Shqipëria ndalon vizitat me Serbinë

Komisioni i Jashtëm i Kuvendit dhe ministria e Jashtme thanë se po hartohej një qëndrim ndaj Serbisë – Kryekomisioneri Fatos Beja tha se fryma e Sllobodan Millosheviçit fatkeqësisht endet në Serbi – Gjendja në Luginën e Preshevës dhe Kosova ishin në qendër të veprimtarive të Trupit Diplomatik, institucioneve, opozitës dhe manifestuesve përpara ambasadës së Serbisë

 

Denion Ndrenika

Komisioni për Politikë të Jashtme dhe ministria e Jashtme vërejtën me shqetësim sjelljen e Serbisë në Luginën e Preshevës. Komisionerët thanë se ngjarjet në Preshevë përshkallëzojnë gjendjen dhe janë shkak për destabilizimin e rajonit. Veç Preshevës, në seancën dëgjimore, u diskutua për Kosovën dhe marrëveshjen Shqipëri-Serbi për punësimin e familjarëve të diplomatëve. Deputetët i bënë thirrje Serbisë të dialogojë me shqiptarët etnikë të Luginës. Kryekomisioneri Fatos Beja tha se fryma e Sllobodan Millosheviçit fatkeqësisht endet në Serbi: “Trajtimi i shqiptarëve me terma tipike të kohës së Millosheviçit është shqetësuese. Ndërkombëtarizimi duhet të vazhdojë. Duhet të këmbëngulim në demilitarizimin e zonës dhe që komisioneri i minoriteteve të jetë në mënyrë të vijueshme në rajon”.
Përfaqësuesja e ministrisë së Jashtme, Ilda Zhulali paraqiti gjendjen me Serbinë pas heqjes së memorialit të dëshmorëve në Preshevë: “U bë një shtyrje e vizitës së ministrit të Shëndetësisë në Beograd dhe bisedime të tjera në nivele të dyta. Vendimi për vizitën e ministrit të Jashtëm do të merret në momentin e duhur”.
Zonja Zhulali saktësoi se nuk ka asnjë lëshim ndaj Beogradit pas marrëveshjes për punësimin e familjarëve të diplomatëve: “Kjo është një marrëveshje, të cilën Shqipëria e ka me disa vende, përfshi vende anëtare të Bashkimit Europian”.
Ish-ministrja e Jashtme socialiste Arta Dade tërhoqi vëmendjen për mospjesëmarrjen e Shqipërisë në Këshillin e Europës ku u debatua për Kosovën: “Gjykoj që është bërë gabim që delegacioni ynë në Këshillin e Europës nuk ka qenë i pranishëm për rezolutën e Kosovës. Në seancën e ardhshme të OSBE-së do të jem e pranishme edhe nëse nuk shkon delegacioni, unë do të shkoj vetë”.
Ndërkaq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, OSBE-së, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe diskutuan për Preshevën dhe zgjedhjet e 23 qershorit me ministrin e Jashtëm, Edmond Panariti dhe kryetarin socialist Edi Rama. Zoti Rama foli pas takimit: “Për çka ndodhi në Preshevë jemi në sintoni të plotë me interesin kombëtar dhe partnerët ndërkombëtarë për sa i përket të sotmes dhe të nesërmes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në rajon”.
Mandej, përpara ambasadës së Serbisë qindra vetë protestuan kundër veprimeve në Luginën e Preshevës. Manifestuesit kërkuan largimin e ambasadës serbe nga Shqipëria dhe shprehën mbështetje për shqiptarët kudo që jetojnë.
Më parë, Presidenti Bujar Nishani e dënoi me vendosmëri aktin e fundit provokativ të autoriteteve të Beogradit, që zgjodhi gjuhën e forcës për të hequr përmendoren e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Sipas tij, ndërkohë që autoritetet lokale dhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës po vepronin me maturi dhe në mënyrë institucionale për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, Beogradi përdori forcat policore, duke dëshmuar se nuk është i çliruar ende nga mentaliteti dhe fobitë e së shkuarës dhe se kur bëhet fjalë për shqiptarët ai zbaton standarde të dyfishta.
“Veprime të tilla dëmtojnë rëndë situatën e brishtë në Luginën e Preshevës, stabilitetin në rajon dhe frymën e dialogut e mirëkuptimit, me vështrim nga e ardhmja, të cilën po përpiqemi të ndërtojmë me përpjekje dhe durim”-thuhej në deklaratën e zotit Nishani.
Presidenti dënoi gjithashtu veprimin e dhunshëm të dëmtimit të varrezave të komunitetit serb në Kosovë, i cili është në gjithashtu dhunim flagrant i traditës shqiptare dhe në kundërshtim të plotë me interesat legjitime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe shqiptarëve në të gjithë rajonin.

Comment

*