Shqipëria me futbollistë të kampionatit vendas barazon me Arabinë Saudite 1-1

Në stadiumin “Al Nahyan Stadium” të Abu Dabit në Emiratet e bashkuara Arabe, kuqezinjtë e mbyllën pjesën e parë në humbjen 0-1, ndërsa në pjesën e dytë barazuan për 1 me 1.

Knid Ndrenika

Kombëtarja e Shqiptarëve barazoi një ndeshje miqësore të patransmetuar nga mediat me Arabinë Saudite 1-1.

Kjo lojë në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe në tërësi u përfshi që nga njoftimi, përgatiotjet dhe mbarimi nga një zymti informative.

Federata Shqiptare e Futbollit kishte njoftuar se pala arabosaudite kërkoi mostransmetimin e ndeshjes me arsyetimin se skuadra e tyre duhet të ruante përgatitjet përpara pjesëmarrjes në Kupën e Botës që ia nis në 21 nëntor në Katar.

Në stadiumin “Al Nahyan Stadium” kuqezinjtë e mbyllën pjesën e parë në humbjen 0-1, ndërsa në pjesën e dytë Bekim Balaj realizoi golin e barazimit.

FSHF njoftoi se trajneri Edoardo Reja e nisi ndeshjen me Elhan Kastrati, Erdenis Gurishta, Eneo Bitri, Rudolf Turkaj, Albion Marku, Esat Mala, Ardit Deliu, Arbnor Muçolli, Andi Hadroj, Sokol Cikalleshi dhe Redon Xhixha.

Sipas njoftimit të FSHF-së, pjesa e parë ka qenë thuajse e barabartë dhe e ekuilibruar e luajtur më shumë në mesfushë me shumë pak raste për shënim të shfrytëzuara nga të dyja skuadrat. Një nga momentet kulmore për kuqezinjtë ka ardhur në minutën e 31-të nga këmbët e Redon Xhixhës, i cili arrin të dalë vetëm me portierin, por në momentin e fundit nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë.

“Arabët janë me fat kur në minutën e 43-të një gjuajtje nga distanca ndalet brenda zonës nga mbrojtësi Bitri dhe për gjyqtarin është penallti pasi ka parë prekje të topit me dorë. Nga e pika e bardhë godet sulmuesi Saleh Khalid Alshehri, i cili realizon gol dhe kalon në avantazh Arabinë Saudite. Portieri Kastrati gjen krahun, por nuk ndalon të ndalë gjuajtjen e fortë me topin që përfundon në portë”, – raportoi FSHF-ja.

Gjithashtu referuar të njejti njoftim, në fillimin e pjesës së dytë trajneri Edoardo Reja ka bërë shumë zëvendësime duke hedhur në fushë Bekim Balaj, Gentian Selmani, Odise Roshi, Mario Mitaj, Sherif Kallaku, Arinaldo Rrapaj dhe Xhuliano Skuka. Me të nisur loja Shqipëria gjen shumë shpejt golin e barazimit me Bekim Balaj që finalizon bukur një pasim të Odise Roshit, duke shënuar golin e 1-1.

“Në minutën e 58-të Shqipëria kishte një shans të mirë për gol me Xhuliano Skukës, që pësoi një ndërhyrje të parregullt në zonë, por gjyqtari është i mendimit se nuk është penallti. Në minutat në vijim Shqipëria vijon të luajë mirë duke krijuar volum loje, ndërsa në minutën e 78-të hyn në fushën e lojës edhe Lorenco Vila me trajnerin Reja që aktivizoi thuajse të gjithë lojtarët e ftuar. Deri në fund rezultati nuk ndryshon dhe miqësorja mbyllet në barazim 1-1”-shkruan FSHF-ja në faqen zyrtare të saj në internet.


Arabi Saudite-Shqipëri 1-1

Shënues: Saleh Khalid Alshehri 43’ (11-m) / Balaj 47’

Arabia Saudite: Hatan Sultan Bahbri, Ali Hadi Albulayhi, Ali Sadiq Alhassan, Abdulelah Ali Alamri, Saud Abdullah Abdulhamid, Riyadh Mohammed Sharahili, Mohammed Faraj Alyami, Haitham Mohammed Asiri, Saleh Khalid Alshehri, Abdulelah Saad Almalki.

Trajner: Herve Renard

Shqipëria: Elhan Kastrati (Gentian Selmani 45’), Erdenis Gurishta, Eneo Bitri (Stivian Janku 61’), Rudolf Turkaj (Esin Hakaj 61’), Albion Marku (Odise Roshi 45’), Esat Mala (Arinaldo Rrapaj 45’), Ardit Deliu (Ardit Toli 61’), Arbnor Muçolli (Sherif Kallaku 45’), Andi Hadroj (Mario Mitaj 45’), Sokol Cikalleshi (Bekim Balaj 45’, Lorenco Vila 78’), Redon Xhixha (Xhuliano Skuka 45’).

Trajner: Edoardo Reja