Shpëtoni  afreskun e  Kostandin Shpatarakut

Qerim Vrioni

Fjala është për pikturën murore të ikonografit dhe piktorit Kostandin Shpataraku. e cila ndodhet ndodhet në Kishën e “Shën Marenës” së Llëngës (fshat në rrethin e Pogradecit, krahina e Mokrës), brenda Manastirit me të njëjtin emër.  Në botime të ndryshme dhe në shtyp ajo titullohet me të paktën tri emërtime: ”Përmbytja e madhe”, “Apokalipsi” dhe “Gjyqi i fundit”. Fshati Llëngë ndodhet mbi rrjedhën e sipërme të lumit Shkumbin, në kufi me krahinën e Shpatit (Elbasan) dhe të Vërçës (Gramsh). Manastiri sot është pjesë e njësisë administrative Trebinjë. Ky Manastir është miratuar si “Monument Kulture” (Arkitekturë) nga Instituti i Shkencave të Shqipërisë me vendim Nr. 95, datë 16.10.1948, veçse kurkund nuk dallohet cilësimi i mësipërmë shtuar me “Mbrohet nga Shteti” në ndonjë pllakë betoni.

Manastiri i Shën Marenës së Llëngës, ndodhet në veri-perëndim të fshatit nga ka marrë emrin dhe shtrihet në një zabel me gjelbërim të dëndur ashtu si e gjithë zona përreth. Ai është quajtur “Manastiri i Shën Marenës” për nder të shenjtores çudibërëse Marena, vajzë e re e cila, sipas legjendës, ka ardhur aty  nga Azia e Vogël. Besohet se Shën Marena  i përkiste besimtarëve eremitë. Manastiri i Shën Marenës përbëhet nga kisha, konakët, najazma dhe shpella e Shën Marenës.

     Kisha është një ndërtesë e vogël, e bardhë dhe njënefshe dhe me një kambanore me dy kambana. Sipas studiuesit Theofan Popa, “ndërtimi dhe pikturimi i kishës është bërë me shpenzimet  e banorëve, esnafëve, mjeshtrave rrobaqepës, kasapëve të qytetit të Llëngës dhe përfunduar më 2 tetor 1754” (Theofan Popa-“Mbishkrime të Kishave në Shqipëri”, Tiranë, 1998, f.63).   Konakët, një ndërtesë dykatshe, ku jetonin murgjit dhe qëndronin bujtësit  gjatë pelegrinazheve të përvitshme, gjendet  në pikë të halli, pa dritare, dyer etj. Konakët, para viteve ’90, kanë shërbyer edhe si repart ushtarak dhe zyra të ndërmarrjes pyjore rajonale, prandaj çatia është e mbuluar me fleta llamarine të kuqe dhe të bardha, shumë larg ndërtimit zanafillor tradicional me pllaka guri. Najazma është burimi vogël natyror, ku thuhej se lahej Shën Marena, gjithashtu pa kujdesin e duhur, po ashtu edhe shpella e Shën Marenës rreth 180 metra e gjatë.

     Kostandin Shpataraku

     Siç e cilëson mbiemri, ishte nga krahina e Shpatit (rrethi i Elbasanit), e njohur edhe për qëndresën ndaj asimilimit fetar islam, gjatë pushtimit pesëshekullor. Madje ata “gjatë sundimit osman mbanin dy emra. “i madhi”-i krishterë, dhe “i vogli”-mysliman” (Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 2009, vëll.3, f.2522). Thuhet se atje, 200-300 vite më parë çdo fshat kishte pesë kisha. Madje, Shpati (ose Ispatia siç quhej herët) rreth shekullit XIV, ka qenë edhe Peshkopatë njëkohësisht me Beratin.

