Shqipëria e Holanda janë të shqetësuara për tensionet ballkanike, faji te serbët

Kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama dhe të Holandës, Mark Rute (Rutte) shprehën shqetësimin për gjendjen në Ballkan dhe për ndikimin e Rusisë dhe Kinës

Knid Ndrenika

https://www.facebook.com/ediramaal/videos/3847636762006176

Kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama dhe të Holandës, Mark Rute (Rutte) shprehën shqetësimin për gjendjen në Ballkan dhe për ndikimin e Rusisë dhe Kinës.

“Shqetësimi ynë është se ajo çfarë vjen si anë negative e saj është influencë në rrijte e gjithë Rusisë dhe Kinës dhe ne jemi të interesuar që perspektiva e Bashkimit Europian të jetë e pranishme këtu e jo perspektiva e Rusisë dhe Kinës”-tha zoti Rute.

Të dy kryeministrat pohuan se nuk ka shenja të mira në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për “Ballkanin e Hapur” kryeministrat Rama dhe Rute thanë se është mekanizëm që i shërben integrimit dhe se duhet të jetë vërtetë i hapur për të gjithë.

Pas takimeve të kryeministrave dhe të delegacioneve, zoti Rute dhe mikpritësi Rama dolën në konferencë për gazetarë,

Zoti Rama tha se nuk beson se jemi prag konflikti ballkanik, por simptomat e rrezikshme duhen marrë me shumë seriozitet:

“Përsa i përket pastaj specifikisht atyre që shohim në rajon këto ditë që nuk janë shenja të mira, as në Bosnjë, as në Malin e Zi, as në Maqedoninë e Veriut, as në kufirin e Kosovës me Serbinë që e pamë para ca ditësh, janë një arsye për të shtuar më shumë forcat, për të rritur bashkëpunimin e prandaj unë e përsëris, Ballkani i Hapur nuk është një çelës magjik, nuk është e vetmja gjë që mund të imagjinohet, por është një instrument, një mekanizëm që i shërben këtij qëllimi”.

Kryeministri Rama shtoi se Bashkimit Europian nuk i duhet një Ballkan Perëndimor ku siç theksoi “ka konflikte e ndjenja e mërzisë, apo e tradhtisë nga ana e BE-së të prevalojë”.

“Nuk i duhet një BP ku forcat e tjera të gjejnë terren pasi ne fizikisht jemi brenda tij. Dhe BE është i vetmi realitet në hartën e botës që ka një kufi të jashtë dhe një kufi të brendshëm”-tha ai.

Zoti Rute theksoi se “sa i përket nismës së Ballkanit të Hapur, ne jemi në favor të integrimit rajonal për aq kohë sa është i hapur për këdo. Unë e kuptoj që është shumë i hapur edhe për Malin e Zi, Kosovën, Bosnje Hercegovinën që të bëhen pjesë sepse ndihmon që të punohet drejt hapave të mëtejshëm në bisedimet e anëtarësimit duke përdorur përdorimin e standardeve dhe kuadreve të BE sa më shumë të jetë e mundur”.

Por, ai pranoi se është “vërtetë i shqetësuar për Bosnje-Hercegovinën, pasi duket sikur serbët e Bosnjës në këtë moment po shkelin hapur marrëveshjen e Dejtonit dhe të Kushtetutës së Bosnjës”.

“Po punojmë shumë në nilevet e BE-së për të stabilizuar situatën dhe për të parandaluar sistemin politik të ndahet në atë vend përgjatë vijave etnike. Kjo thekson rëndësinë e dialogut, por po kështu edhe të udhëheqjes së politikanëve të lartë në Ballkan”-tha kryeministri holandez.

Kryeministri Rute tha se po punohet që të vlerësohet përparimi i Shqipërisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit, ndërsa Holanda ka vendosur veton dy herë më parë.

“Është e drejtë të niset zyrtarisht Konferenca e Parë Ndërqeveritare. Është thelbësore të zgjidhet bllokimin nga ana e Bullgarisë shpresojmë ta bëjmë. Bullgaria do të ketë zgjedhje të dielën dhe do të jetë e drejtë, rigoroze çelja e negociatave. është bërë progresi i duhur”-tha kryeministri Rute.

