Shqipëria në radarin e të majtës ndërkombëtare

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Është kaluar disi pa vëmendjen e duhur fakti që udhëheqës të internacionales socialiste e të Partisë Socialiste Europiane ndërhynë në Shqipëri për të pajtuar Partinë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim, apo Edi Ramën me Ilir Metën.

Mbase kjo është marrë si e natyrshme se ne shqiptarëve na duket shpesh normale që bota të rrotullohet rreth nesh.

Media antiqeveritare apo pro-opozitare nga ana tjetër u ka kushtuar rëndësi takimeve të Edi Ramës me udhëheqës shtetërorë në Austri dhe Danimarkë, ngjarje disi vërtet të pazakonta për një udhëheqës opozite të një vendi të vogël në prag zgjedhjesh. Media proqeveritare apo antisocialiste ose i ka injoruar ose është përqendruar te incidente si ai me diplomatin Ceka në Vjenë.

Sado të rastësishme të kenë qenë këto takime, si presidenti i Austrisë ashtu edhe kryeministrja e Danimarkës janë vetë politikanë dhe si të tillë janë të ndërgjegjshëm për mënyrën se si mund të përdoren takime të tilla gjatë një fushate zgjedhore.

Të dy ata, përveçse politikanë me emër dhe popullaritet në vendet e tyre janë edhe figura të lëvizjes socialiste europiane e botërore.

Një mënyrë për t’i lexuar këto zhvillime, është që “socialistët sans frontieres” kanë zbuluar Shqipërinë në hartën e botës dhe kanë zgjatur penelin e tyre për ta ngjyrosur me të kuqe. Duke qenë se bëhet fjalë vetëm për një pikë relativisht të parëndësishme në globin shumëngjyrës, zgjohet natyrshëm pyetja: Pse ky kujdes e pse pikërisht tani?

Një shpjegim i lehtë do të ishte që kjo është praktikë e zakonshme e internacionaleve dhe partive kontinentale. Mirëpo nëse është kështu, atëhere ku qenë këto parti në zgjedhjet e viteve 2005, 2009 e në 2011 kur e majta konkurroi e përçarë? Në mënyrë të ngjashme, ku qenë popullorët europianë kur e djathta shpërbëhej ngjashmërisht?

Mbase ia vlen ta rrotullojmë pak rrotën e paranojës për të gjetur nja-dy shpjegime të tjera, qoftë edhe për kuptuar pak më mirë evolucionin të paktën në retorikë të politikës shqiptare dhe mënyrën sesi lexohet ajo jashtë vendit.

Si fillim ia vlen të shpluhurosen nja-dy histori jo shumë të largëta po shpejt të harruara gjithësesi.

Kur Sali Berisha erdhi në New York, para disa vitesh, për sesionin e përvitshëm të Asamblesë së Përgjithshme në OKB, ai u intervistua nga një numër shumë i madh kanalesh televizive, gazetash të njohura etj.

Në shtator, pothuajse çdo lider i botës është duke u vërtitur në New York dhe ky interes për kryeministrin e një vendi të vogël ishte disi i çuditshëm. Po nëse Shqipëria ka pak rëndësi në ngjarjet e rangut botëror, disa gjëra për të cilat foli Berisha janë pjesë e debatit politik të brendshëm amerikan (dhe jo vetëm amerikan).

Për shembull, SHBA vuan nga një legjislacion tmerrësisht i ndërlikuar i taksave. Nismat për ta reformuar kanë dështuar dhe premtimet e betimet e një presidenti për ta grisur tërësisht legjislacionin e për ta shkruar nga fillimi janë vetëm në filma dhe në ëndrrat e shumë idealistëve amerikanë.

Në këtë kontekst, konservatorët amerikanë janë të mrekulluar nga Shqipëria që ka thjesht një taksë të sheshtë, 10%, që nuk diskriminon. Nga ana tjetër, Demokratët amerikanë pikërisht i druhen këtij lloj reformimi të sistemit të taksave sepse besojnë që ata që fitojnë më shumë duhet t’i japin shoqërisë më shumë, edhe proporcionalisht.