  . Theofan Popa, studiuesi i njohur i Mesjetës, shkruan për piktorin e afreskut se “Kostandin Shpataraku ishte mjeshtri më i madh ikonograf” (Theofan Popa-Piktorët mesjetarë shqiptarë, Tiranë, 1961, f.72). Pak më poshtë shton se “ai i nënshkruante ikonat ”Dora e hierodiakon Kostandinit prej Shpati” (Theofan Popa-libri i cituar, po ajo faqe). Për përvetësimin e mjeshtërisë së pikturimit nga Shpataraku, studiuesi Popa, shënon :” Mbas mësimeve të para në vendin e tij nga mjeshtrit vendas. Kostandin Shpataraku, mjeshtërinë e tij duhet ta ketë perfeksionue në këto monastire të Athosit” (Greqi-shën.im) (Theofan Popa-libër i sipërcituar, f.75). Kjo ishte fare e natyrshme për kohën; në Manastiret e malit Athos, mblidheshin besimtarë nga i gjithë Ballkani.

    Hapësira e zonave ku krijoi Shpataraku është e gjerë, ajo zgjerohet deri në Ardenicë (Lushnjë), Berat, Elbasan dhe Pogradec.

     Studiuesi Moikom Zeqo, shkruan për të se “Shpataraku ka krijuar shumë ikona, ato të vitit 1736 e tregojnë një artist plotësisht të pjekur dhe me përvojë, pra mund të mendojmë se atëherë ishte në moshë 20-30 vjeçare”  (Moikom Zeqo-“Gjeniu më shqiptar i ikonografisë-Kostandin Shpataraku“, gazeta “Koha Jonë“, 26 maj 2006). Pra, i bie, me një llogaritje të thjeshtë, të jetë lindur midis viteve 1705 dhe 1715. Duke vazhduar përllogaritjet, del se afreskun ai e pikturoi në moshën rreth 40-50 vjeçare, pra “burrë në moshë“. Gjithmonë, nëse mendojmë se afresku është pikturuar në vitin e ndërtimit të Kishës së Shën Marenës, që siç është shënuar në mbishkrimi brenda saj, 1754. Për vitin e fundit të jetës së Shpatarakut, të gjitha të dhënat, nga libra dhe shtypi, janë të mendjeje, moti pas Krishtit, 1767. Sipas gojëdhënavemësohet se ai, për veprimtarinë e tij, ishte dënuar me vdekje nga pushtuesit dhe i u pre koka.

     Për të nderuar kujtimin e piktorit dhe ikonografit Kostandin Shpataraku, gjimnazi i Gjinarit, qendrës së komunës omonime, mban emrin e tij, po ashtu edhe një rrugë në Tiranë. Gjithashtu, njëra nga  dy sallat ceremoniale në Muzeun Historik Kombëtar quhet “Salla Kostandin Shpataraku”.

      Piktura murore

     Një muaj më parë, në shtator, vizitova bashke me studiuesin Genc Hoti, Manastirin e “Shën Marenës” në Llëngë të Mokrës (Pogradec). Qëllimi i shkuarjes ishte kqyrja dhe fotografimi i afreskut “Apokalipsi”, i cili ndodhet në Kishën e Shën Marenës, brenda manastirit.

     Afresku, pra piktura murore, ndodhet sapo futesh në kishë në murin e  majtë, fill pas derës. Ai ka përmasa 240×130 cm. Në të ka vërtetë skena apokaliptike, njerëz që po mbyten, të tjerë, që duan të shpëtojnë me çfardo mjeti, madje edhe duke u tërhequar pas bishtit të një kali, por edhe kafshë në përpjekjet e skajshme për mbijetesë. Të gjitha figurat e njerëzve aty janë nudo, normale për skena apokaliptike, veçse ka dy fragmente ndryshe. Në to paraqiten femra, gjithashtu nudo, duke u larë dhe krehur flokët, çka mendojmë se nuk mund të ndodhi gjatë një fatkeqësie natyrore. Në anën e majtë, djathtas lartë, shihet një varkë e brenda saj një shtëpi e madhe me çati. Sipër saj shkruhet një fjalë, në greqisht, e cila përkthehet “Arka”, që paraqet atë legjendare të Noes. Mbi fjalën “Arka” ndodhet një fjalë tjetër që përkthehet “Kataklizmo”, pra “Apokalips”. Gjithsesi, varka dhe fjalët sipër saj hapin mjaft diskutime, çka nuk janë objekt i këtij shkrimi.