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit të Holandës Mark Rutte

 

Kryeministri Edi Rama priti sot në Tiranë, Kryeministrin e Holandës  Mark Rutte. Pas takimit mes tyre, të dy kryeministrat zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp:

 

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve! Të gjitha vizitat e miqve dhe të partnerëve tanë në Tiranë janë momente të veçanta, por pa ekzagjerim, do të thoja që ky është një moment shumë i veçantë që kemi këtu sot në Tiranë, më në fund, pas një kohe të gjatë qysh se unë pata nderin të jem i pranishëm në zyrën e tij në Hagë, ku u mikëprita si të isha në shtëpinë time, sot kryeministri Mark Rutte është në Tiranë.

 

Iu desh të fitonte 4 palë zgjedhje që të vinte në Shqipëri dhe është vërtetë kënaqësi sepse përveçse se është sot në Tiranë, kjo ndodh edhe në një moment shumë pozitiv në marrëdhëniet tona, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Holandës dhe marrëdhënieve tona mes dy qeverive, kur, siç e dini, Holanda e ka mbështetur hapur hedhjen e hapit të mëtejshëm për Shqipërinë dhe thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

 

Por, kjo marrëdhënie shkon përtej procesit tonë të integrimit europian.

 

Ne kremtuam 50 vjet marrëdhënie diplomatike vitin e shkuar me Holandën, ne kemi në vazhdimësi një marrëdhënie pune shumë pozitive dhe impakti i Hollandës në Shqipëri rritet vit pas viti. Nga njëra anë, përmes projekteve të përbashkëta dhe mbështetjes që ne marrim për këto projekte nga qeveria holandeze, përmes ambasadës së saj në Tiranë.

 

Nga ana tjetër, për arsye të rritjes së pranisë së biznesit holandez në Shqipëri, qysh nga kompania Shell, që është një nga simbolet e sipërmarrjes holandeze, deri tek arkitektët holandezë që janë përfshirë drejtpërdrejtë në zhvillimet e reja në Shqipëri dhe përtej këtyre, turistët holandezë. Kemi një rritje të përvitshme të turistëve nga Holanda, që shpresojmë që do vazhdojë më tutje vitet e ardhshme dhe jemi shumë të kënaqur me këtë sepse ata vijnë, njohin një realitet, i cili është i ndryshëm shpeshherë nga se si perceptohet Shqipëria në Europë, kur është me të dëgjuar dhe bëhen edhe ambasadorë të një imazhi tjetër të vendit tonë, të imazhit të përditshëm.

 

Kemi folur me kryeministrin për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe jemi të bindur që progresi i bërë në këtë bashkëpunim do të rritet si pasojë e rritjes së kapaciteteve të vëna në dispozicion të këtij bashkëpunimi. Prej kësaj do të përfitojnë të dyja palët.

 

Kemi folur dhe për mundësinë, unë e kam kërkuar nga kryeministri, që Holanda të mbështesë një përafrim më të shpejtë të universiteteve tona me universitetet europiane në kuadrin e rrjetit europian të universiteteve, që me mbështetjen e BE, po arrin të krijojë sinergji fantastike mes universitetesh të ndryshme në hapësirën europiane.

 

Ashtu siç kemi folur edhe për një qasje më të hapur ndaj të rinjve në zonat rurale, për t’i përfshirë në programe të mëtejshme të mbështetjes për  sipërmarrjen në fshat.

E fundit, por jo nga rëndësia, kemi  folur sigurisht dhe për momentin ku jemi.

 

E dimë shumë mirë që Franca, Holanda, Gjermania dhe të gjithë janë gati për t’u ulur, si Bashkimi Europian, në Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për të nisur formalisht procesin e gjatë të negociatave por duhet zgjidhur ngërçi i krijuar nga vetoja e Bullgarisë.

 

Unë e falënderoj mikun tim Mark për kontributin e tij personal në komunikimin me palën bullgare, sikundër edhe të tjerët, që po bëjnë të gjitha përpjekje, që ta afrojnë pozicionin e Bullgarisë drejt zgjidhjes maksimalisht dhe mundësisht ta zgjidhin këtë çështje përpara se të mblidhet Këshilli Europian në dhjetor.

