Shqip, drejtshkrimi i gjuhës tonë

Eroll Sejdiu
 
Drejtshkrimi i gjuhës shqipe karakterizohet nga ajo që quhet normë, domethënë zgjidhja apo varianti që është pranuar dhe përdoret nga shumica e folësve të gjuhës shqipe.
 
Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe mbështeten në disa parime:
 
1. PARIMI FONETIK është parimi themelor i drejtshkrimit. Sipas këtij parimi fjalët dhe pjesët e tyre të kuptimshme shkruhen ashtu siç shqiptohen në ligjërimin letrar. Për shembull, shqiptohet ‘lumë’, dhe shkruhet ‘lumë’ etj.
Meqenëse parimi fonetik është parimi kryesor i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, atëherë edhe shkrimi i shqipes përvetësohet me lehtësi.
 
Së pari, gjuha e shkruar e periudhës së Rilindjes Kombëtare u mbështet kryesisht në ligjërimin popullor dhe jo në traditën shkrimore të së kaluarës.
 
Së dyti, për këtë ndihmoi edhe sistemi grafik i shqipes, sidomos Alfabeti i Stambollit, ku çdo tingull paraqitet me një shkronjë. Kjo bëri që të pasqyrohet me besnikëri ana tingullore e gjuhës shqipe.
 
Së treti, përbërja fonematike e dy dialekteve të shqipes ishte e afërt, ndaj dhe njësimi i shkrimit mund të realizohej mbi bazën e parimit fonetik.
Zbatimi i parimit fonetik në rregullat e drejtshkrimit ka një bazë mjaft të gjerë. Kjo duket në disa fakte:
 
a) Në lakimin e emrave dhe të mbiemrave që dalin me fundoret -ël, -ër, -ërr etj., si: dim/ër,-ri, i vog/ël,-i etj.
 
b) Në shkrimin e ë-së dy rrokje larg theksit, si: i sigurt, i hekurt, i nesërm etj.
 
c) Në variantet e nistoreve: sh / zh / ç, si: shpyllëzoj, zhvendos, çliroj etj.
 
ç) Në variantet: s / z (skuq, zverdh).
 
d) Në fjalët e prejardhura, si: i sotëm – e sotme, pjesë – i pjesshëm etj.
 
dh) Në drejtshkrimin e disa fjalëve të përbëra e të përngjitura, si: gjithçka, kurrfarë, bashkautor, kokulur etj.
 
2. PARIMI MORFOLOGJIK kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore që shkaktohen prej ligjeve fonetike që veprojnë sot në gjuhën tonë. Ky parim ndihmon për të ruajtur sa më të qartë strukturën e fjalëve dhe njësitë e trajtave të tyre. Për shembull: pjesë – pjësëtoj – pjesëtim; copë – copëtoj – copëtim etj.
 
Ky parim zbatohet në mjaft raste të drejtshkrimit, si:
 
a) Në drejtshkrimin e bashkëtingëlloreve të zëshme në fund të fjalës, si: vend, mend, pëllumb, breg etj.
 
b) Në drejtshkrimin e mbiemrave me prapashtesën -shëm dhe të trajtave të mënyrës dëshirore ku sh-ja takohet me t-në, si: i përditshëm, i lezetshëm, në arritsha, mbetsha etj.
 
c) Në lakimin e emrave që bëjnë shumësin me -ë (fshatarë, fshatarësh).
 
ç) Në drejtshkrimin e prapashtesës -ës (blerës, blerësi, blerësit etj.).
 
d) Në drejtshkrimin e fjalëve të përbëra: gojëmjaltë, pjesëmarrje, vetëshërbim etj.
 
3. PARIMI HISTORIK ose TRADICIONAL ku merret parasysh tradita shkrimore. Ky parim kërkon që fjalët të shkruhen siç shkruheshin dikur sipas traditës. Parimi historik ose tradicional zbatohet:
 
a) Te fjalët: këqyr, bërryl, gërryej, kërrusem, kërrabë etj.
 
b) Tek emrat mashkullorë me -ë fundore, si: kalë, burrë, ballë, brumë, dyllë, drithë etj.
 
c) Te fjalët: shlyej, shmang, shndrit, shndërroj etj.
 
ç) Te fjalët me prejardhje të huaj, si: diagonale, miliard, funksion, leksion, akool, koordinatë etj.
 
Veç këtyre, në drejtshkrimin e shqipes zbatohen edhe parime të tjera, si: parimi leksiko – semantik e fjalëformues (për shkrimin e fjalëve njësh, ndaras ose me vizë lidhëse në mes), parimi semantik (për përdorimin e shkronjave të mëdha etj.).