Shqipëria do presë 20 mijë afganë?

Nuk dihet sa e vërtetë është por deklarata u bë sot nga Hamed Ahmadi, kuzhinier, restaurator dhe themelues i zinxhirit Orient Experience në Venecia, i cili kishte dalë në aeroportin e Romës për të pritur të motrën e tij Zahra Ahmadi, 32 vjeç, aktiviste e të drejtave të njeriut në Afganistan.

“Ky është një gabim, pasi nuk janë fajtorë vetëm amerikanët, por e gjithë bota është fajtore për atë çfarë po ndodh në afganistan. Por kjo është politike, sepse jam i bindur se të gjithë popujt duan të na ndihmojnë. Ashtu siç ndihmuan motrën time, kam ende shpresë që qeveria italiane të na mbështesë dhe presë dhe të bëjë gjithçka që mund të bëjë. E di shumë mirë që nuk mund të shpëtohen të gjithë, por për mua gjestin më të bukur për mua e kanë bërë shqiptarët. Një vend me 2 milionë banorë ka vendosur që të krijojë kushte për 20 mijë persona. Ndaj është koha që të reflektojmë mbi atë çfarë kemi bërë dhe çfarë mund të bëhet për të ardhmen”.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria është gati të presë 3000 afganë.

Më herët edhe Kanadaja ka pranuar kërkesën e SHBA-ve për strehimin e 20 mijë afganëve.

Edhe pse i gëzuar për të motrën që i shpëtoi tmerrit, sipërmarrësi thotë se do të investohet për të shpëtuar sa më shumë njerëz nga populli i tij.

“Shpresoj të gjej një zgjidhje, një dorë, një kanal për të qenë në gjendje të ndihmoj edhe të tjerët, me gjithçka që mund të bëj . Padyshim që nuk mund ta shpëtosh botën, por duhet të angazhohesh, dhe unë do ta bëj me gjithë shpirtin dhe zemrën time”.

Ora News