 

Mark, është shumë kënaqësi dhe besoj se kjo duket edhe nga sa mundëm deri tani të shprehnim mikpritjen dhe mirënjohjen me mirëseardhje. Ky është një vend që ka shumë ndjekës dhe tifozë të kombëtares holandeze dhe për ta është sot një ditë shumë e veçantë sepse flamujt holandezë janë në të gjitha rrugët e Tiranës dhe duket sikur më në fund e fituat dhe kupën e botës, këtu në Tiranë, të paktën. 

 

Kryeministri i Holandës Mark Rutte: Faleminderit Edi! Ju dhe unë kemi ndërtuar një miqësi gjatë viteve. Jam shumë i lumtur që kemi qenë në gjendje të hedhim hapin e parë në procesin e anëtarësimit në BE. Po, është e drejtë që për të nisur zyrtarisht konferencën e parë ndërqeveritare është thelbësore që të zgjidhim bllokimin nga ana e Bullgarisë. Shpresojmë ta bëjmë këtë gjë. Do të ketë zgjedhje të dielën dhe shpresoj fort që do ta bëjmë këtë gjë. Do të vizitoj dhe Maqedoninë e Veriut më vonë. Do të jetë e drejtë, e thamë, rigoroz e të drejtë dhe ju keni bërë kaq shumë përparim në kaq shumë çështje e kjo është arsyeja pse ne biem dakord tashmë të fillojmë zyrtarisht këto negociata sepse tashmë, për të qenë të drejtë dhe rigoroz, është bërë progresi i duhur.

Natyrisht, shumë duhet bërë dhe natyrisht duhet që të përfshihemi në proces dhe diskutuam si të bëjmë, praktikisht të çojmë afër BE dhe Shqipërinë edhe përpara. Kemi folur se çfarë duhet bërë në raport me universitetet, në raport me sektorin e bujqësisë, mundësi të tjera, eksportet, në mënyrë që të mos jetë një “Po” ose “Jo”, në kuptimin e anëtarësimit të plotë ose asgjë, por të ketë diçka midis, gjatë rrugës që ecim përpara dhe besoj që do të punojmë mbi këtë.

Jam edhe shumë i lumtur mbi faktin që të dyja vendet tona po zhvillojnë lidhjet dypalëshe në një  mënyrë mjaft të thellë e të kënaqshme. Ne bashkëpunojmë ekonomikisht me investimet, me eksportet, thuajse gjysma e eksporteve të vendit shkojnë drejt vendeve të BE-së dhe ndërkohë Holanda është investuesi më i madh në Shqipëri dhe ju siguroj që këto kompani po punojnë që të bëjnë edhe më shumë biznes në këtë vend dhe në fakt nuk punojmë sëbashku vetëm ekonomikisht. Ne punojmë po kështu dhe në raport me arkitektët. Arkitektët që janë të përfshirë këtu në Shqipëri, në Tiranë  dhe ju vetë, duke qenë artist, njiheni shumë mirë, jo vetëm si kryeministër, por dhe si artist.

Ne vazhdojmë të takohemi, jemi takuar në samitin e NATO-s, në samitin e Ballkanit Perëndimor dhe sërish u takuam të hënën e shkuar në COP26 në Glasgow.

Po, le të vazhdojmë të punojmë kështu, të takohemi, ta ndërtojmë këtë miqësi, ta bëjmë shumë praktike dhe besoj që ne të dy jemi njerëz shumë praktik sepse ka objektiva më afatgjatë, po punojmë për këtë, po i mbështesim ato,  por dhe të sigurohemi që disa nga ato përfitime të perspektivës afatgjatë të jenë të pranishme edhe në periudhën afatshkurtër e sidomos, le të shpresojmë tashmë që të kemi sukses, pas zgjedhjeve të së dielës në Bullgari, të sigurohemi që së paku të dy konferencat ndërqeveritare të nisin.

Shumë faleminderit për këtë mikpritje tejet të ngrohtë në këtë qytet mjaft të bukur.

Vërtet jam i lumtur që gjendem këtu sot dhe ka kërkuar shumë kohë, që pas vizitës tënde në 2014, tani është 2021, por pas katër zgjedhjeve ja ku jam.

