Shqipëria dhe Kosova punojnë për një axhendë të përbashkët në OKB

Prishtinë, 5 prill 2022 – Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës e ka pritur sot në takim një delegacion të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Kryetari i komisionit, Haki Abazi, tha se në takim kanë diskutuar lidhur me bashkërendimin e agjendës së përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, anëtare e përkohshme e të cilit është Shqipëria.

“I gjithë bashkëbisedimi ynë u fokusua në mundësinë dhe potencialin e bashkëveprimit dhe bashkërendimit të punëve tona në drejtim të Kombeve të Bashkuara, aty ku Shqipëria tani më është anëtare e Këshillit të Sigurimit. Sigurisht është një listë e gjatë e veprimeve që kanë ndodhur dhe janë duke ndodhur, por është një moment intensifikimi sidomos drejtë institucioneve ndërkombëtare”, ka thënë ai.

“Nuk jemi këtu për të rritur shpresat në kuptimin e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Ne e dime mirë se ky është një proces i gjatë dhe i vështirë. Por, rrethanat në të cilat jemi mundësojnë një bashkëveprim më të madh të dy shteteve në këtë drejtim”, ka shtuar Abazi.

Përfaqësuesi i Ministrisë për Evropan dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gazmend Turdiu, ka thënë se dy shtetet duhet të bashkëpunojnë ngushtë dhe të shtyjnë përpara axhendat e përnashkëta. Ai ka theksuar se konsolidimi i pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës është me interes për sigurinë dhe stabilitetin e mbarë rajonit.

“Ne shkëmbyem me shumë kënaqësi në mënyrë të hapur, vëllazërore dhe miqësore mendimet tona dhe biseduam si mund të bashkërendojmë për të shtyrë përpara në organizata ndërkombëtare, përfshirë në Këshillin e Sigurimit agjendat tona të përbashkëta”, ka deklaruar Turdiu.

“Ne jemi të interesuar për të kontribuar për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, natyrisht çështja e konsolidimit të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës është një gjë madhore dhe ndikim pozitiv në sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit:,  ka theksuar ai.

(r.m.)

Comment

*