    .Sipas studiuesit të njohur Ylli Drishti, “…afresku përfaqëson  një nga skenat më të bukura me këtë temë të artit pasbizantin në Shqipëri” (Ylli Drishti-Kostandin Shpataraku, Tiranë, 1992, f.37). Në këtë pikturë murore nuk dallohet asnjë shenjë krishtërimi, si kryqi, Jezusi, Shën Maria ose engjëj, disi e pazakontë për një objekt kulti. Kjo e bën edhe më tërheqëse e mbresëlënëse afreskun e Shpatarakut. Afresku nuk ka të shënuar brenda tij ndonjë emër autori, por studiuesit Drishti dhe Zeqo ia atribuojnë me shumë argumente pikturën murore ikonografit Kostandin Shpataraku. Po ashtu, autorësia e tij shënohet edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, ku shkruhet se: “Kostandin Shpataraku ka punuar afreske në Kishën e Manastirit të Shën Marenë në Llëngë të Pgradecit” (Fjalori Enciklopedik….vepër e cituar, f.2522).

     Piktura murore sot

      Sapo hedh shikimin e shumëpritur mbi pikturën murore, atë ta vret një njollë  e çrregullt me ngjyrë të bardhë vertikale në anën e majtë të shikuesit, që ka fshirë mjaft nga subjekti i saj. Pak më majtas shihen edhe dy njolla të tjera të bardha, më të vogla se e para. Për keqësimin në vazhdim të gjendjes së afreskut të Shpatarakut, flet krahasimi i dy fotove të të njëjtit fragment  të pikturës. E para e vitit 1990  e fotografit të njohur Zamir Marika (Y. Drishti, libër i cituar, f.150) dhe asaj të autorit të këtyre rreshtave, të shtatorit 2022 (fragmenyi ze afërsisht gjysmën e afreskut). Brenda 30 viteve, njolla është zmadhuar dukshëm dhe më vonë mund të mbulojë fare afreskun. E, nëse ndodh kjo, regjistrohet një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme e kulturës shqiptare, krahas mjaft të tjerave të arshivuara kohëve të fundit.  Kam bindjen se, jo më një vend europiano-qendror, por as edhe ballkanik, nuk do ta lejonte këtë gjendje të një vepre arti rreth 270 vjeçare.  

   Sipas priftit të rradhës (janë tre të tillë që kujdesen për Manastirin me një shpërblim monetar tepër qesharak nga Metropolia e Korçës), restaurimi i fundit i afreskut të Shpatarkut daton vitin 1961, pra rreth 60 vjet më parë.

   Nga shtypi mësohet se kontrolli i fundit në Manastirin e Shën Marenës nga Drejtoria Rajonale e Trashgimisë Kulturore të Korçës është kryer në vitin 2019, veçse gjithçka pas tij, është përmbledhur në konstatime dhe pas atyre  nuk ka asnjë veprim përmirësues. Duket se Manastiri ka varësi dyfishe, nga Metropolia e Korçës dhe Ministria e Kulturës, çka nuk favorizon ruajtjen dhe kthimin e tij në një vend tërheqës për turizmin kulturor, aq i vyer për imazhin e vendit dhe fitimprurës për buxhetin e shtetit.

    Tek e fundit, një qytetari nuk i intereson fare nëse Manastiri është varësi e Kishës Ortodokse Shqiptare apo e Ministrisë së Kulturës. Ai dëshiron që kjo pikturë murore  të restaurohet dhe të bëhet e shikueshme nga publiku vendas dhe i huaj. Duhet shtuar edhe se, objekt tjetër interesant brenda manastirit janë edhe “konakët’, që mund të kthehet në një hotel të këndshëm për vizitorët.

    Në zonat përreth janë ndërtuar disa hidrocentrale të vegjë malorë dhe, për të transportuar makineritë, janë çelur rrugë të reja për lëvizjen e automjeteve. Nuk janë rrugë të asfaltuara, por të qarkullueshme. Kështu mund të ndërtohet fillimisht edhe rruga që të lidhi Manastirin e Shën Marenës me pjesën tjetër të vendit, nëpërmjet asaj Qukës-Pogradec. Mandej ajo mund të asfaltohet duke e ”afruar” kështu Manastirin me të gjitha qytetet e vendit, por edhe me botën jashtë. Atëherë ky objekt kulti, do të kthehej në një vend me vlera të veçanta të trashgimisë sonë kulturore.

(Qerim Vrioni)