***

– Pyetja e parë për kryeministrin e Holandës. Në dijeninë tuaj, çfarë reformash ka bërë Shqipëria për të luftuar krimin e organizuar në këto 3 muaj, pak më shumë në fakt, që pas fitores së zgjedhjeve, rikonfirmimit tuaj si Kryeministër, që nuk e bëri në 3 vitet e shkuara, që u bë shkak që ju vit pas viti të kërkonit vendosjen e vetos për Shqipërinë, që të mos hapeshin negociatat?

Pyetja për kryeministrin shqiptar, Zoti Rama, situata në rajonin tonë nuk është më e mira e mundshme e në fakt paqja në këtë rajon ka qenë gjithmonë e brishtë. A mendoni se do të ishte një situatë më e mirë për Ballkanin nëse procesi i integrimit të të gjashtë vendeve do të ishte më i shpejtë? Vëmendja e BE do të ishte më e madhe për këtë proces. Faleminderit!

Kryeministri i Holandës Mark Rutte: Kemi një marrëdhënie shumë të ngushtë bashkëpunimi për këto 2 vjet, në luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimi në fushën e drejtësisë dhe të policisë. E kemi diskutuar gjithashtu dhe në takimin tonë dypalësh sot, për përmirësimin dhe rritjen e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Kjo ka ndërtuar besim, por gjithashtu dhe fakti që të qenit rigoroz dhe të drejtë, ne i shohim gjithmonë raportet e Komisionit Europian se ku Shqipëria qëndronte në reformën e saj për pavarësinë e drejtësisë, për vetingun e gjyqtarëve shqiptarë dhe në termat e luftës kundër krimit të organizuar.

Të gjithë na duhet të bëjmë shumë punë, edhe vendi im, por edhe Shqipërisë do t’i duhet të bëjë më shumë gjatë viteve që vijnë, por progresi që është arritur në këto 5 vitet e fundit, ka qenë kaq i madh, në kuptimin që e bëri të mundur për ne që të themi “Po”.

Më duhet ta them që jemi sprapsur për kaq kohë të gjatë për t’i thënë “Jo” bisedimeve të anëtarësimit, kjo natyrisht nuk është thjesht çështje e krimit të organizuar, por gjithashtu e sundimit të ligjit, e ekonomisë dhe se si konvergojmë në punën tonë sëbashku, në punën në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.

Ideja është që ne duam që ky rajon të ketë perspektivën e Bashkimit Europian për shumë arsye sepse jemi miq, sepse jemi fqinj, por po kështu sepse të tjerë mund të përfitojnë, të kenë influencë në këtë rajon gjë që ne nuk e duam. Pra, ka arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike për ta bërë një gjë të tillë, por edhe thjeshtë pranimi i faktit që nën udhëheqjen e Edi Ramës janë ndërmarrë kaq shumë hapa.

Kryeministri Edi Rama: Vizita e kryeministrit të Holandës sot në Shqipëri, ka dhe një rendësi tjetër që shkon përtej marrëdhënieve bilaterale mes Holandës e Shqipërisë dhe përtej gjithë çështjeve që u diskutuan dhe me vazhdimin e rrugëtimit të tij për në Shkup, kjo rëndësi del në pah si prezencë e Holandës dhe e vëmendjes së mbretërisë së Holandës, ndaj këtij rajoni si i tërë.

Ne e shikojmë Holandën si një nga vendet prej të cilave ka më shumë për të mësuar, si një nga vendet që përbën një histori suksesi fantastike dhe ku nevoja për të shkuar përpara është një shtysë e përditshme e nga ku sigurisht ne kemi shumë për të marrë, por nga ana tjetër, ky imazh, kjo fuqi e Holandës është shumë e rëndësishme për Ballkanin. Është shumë e rëndësishme që Ballkani ta ndjejë pranë Mbretërinë e Holandës, ta ndjejë pranë qeverinë holandeze e për këtë arsye vizita e kryeministrit ka këtë rëndësi, përtej fatit që viziton thjesht Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sot. Kjo është një vizitë në rajon. Ne kemi folur me Markun edhe për procesin e Berlinit, edhe për Ballkanin e Hapur, edhe për sa e nevojshme është që nismat që lindin nga nevoja për të shtuar komunikimin, për të shtuar bashkëpunimin brenda rajonit, të kenë sukses dhe me thënë të drejtën, në këtë rast unë nuk do gjeja një arsye për ta fajësuar BE-në, për sa ndodh sot, sepse procesi i integrimit dhe i zgjerimit është një proces i komplikuar pasi BE ka hyrë në një fazë që ka shumë kompleksitet dhe nuk është e lidhur aspak me ndonjë refuzim apo me ndonjë hezitim, për ta konsideruar BE-në pjesë të hartës së Bashkimit Europian dhe pjesë  të integruar plotësisht në BE në një moment të caktuar.

