Shqipëri: Opozita kërkon një paketë të re ndihme për qytetarët

Tiranë, 16 qershor 2022 – Në Tiranë, opozita i bëri thirrje qeverisë të rishikojë buxhetin e shtetit dhe të sjellë një paketë të re ndihme për qytetarët, që po përballen me çmimet përherë në rritje.

Gjatë një debati në Kuvend mbi ekonominë, deputetë të opozitës pohuan se një pjesë e madhe e Prodhimit të Brendshëm Bruto po financon koncensione dhe Projekte Publik-Privat, ndërsa qeveria rrit borxhet, por nuk ndihmon qytetarët përballë krizës së tregjeve.

Deputetët e opozitës pohuan sot në parlament se Shqipëria është vendi me borxhin publik më të lartë në rajon, por qeveria nuk kujdeset sa duhet për këtë. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha se ekonomia nuk ka një rritje me bazë të gjerë, bujqësia është në vështirësi, por rritje ka vetëm sektori i ndërtimit, ku ka dyshime për pastrim parash.

Ajo theksoi se ndërsa qeveria gjendet përballë arbitrazheve me qindra milionë euro, situata e rëndë ekonomike ka rritur ndjeshëm inflacionin, dhe qytetarët gjenden përballë çmimeve të papërballueshme sot, dhe që pritet të jenë në rritje të vazhdueshme, ndërsa borxhi publik ka shkuar me 3 shifra.

“Sipas përllogaritjes rezulton se norma e inflacionit vetëm tek familjet e varfëra është rritur me një për qind në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke ndikuar në zvogëlimin e atyre pak të ardhurave, 5 dollarë në ditë që kanë familjet shqiptare. Megjithë paralajmërimet e ndryshme të FMN-së në lidhje me shpenzimet e qeverisë dhe borxhet e marra prej saj, unë duhet të theksoj këshillën e vazhdueshme për të hequr dorë nga projektet me risk të lartë si PPP-të, nga borxhi i fshehur, nga detyrimet e prapambetura, nga kostot e arbitrazhit” – tha zonja Tabaku.

Por kryeministri Rama tha se qeveria rriti më shumë se dyfish numrin e punëtorëve të regjistruar në sektorin privat, nga 349 në 707 mijë persona. Ai hodhi poshtë si të pavërteta deklaratat e opozitës për fatura të arbirtrazheve ndërkombëtare deri në 385 milionë euro, kur nuk është paguar asnjë euro, dhe se borxhi publik është mbi 100 për qind.

“Nuk jemi ne që e themi, është Banka e Shqipërisë që thotë se borxhi publik, 76.1 %. Ju thoni është treshifror. Kreditë e këqija në sistemin bankar sot janë rreth 5 përqind në krahasim me 24%, që e gjeti qeveria socialiste” – tha zoti Rama.

Por deputetja e opozitës, Jorida Tabaku, tha se përkundër punësimit që përmend qeveria, janë një numër i madh të rinjsh që po emigrojnë nga papunësia. Ndërsa qeveria ka sjellë një projekt-ligj për amnisti fiskale, që do të shtojë rrezikun për pastrim parash dhe do të nxjerrë probleme në kriteret e procesit të integrimit europian. Zonja Tabaku theksoi se sot afro 50 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto është i angazhuar me financimin e koncensioneve dhe PPP-ve.

Qeveria, sipas saj, duhet të sillte një paketë të re lehtësimesh për qytetarët dhe një rishikim të buxhetit, por ajo nuk i sheh problemet nga këndvështrimi i qytetarëve.

“Taksat ngrihen në nivelin 3.2 milardë euro në 8 vite, që dëmtojnë më shumë punën dhe jo kapitalin, një qeveri që e urren punën dhe vetëm takson punën. Por gjithsesi mendoj se duhej të kishte ndryshuar disa prioritete si nga politika fiskale ashtu edhe nga shpërndarja e të ardhurave, por edhe nga borxhi publik, duke patur parasysh një herë të vetme interesin e qytetarëve” – thotë zonja Tabaku.

Kryeministri Rama tha se vështirësitë kanë ardhur prej luftës në Ukrainë dhe lëkundjeve të jashtëzakonshme në tregjet ndërkombëtare. Ai hodhi poshtë komentin e opozitës se qeveria takson punën më shumë se sa kapitalin, madje në nivelin më të lartë në rajon.

“Puna në Shqipëri taksohet më pak se në të gjithë rajonin dhe shkon në maksimumin 5.5%, në maksimun ashtu sikundër Shqipëria ka padiskutim taksat më të ulëta në rajon. Ky është fakt. Nuk ka në rajon biznes të vogël me zero taksë, nuk ka në rajon biznes të vogël me zero tvsh nuk ka në rajon, taksë zero për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra në këtë rast”.

Një seri protestash nisën 3 muaj më parë kundër spekullimeve në tregje dhe rritjes së shpejtë të çmimeve në ushqime dhe karburante, menjëherë pas agresionit rus mbi Ukrainën. Protestat u fashitën kur qeveria ngriti borde për të kontroluar çmimet dhe aktivitetin tregtar, por çmimet nuk u ulën dhe mbrëmë rinisi një protestë e ngjashme për çmimet

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)