SHQIPËRI-KOSOVË, PSE KAQ DALLIME TË MËDHA?!

Emin AZEMI

Në Shqipëri, të jesh nacionalist shqiptar konsiderohet primitivizëm, mungesë sensi për të bashkëjetuar me kultura tjera dhe njëfarë foklorizmi patetik i njerëzve të mbyllur në gëzhojën nacionale, ndërkohë që në Kosovë nacionalizmi merret si mburojë ndaj asimilimit që vjen nga të huajt dhe nga dashuria ndaj gjuhës, vendit dhe kombit, si një terapi që kuron ndjenjat e ngatërruara në mes të kosmopolitizmit dhe bashkëpunimit kulturor me të tjerët dhe, mbi të gjitha, si një mekanizëm për mbrojtjen e shtetit dhe kombit nga kërcënimet e jashtme të çfarëdo natyre qofshin.

 

Ivo Andriqi në Shqipëri perceptohet si nobelist i shquar, si shkrimtar i madh që i kalon kufijtë e famës ballkanike, ndërkohë që në Kosovë mbahet në mend si autor i një elabororati për shfarosjen e shqiptarëve, nga i cili ai nuk është distancuar snjëherë.

Peter Handke në Shqipëri përkthehet dhe trajtohet si shkrimtar me vlera kulmore letrare e estetike, por në Kosovë ai njihet si një mbështetës i politikave gjenocidale të Millosheviqit.

Në Shqipëri, Beogradi përfytyrohet si një metropol i hapur, kozmopolit, ku kulturat dhe gjuhët mund të bashkëjetojnë, kurse në Kosovë ky qytet asocon në një referencë koloniale që ngjall kujtime të hidhura te shqiptarët, një qytet që është sinonim i shfrytëzimit ekonomik të Kosovës – “Трепча ради, Београд се гради” (“Trepça punon, Beogradi ndërton”), një qytet që me dekada kishte qenë qendra e vendimmarrjeve politike kundër shqiptarëve dhe Kosovës.

Në qarqet e caktuara politike e gazetareske të Tiranës, Presidenti serb, Vuçiqi, perceptohet si një politikan normal, me të cilin mund të arrihen marrëveshje të mira që janë në favor të rajonit, ndërkohë që në Kosovë ky është politikani më kontraverz që vjen nga trashëgimia politike e nacionalizmit serb, i cili ende nuk ka kërkuar falje për krimet e pararendësve të tij ndaj shqiptarëve dhe një politikan që punon ditë e natë kundër interesave të Kosovës.

Tash së fundmi në Shqipëri konsiderohet normale që këngëtari serb Goran Bregoviq të performojë në Korçë, sepse ai është një rok-star me vlera të pranuara muzikore edhe përtej Ballkanit, ndërkohë që jashtë Shqipërisë, Bregoviqi është sinonim i një kulture që ka qenë transmision i politikave ekspansioniste serbe, një oportunist që asnjëherë nuk ka i gjykuar veprimet kriminale të forcave serbe në Bosnjë e në Kosovë.

Në Shqipëri, të jesh nacionalist shqiptar konsiderohet primitivizëm, mungesë sensi për të bashkëjetuar me kultura tjera dhe njëfarë foklorizmi patetik i njerëzve të mbyllur në gëzhojën nacionale, ndërkohë që në Kosovë nacionalizmi merret si mburojë ndaj asimilimit që vjen nga të huajt dhe nga dashuria ndaj gjuhës, vendit dhe kombit, si një terapi që kuron ndjenjat e ngatërruara në mes të kosmopolitizmit dhe bashkëpunimit kulturor me të tjerët dhe, mbi të gjitha, si një mekanizëm për mbrojtjen e shtetit dhe kombit nga kërcënimet e jashtme të çfarëdo natyre qofshin.

Mund të numërohen edhe disa kontradikta që e përshkojnë botën shqiptare, sidomos ato që kanë të bëjnë me qëndrimin ndryshe të Shqipërisë dhe Kosovës ndaj serbëve.

Këto kontradikta i kanë rrënjët më thellë në histori, kurse gjenerata e më të moshuarve që e mbajnë mend LDB edhe sot rrëfejnë për internacionalizmin e brigadave partizane shqiptare, të cilat, kur kalonin nëpër viset shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore dhe Veriperëndimore, kujdeseshin shumë që partizanët serbë e malazezë të mos fyheshin nga shqiptarët, pas masakrave që ishin  bërë mbi ta nga aradhet çetniko-partizane. Ka pasur edhe episode të pakëndshme, siç rrëfejnë dëshmitarët e asaj kohe, që ndonjë komesar apo komandant togu nga Shqipëria të kërcënojë me revole në kokë ndonjë shqiptarë të Kosovës apo të Maqedonisë Perëndimore, duke i quajtur “derra kosovarë”, sepse ishin treguar të pasjellshëm dhe jomikpritës ndaj çetnikëve që ishin shndërruar në partizanë.

Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është një proces i pandalshëm, por, para se të ndodhë kjo, ka nevojë për një proces tjetër paralel që do të rrafshonte dallimet dhe kontradiktat në mes shqiptarëve në të dy anët e Drinit.

Këto dallime mund t’i eliminojnë politikanët, gazetarët, sportistët, akademikët, tregtarët, por me një kusht që sensibilitetet e shqiptarëve të mos jenë kaq kundërshtuese me njëra tjetrën, sepse mund të fitohet përshtypja e gabuar sikur kemi të bëjmë jo me një komb, por me dy kombe, një teori kjo aq shumë e parapëlqyer nga qarqe të caktuara brenda dhe jashtë botës shqiptare.

Për t’u bërë një komb i vetëm, nevojitet një shtet për shqiptarët që aktualisht jetojnë në disa shtete. Por, kjo nuk mund të jetë arsye që shqiptarët të jenë kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri, sidomos sa i përket korpusit tematik të çështjeve kombëtare që ndërlidhen me etninë, gjuhën, kulturën, etj.

Ka plot kombe në botë që jetojnë të shpërndara nëpër meridiane të ndryshme të globit, por nuk mund të gjesh, bie fjala, dy hebrenj në krejt rruzullin tokësor të kenë qëndrime të kundërta mbi holokaustin. Nuk mund të gjesh shumë dallime në Serbi sa i përket qasjes ndaj shqiptarëve, ashtu siç nuk mund të hasësh në maqedonas që me dëshirë vizitohet tek një stomaltolg shqiptar, që hip në taksinë e një shqiptari , që i pret flokët tek një berber shqiptar.

Ndoshta psikologët do të duhej të merreshin më shumë me këto tema, për arsye se këtu kemi të bëjmë me skema  mentale e psikologjike të njerëzve, të cilat, përpos që funksionojnë sipas rrethanave e konteksteve të ndryshme, në të njëjtën kohë të habisin me absurditete që përmbajnë në vetvete e që nuk të japin të njëjtin rezultat në algoritmin e madh psiko-social të popujve.

Hapja e shqiptarëve ndaj të tjerëve jo gjithmonë është bërë në funksion të ndonjë kauze të madhe civilizuese. Kjo hapje më tepër ka pasur për bazë naivitetin, inferioritetin ndaj të tjerëve ose mbivlerësimin e të tjerëve. Kur ndodhin këto të tria – naiviteti, inferioriteti, dhe mbivlerësimi i të tjerëve, pushon së rrahuri ora që e mat kohën sipas kohës lokale. Atëherë të gjithë ne bëhemi peng të një ore që gabimisht e mat kohën tonë.

Comment

*