Shqipëria krijon një komision për ekzekutimin e vendimeve penale

Nëntë anëtarët që përbëjnë Komisionin qëndrojnë në detyrë për katër vjet, pa të drejtë ricaktimi

Knid Ndrenika

Me vendim qeverie u krijua në Shqipëri, Komisioni i Ekzekutimit të vendimeve penale. Ky Komision do të shërbejë për rritjen e transparencës dhe koordinimin e të gjitha institucioneve që ndjekin ekzekutimin e vendimeve penale.

Komisioni, i pavarur nga Ministria e Drejtësisë (ministre Etilda Gjonaj) ka përfaqësues të Kryeministrit, Kuvendit, Presidencës, Prokurorisë së Përgjithshme, Dhomës së Avokatisë dhe ministrive përgjegjëse për drejtësinë, arsimin, financat e shëndetësinë.

Roli i Komisionit është mjaft i rëndësishëm, si në aspektin procedurial të ekzekutimit të vendimeve penale, ashtu edhe në bashkërendimin e punës për politikat penitenciare dhe zbatimin e tyre me organizmat monitorues si Komiteti i Parandalimit të Torturës, Avokati i Popullit, shoqërinë civile, etj.

Komisioni shërben si një mekanizëm kombëtar për trajtimin e ankesave, kryerjen e verifikimeve të nevojshme, monitorimin e punës së burgjeve dhe çdo problematike në to, duke trajtuar me përparësi çdo çështje dhe informuar Ministrin e Drejtësisë.

Kryetari dhe zëvendëskryetari i Komisionit zgjidhen me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, për një periudhë 2-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje.

Nëntë anëtarët që përbëjnë Komisionin qëndrojnë në detyrë për katër vjet, pa të drejtë ricaktimi.

Kriteret e rëndësishëm të përcaktuar lidhen kryesisht me pastërinë dhe integritetin e figurës së anëtarëve.

Kështu, anëtarët përveçse të jenë shtetas shqiptarë, duhet që të mos kenë masa disiplinore në fuqi dhe të kenë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.

Po ashtu duhet që ata të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit përpara 2 korrikut 1991, në kuptim të legjislacionit në fuqi për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës.

Ndërkaq, në kriteret profesionale kërkohet që anëtarët të zotërojnë diplomë të ciklit të dytë, të studimeve të larta në drejtësi ose shkenca sociale ose diplomë të barasvlefshme me to dhe të kenë një profil të spikatur dhe eksperiencë profesionale në fushën e drejtësisë, të drejtave të njeriut ose sistemin e burgjeve.

Në kontrollin e pasurive, kandidatëve u kërkohet që në kohën e caktimit në detyrë, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të legjislacionit në fuqi për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë, si dhe të afërm të shkallës së parë që janë punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ose në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Comment

*