëra njerëz janë ende duke pritur brenda dhe jashtë aeroportit, me shpresën se do të mund të largohen.

Më shumë se 82,000 njerëz janë nxjerrë tashmë me aeroplanë nga Kabuli, i cili ka rënë në duart e talibanëve më 15 gusht.

Vendet po nxitojnë t’i evakuojnë njerëzit deri më 31 gusht, kur skadon afati i caktuar në marrëveshjen për tërheqjen e forcave ndërkombëtare nga Afganistani.

Talibanët, të cilët e kanë marrë kontrollin mbi vendin, e kanë përjashtuar mundësinë e zgjatjes së këtij afati.

(r.m.)