Shqipëria do të strehojë disa qindra afganë

Shqipëria do të strehojë disa qindra afganë që kanë punuar me strukturat amerikane dhe ato të institucioneve të tjera ndërkombëtare në vendin e tyre, pas kërkesës së bërë nga Shtetet e Bashkuara. Këtë e pohoi të dielën kryeministri Edi Rama, në një postim të gjatë në Facebook, duke shpjeguar dhe arsyet e këtij vendimi.

Eshtë e vërtetë po, se ditët e fundit qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion fundor kanë Shtetet e Bashkuara. Dhe padiskutim që ne nuk do të themi jo”, theksoi kryeministri Rma, duke kujtuar se vite më parë Shqipëria ka bërë të njejtën gjë dhe me afro 2 mijë muxhahedinë, anëtarë të opozitës iraniane të cilët jetojnë në një zonë pranë Tiranës dhe Durrësit.

 

Kryeministri Rama, bëri të ditur se që përpara se Shtetet e Bashkuara t’i bënin kërkesë Shqipërisë “ne kemi mikpritur dy kërkesa prej dy institucionesh shoqërore shumë të respektueshme përtej oqeanit, për të vlerësuar strehimin e përkohshëm në Shqipëri të disa qindra personave, nga rrethet intelektuale dhe të grave aktiviste afgane, të cilët janë nga të parët në listat e ekzekutimeve të barbarëve të Afganistanit”.

Kryeministri sqaroi se vendimi për t’i ofruar strehim grupit të afganëve, nuk erdhi “thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria! Shqipëria është shtëpia e shqiptarit që as me Kanun, as me Zakon, e as me Moral po të doni, nuk ua përplas derën në fytyrë të panjohurve që trokasin për mbrojtje. Ne nuk jemi të pasur, por s’jemi as pa kujtesë, as pa zakone, as pa moral dhe është në nderin tonë t’u gjendemi të tjerëve, siç të tjerë na janë gjendur ne, po sidomos të mos u kthejmë kurrizin hallexhinjve të huaj, siç shpesh na e kthyen ne dikur, kur ishim të huaj hallexhinj”. (Zëri i Amerikës)