Unë do thoja që ne kemi shumë nevojë për BE-në, besoj që BE ka shumë nevojë për Ballkanin Perëndimor. Bashkimit Europian nuk i duhet një Ballkan Perëndimor ku ka konflikte, nuk i duhet një Ballkan Perëndimor ku ndjenja e mërzisë apo ndjenja e tradhtisë nga ana e Bashkimit Europian të prevalojë. Nuk i duhet një Ballkan Perëndimor ku forca të tjera të gjejnë terren sepse ne jemi brenda Bashkimit Europian fizikisht dhe Bashkimi Europian është i vetmi realitet në hartën e botës që ka një kufi të jashtëm, ka dhe një kufi të brendshëm dhe brenda këtij kufiri të brendshëm është Ballkani Perëndimor, pra është pjesë integrale e trupit të BE dhe procesi i integrimit është i pakthyeshëm, por shpejtësia e tij diktohet nga dinamika të tjera.

Përsa i përket pastaj specifikisht atyre që shohim në rajon këto ditë që nuk janë shenja të mira, as në Bosnjë, as në Malin e Zi, as në Maqedoninë e Veriut, as në kufirin e Kosovës me Serbinë që e pamë para ca ditësh, janë një arsye për të shtuar më shumë forcat, për të rritur bashkëpunimin e prandaj unë e përsëris, Ballkani i Hapur nuk është një çelës magjik, nuk është e vetmja gjë që mund të imagjinohet, por është një instrument, një mekanizëm që i shërben këtij qëllimi.

Kryeministri i Holandës Mark Rutte është një çështje e vendeve të Ballkanit Perëndimor megjithatë është diçka që mendoj është një mënyrë për ta përjetuar këtë gjithashtu dhe për të qenë si pjesë e tregut të përbashkët europian, por ka dhe elemente pozitive që vijnë nga kjo nismë dhe e kuptoj tërësisht që tashmë kemi Serbinë, Maqedoninë e Veriut, pra të tjerët mund të bashkohen. Natyrisht për të kuptuar atë që ju po bëni dhe të kuptojnë, të mendojnë se mund të ndihmojë në procesin e zgjerimit. 

-Kam një pyetje për të dy. Ju zoti Rama e përmendët pak. Do doja të dija pak më tepër se çfarë duhet të bëjë konkretisht Bashkimi Europian dhe vendet e rajonit për të mbajtur qetësinë, stabilitetin në rajon. Duke marrë në konsideratë edhe çfarë po ndodh në Bosnje, analizat tregojnë që mund të ketë shpërthim të një konflikti të ri në rajon dhe pikërisht për të evituar këtë konflikt të ri të mundshëm, çfarë duhet bërë më tepër nga Bashkimi Europian, a duhet të përshpejtojnë hapat apo nxitjen e procesit të integrimit të vendeve të rajonit. Dhe ju zoti Rutte, nëse keni një opinion përsa i përket “Ballkanit të Hapur”, meqenëse zoti Rama e përmendi që ishte temë e bisedës suaj.

 

Kryeministri Edi Rama: Së pari, unë besoj se të gjithë në Ballkan, edhe ata që mund të perceptohen potencialisht faktorë me kapacitet destabilizues e kanë kuptuar që destabilizimi nuk sjell asnjë të mirë, as për vetë ata. Lufta në Ballkan nuk është një mësim që e kemi marrë nga librat. Është një eksperiencë që e kemi jetuar të gjithë, dikush duke qenë i përfshirë drejtpërdrejtë, dhe dikush si ne, shqiptarët e Shqipërisë, duke qenë i përfshirë indirekt, por sidoqoftë i përfshirë sepse mjafton të kujtojë që gjysmë milion refugjatë lufte erdhën nga Kosova për t’i ikur spastrimit etnik nga Milloshevic dhe ne ishim pjesë e kësaj gjëje, e kemi parë dhimbjen e luftës dhe nuk besoj, të paktën ky është opinioni im, se jemi në prag të shpërthimit të një konflikti, por besoj se këto janë simptoma të rrezikshme, që duhen marrë me shumë seriozitet dhe besoj se nuk janë dy rrugë.