Shumë aspekte të tjera, si narrativa se si Shqipëria i shpëtoi krizës ekonomike botërore, ideja e tokës me një euro, e shumë hapa për të lehtësuar klimën e biznesit janë melodioze për veshët e konservatorëve amerikanë.

Edhe shpjegimi i Berishës ishte i thjeshtë. Ai kishte mësuar nga një njeri i madh, Ronald Reagan dhe kishte ulur taksat. Në vend që të varfërohej buxheti i shtetit, ai ishte pasuruar. Arsyeja ishte se ulja e taksave kishte lulëzuar biznesin.

Në vitin 2010, pas një interviste me të, Steve Forbes shkruajti se sa keq që nuk mund ta klononin Sali Berishën, në mënyrë që ta kishin një kopje të tij si politikan edhe në SHBA. E di që kjo mund t’i bëjë të qeshin shumë socialistë në Shqipëri, që do të ishin përgjigjur se nuk ka nevojë ta klononi se ua kemi falur, po këto fjalë nuk janë për t’u nënvleftësuar. Steve Forbes është një nga zërat më të respektuar në botën e biznesit dhe politikës amerikane. Listat Forbes janë ato që masin “xhepat” e pasanikëve të botës e të Amerikës. Nëse ka një revistë që shfletohet rregullisht nga “peshat e rënda” në botë është “Forbes”.

Bota e sotme politike (ndoshta ashtu si gjithmonë) është botë e përplasjes së modeleve ekonomike. Ajo që shpesh mungon në debat është aftësia për të sjellë ilustrime bindëse. Shqipëria e Berishës në këtë konteskt është një shembull i mirëseardhur nga konservatorët.

Berisha nuk druhet të shpalosë kredencialet e tij konservatore. Gjatë konferencave vjetore në Davos, ai ka deklaruar nga foltorja se është një Reganian. Raste si vdekja e zonjës Margaret Thatcher ishte një tjetër rast për të kujtuar se cilët ishin frymëzuesit e tij.

Ky është sigurisht një dëshmi e rrugëtimit të gjatë që ka bërë Sali Berisha në spektrin ideologjik. Në vitet 1992-97, si një president ekzekutiv, qeverisja e tij vuajti të gjente një bosht të qartë. “Terapia e shokut” traumatike siç ishte apo krijimi i tregut të letrave me vlerë bashkëjetuan me parime si “toka i takon atij që e punon”, kundërshtimin e prerë ndaj privatizimit të bankave, të televizioneve e telekomit. Ideja aspak e djathtë e shtetit si përgjegjës i drejtpërdrejtë për mirëqënien e individëve luajti rolin e vet në lëvizjen e tmerrshme antishtet të vitit 1997.

Ajo kohë nuk është më. Sali Berisha mësoi të flasë e të vërë në zbatim idetë konservatore të ekonomisë, duke fituar miq të çmuar në “vende të rëndësishme”, por me sa duket edhe armiq në radarin e të cilëve rrallë bie në sy një udhëheqës i një vendi të vogël.

Nuk është çudi pra, që sot, e majta europiane sheh te Berisha një udhëheqës të bezdisshëm, që duhet të largohet nga pushteti. Por, edhe mbetet një shpjegim i pjesshëm. Mjafton të kujtojmë se ideologjia e Berishës nuk ka zgjuar ndonjë antipati, aty ku ai e ka trumbetuar më shumë, në SHBA ku qeverisin Demokratët amerikanë. Fundja, ai ka vite që njihet si një dëshmitar zëfortë ideologjik në forumet si ai i Davosit. Pra mbetet pa përgjigje pyetja se pse tani?

Në fakt, diçka tjetër ndriçoi së fundi me alarm në radarin e eurosocialistëve: “nacionalizmi” i Sali Berishës. Ndonëse, kryeministri shqiptar e ka moderuar retorikën e tij, duke i dhënë fund asaj që dukej si një garë parafushatore më Aleancën Kuq e Zi për votuesit e patriotizuar të Shqipërisë, periudha e deklamimeve panshqiptare që nisi që me festimet e 100-vjetorit duket se ka mjaftuar për të mobilizuar të majtën europiane.

Nëse ka një gjë që tremb të majtën (dhe jo vetëm atë) në Perëndim është hija e nacionalizmit. Vetë Bashkimi Europian është ndërtuar mbi rrënojat e Luftës së Dytë Botërore të zhvilluar nën sfondin e propagandës nacionaliste e raciste të nazistëve. E majta europiane ka mbetur e traumatizuar qysh atëhere dhe është alergjike ndaj nacionalizmit. Është edhe arsyeja kryesore se pse në vitin 1999, pranoi të pabesueshmen, të bëhej palë e një ndërhyrjeje ushtarake të NATO-s të kërkuar nga amerikanët në Kosovë kundër Serbisë.

Edi Rama dhe të tjerë në partinë e tij janë përpjekur prej vitesh t’ua krahasojnë diplomatëve dhe politikanëve perëndimorë Sali Berishën me diktatorët e rrëzuar në Pranverën Arabe. Krahasime të tilla shkojnë në Shqipëri, ku është normale që politikanët e krahëve kundërshtarë ta quajnë njëri-tjetrin kriminelë, hajdutë, diktatorë e imoralë. Frustrimi i palëve në Shqipëri për t’i interpretuar deklaratat gati sterile të perëndimorëve në dritën e pozicioneve të tyre partiake ka qenë i madh. Po kujdesi i institucioneve të Perëndimit për të mos marrë anë ka qenë tregues se megjithë baltën që dy partitë kryesore kanë hedhur mbi njëjra-tjetrën, perëndimorët nuk shohin ndonjë dallim të madh mes të dy partive.

Po kësaj here, socialistët patën më në fund vërtet diçka që tërhiqte vëmendjen. Trumpeta e nacionalizmit shpesh ka paralajmëruar më së paku telashe e më së shumti gjakderdhje në Ballkan e më tej. Socialistët shqiptarë e ndjenë shqetësimin perëndimor dhe u pozicionuan relativisht shpejt. Pas gati një dekade pozicionimesh të ngathëta, gjuhe të ngarkuar me figuracion të panevojshëm dhe ankesa e akuza të skajshme, PS-ja ra në një pozicion që kishte kuptim edhe për brukselianët më të veleritur me “belatë” e Shqipërisë.

Ironia e madhe në këtë punë është se që nga Aleanca Kuq e Zi në Shqipëri, te Vetëvendosja e Rexhep Qosja në Kosovë, te vetë nacionalistët e kohës së vjetër në PS, të gjithë do të betoheshin e stërbetoheshin se nuk ka asnjë pikë gjaku nacionalisti te Sali Berisha. Madje vetë Edi Rama e ka akuzuar atë së fundi për shkelje të bllokadës së OKB-së kundër Serbisë, për lidhje të dyshimta më një biznesmen nga Bosnja. Vetë Rama dhe PS janë treguar krijues në një nga çështjet më nacionaliste, atë të Çamërisë, pa përmendur pastaj mobilizimin e fuqishëm të opozitës për Paktin Detar me Greqinë.

Se si doli pra Sali Berisha nacionalist i tërbuar që rrezikon Europën është pak e çuditshme për lexuesit seriozë e politikës shqiptare.

Politikanët shqiptarë nuk do të jenë të parët në Europën Lindore, e sidomos në Ballkan, që do t’u duhet në vitet që vijojnë të vallëzojnë me vështirësi në “mesin e artë”, ndërmjet një Bashkimi Europian, alergjik ndaj nacionalizmit dhe një elektorati gjithnjë e më patriotik.