Siç e tha dhe kryeministri, nuk duhet të jetë të paktën, midis hapave të integrimit, por ndërmjet hapave të integrimit si proces formal negociatash, duhet së bashku të krijojmë hapësira për t’u dhënë mundësi grupeve të ndryshme të shoqërisë, të rinjve, – të rinjtë që mbarojnë shkollën e mesme në Tiranë, në Shqipëri apo në gjithë zonën e Ballkanit, pse jo, – mundësinë që të mos ikin jashtë për të studiuar në universitetet e Europës por t’i kenë këtu mundësitë dhe t’i gjejnë këtu universitetet e Europës.

 

Këtë gjë, Bashkimi Europian po e bën për veten e tij. Me mbështetjen e qeverive të Bashkimit Europian, është krijuar një mundësi për universitetet që të lidhen me njëra-tjetrën dhe të krijojnë  sinergji fantastike. Edhe pse në Europë janë universitetet më të mira të botës, përsëri e kanë ndjerë nevojën që të rrisin kushtet e bashkëpunimit.

Nëse universitet tona futen në këtë proces, është një arsye më shumë për t’u ndjerë  të lidhur me Bashkimin Europian, për t’u ndjerë pjesë e të njëjtës hapësirë dhe për të na ndihmuar ne për të ulur nivelin e një mërzitjeje të natyrshme nga pamundësia për të qenë të pabarabartë me të tjerët.

Dhashë vetëm një shembull. e përsëris, e falënderova dhe e falënderoj përsëri kryeministrin sepse realisht, ia thashë, nuk është një vizitë në dy vende, por vizitë në një rajon që e ka shumë të nevojshme të ndjehet pjesë e vëmendjes dhe interesit dhe e komunitetit europian dhe sigurisht që Mbretëria e Holandës është një nga yjet më të ndritshëm të flamurit të Europës dhe prania e kryeministrit këtu është një mesazh shumë i bukur sot, jo vetëm për shqiptarët, jo vetëm për maqedonasit, por edhe për të gjitha komunitetet e tjera.

 

Kryeministri i Holandës Mark Rutte: Sa i përket nismës së Ballkanit të Hapur, ne jemi në favor të integrimit rajonal për aq kohë sa është i hapur për këdo. Unë e kuptoj që është shumë i hapur edhe për Malin e Zi, Kosovën, Bosnje Hercegovinën që të bëhen dhe ata pjesë sepse ndihmon po kështu të punohet drejt hapave të mëtejshëm në bisedimet e anëtarësimit, duke përdorur, ma ha mendja, përdorimin e standardeve të Be sa më shumë të jetë e mundur, në mënyrë që të bëhet një lloj hapësire për atë çfarë ndodh më tej.

 

Unë jam vërtetë i shqetësuar për Bosnje-Hercegovinën, pasi duket sikur serbët e Bosnjës në këtë moment po shkelin hapur marrëveshjen e Dejtonit dhe të Kushtetutës së Bosnjës. Po punojmë shumë në nivelet e BE për të stabilizuar situatën dhe për të parandaluar sistemin politik të ndahet në atë vend përgjatë vijave etnike. Kjo thekson rëndësinë e dialogut, por po kështu edhe të udhëheqjes së politikanëve të lartë të Ballkanit, me Edi Ramën që është vërtetë një shembull i mirë, i respektuar në të gjithë rajonit dhe mjaft aktiv për të bërë atë që mundet për t’u siguruar që rajoni të mbetet sa më i stabilizuar të jetë e mundur. Shqetësimi ynë është se ajo çfarë vjen si anë negative e kësaj është një influencë në rritje e fuqisë së Rusisë dhe Kinës dhe ne jemi të interesuar që perspektiva e BE të jetë e pranishme këtu dhe jo perspektiva e lidhjes më të ngushtë me Rusinë, Kinën apo Turqinë. 

 

 

 

Comment

*