Edhe Rama vetë e di këtë. Në retorikën e kujdesshme të socialistëve flitet kundër “nacionalizmit primitiv”, një togfjalësh i cili nga një anë përshkruan sjelljen e Berishës te Perëndimorët ndërsa nga ana tjetër qetëson votuesin patriotik duke nëkuptuar që ka edhe një nacionalizëm të mirë, joprimitiv.

Edhe kryeministri Berisha duke ndjerë rrezikun ka bërë tërheqjen e tij pikërisht duke u shfajësuar se nacionalizmi i shqiptarëve është qytetar dhe civil, për ta dalluar nga ai tjetri “i keqi” që është parë te fqinjët jugosllavë apo ai i dikurshmi që zhuriti Europën dhe gjysmën e botës.

Ironia tjetër është se në Shqipëri ka plot që ende nuk e quajnë Berishën as të djathtë. Vetëm pak kohë më parë disa ish-të persekutuar i vunë zjarrin vetes në sheshin publik shqiptar. Ata madje e akuzuan për “komunist”! Të tjerë nuk ia falin vonesën në njohjen e problemit të ish-pronarëve të tokave. Shto këtu edhe ata nacionalistët që dyshojnë se Berisha “do t’ia falë detin grekut ashtu si ia fali Janullatosit Kishën”. Më tej janë të djathtët e zhgënjyer nga futja e socialistëve të lista e kandidatëve. Një shkrim pak ditë më parë në MAPO shihte 23 Qershorin si një ditë zgjedhjesh pa të majtë e të djathtë, por vetëm dy grupe me konvergjenca interesash praktike.

Po t’u besosh këtyre këndvështrimeve të mësipërme Berisha nuk del as i djathtë e as nacionalist dhe e majta ndërkombëtare mund të jetë mobilizuar kot. Madje po ta shtysh pak më tej argumentin, në sytë e disa prej këtyre mosbesuesve dhe kritikuesve të Berishës, nacionalisti i vërtetë është Rama dhe jo kryeministri. Nga Prishtina në Preshevë, Rama ka bërë përpjekje që shqiptarët përtej kufirit të mos kenë dryshime për këtë. Të paktën një parti çame e krijuar së fundi sheh te PS-ja shpresën e vetme për zgjidhjen e problemit çam. Ata nuk janë të vetmit nacionalistë në aleancën e Edi Ramës.

Për ta përzjerë edhe pak problemin, Rama mund të jetë i vetmi udhëheqës i majtë në Europë që shprehu publikisht admirim për kryeministren britanike Margaret Thatcher, një kolose e neokonservatorizmit. Ai ka qeverisur për gati 10 vite Tiranën dhe pavarësisht nga akuzat e Demokratëve nëse dëgjon mënyrën se si e përshkruan vetë Rama këtë pëvojë, duhet të mbash vesh mirë për të kuptuar nëse ka qeverisur si i djathtë apo i majtë.

Do të jetë interesante nëse në fund fiton vërtet Rama dhe pastaj shpalos natyrshëm disa nga ato tipare të cilat të veshura në figurën e Berishës duket se kanë trembur eurosocialistët.

Një vështrim më i sinqertë i politikës shqiptare mbase do të nxirrte se politikanët janë më shumë të natyrës praktike. Synimet e ngjitjes apo mbetjes në pushtet janë më të rëndësishme se sa ideologjia politike, hyrja në Europë, atdhetarizmi dhe morali. Dhe sa më cinik të jesh, aq më shumë do të besosh se të tillë janë politikanët kudo. Jo vetëm në Shqipëri, Ballkan e Lindje, po edhe në kryeqytetet më demokratike të botës, përfshi edhe disa nga emrat kryesorë të internacionaleve e partive europiane që i kemi mësuar në këto muajt e fundit.