Shqipëria në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino

Stenda e Shqipërisë në edicionin e vitit 2022, që konsiderohet nga organizatorët si më i madhi i të gjitha kohërave, ofron për publikun italishtfolës më shumë se 200 tituj, të mbi 80 autorëve bashkëkohorë shqiptarë, të botuar nga 31 shtëpi të ndryshme botuese italjane

Autorët dhe veprat më të mira të letërsisë bashkëkohore shqiptare, të botuara në gjuhën italjane janë të pranishme edhe këtë vit në stendën e Shqipërisë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit, edicioni i 34-të i të cilit zhvillohet në Torino të Italisë nga data 19 deri më 23 Maj 2022.
Salloni Ndërkombëtar i Torinos është ngjarja më e madhe e më e rëndësishme letrare e vendit fqinj. Katër pavjonët e panairit, ku përveç shtëpive të mëdha botuese ekspozojnë edhe qindra botues të vegjël dhe mjaft cilësorë, vizitohen çdo vit nga qindra mijëra vizitorë dhe mijëra gazetarë nga e gjithë bota.
Pjesëmarrja e Shqipërisë me një stendë të posaçme mundësohet tashmë prej dhjetë vitesh nga Qendra e Kulturës Shqiptare (www.centroalbanese.it), një prej organizatave më të mëdha e më aktive të bashkësisë shqiptare, në Itali dhe BE.
Stenda e Shqipërisë në edicionin e vitit 2022, që konsiderohet nga organizatorët si më i madhi i të gjitha kohërave, ofron për publikun italishtfolës më shumë se 200 tituj, të mbi 80 autorëve bashkëkohorë shqiptarë, të botuar nga 31 shtëpi të ndryshme botuese italjane.


Krahas veprave të autoreve best-seller si Anilda Ibrahimi, që botohet në Itali nga shtëpia botuese elitare Einaudi, pjesë e grupit të madh Mondadori, mjaft të vlerësuara e të kërkuara nga vizitorët vijojnë të jenë edhe veprat kryesore të Kadaresë, që po ribotohen gradualisht nga shtëpia botuese La Nave di Teseo, e drejtuar nga Elisabetta Sgarbi, motra e kritikut të njohur të artit Vittorio Sgarbi.
Spikasin gjithashtu edhe librat e autorëve të tjerë bashkëkohorë si Ylljet Aliçka, Mimoza Hysa, Bashkim Shehu apo Arben Dedja, veprat e të cilëve janë të disponueshme edhe në italisht.
Në vëmendjen e publikut italjan një vend krejt të veçantë vijojnë të kenë edhe autoret Elvira Dones dhe Ornela Vorpsi, të cilat shkruajnë drejtëpërdrejtë në gjuhën e shtetit fqinj.
Ndër vizitorët më të vecantë të stendës shqiptare janë cdo vit edhe lexuesit shqipfolës që vizitojnë Panairin, të cilët krahas librave në gjuhën italjane mund të gjejnë pranë stendës edhe një përzgjedhje titujsh në gjuhën e tyre amtare.
Mjaft i madh është gjithashtu edhe interesimi i udhëtarëve italjanë për Shqipërinë si vendmbërritje turistike. Pranë stendës shqiptare turistët e vendit fqinj gjejnë jo vetëm udhërrëfyesit turistikë “Albania & Kosovo” dhe “Tirana & Albania”, të dy tituj të autorëve Benko Gjata dhe Francesco Vietti, por edhe informacione praktike për Shqipërinë turistike.
Prania shqiptare në Panair është një vetrinë e rëndësishme edhe për promovimin e njohjes së vendit tonë nga një publik i kualifikuar, i përbërë nga personalitete të spikatura të jetës publike në Itali.
Kështu, gjatë ditëve të para të këtij edicioni të Panairit stenda e Shqipërisë është vizituar, ndër të tjera edhe nga Ministri i Kulturës i Italisë Dario Franceschini, Presidenti i Rajonit të Piemontit Alberto Cirio, Kryetari i Bashkisë së Torinos, Stefano Lo Russo, senatorët Mauro Maria Marino dhe Mauro Laus, etj.
Takimet letrare
Përvec stendës së Shqipërisë, Qendra e Kulturës Shqiptare ka organizuar këtë vit edhe dy veprimtari të mëdha e të rëndësishme letrare në kuadër të Sallonit të Librit: paraqitjet e para për publikun të librave të rinj të autoreve Anilda Brahimi dhe Lea Ypi.
Anilda Ibrahimi paraqiti përballë publikut torinez romanin e saj të ri “VOLEVO ESSERE MADAME BOVARY”, botuar sërisht nga Einaudi. Takimi u zhvillua në datën 19 Maj, dita e para e panairit, në mjediset e Polo del ‘900, një prej institucioneve më të rëndësishme kulturore të Torinos. Me autoren, në takimin e celur nga Benko Gjata, president i Qendrës Shqiptare, bashkëbiseduan studjuesja Marcella Filippa, gazetarja Elena Miglietti dhe Emiliano Paoletti, drejtori i Polo del ‘900. Takimi u pasurua nga leximet e interpretuara nga aktorja italjane Marta Laneri dhe intervalet muzikore të ekzekutuara nga artistët Leonard Plumbini dhe Aba Rubolino. Vepra e re e Anilda Ibrahimit u prit mjaft ngrohtë nga lexuesit dhe mediat e mëdha italjane, të cilat i kushtuan autores një hapësirë të posacme.
Lea Ypi paraqiti përballë lexuesve të Sallonit versionin në gjuhën italjane të librit të saj të sukseshëm “E Lirë” (“Libera”, në gjuhën italjane), botuar nga shtëpia e madhe botuese Feltrinelli. Takimi u zhvillua në datën 21 Maj në Sallën Ndërkombëtare të Panairit të Torinos. Pas fjalës hapëse të Benko Gjatës, president i Qendrës së Kulturës Shqiptare, autorja dialogoi për rreth një orë me drejtorin e së përditshmes italjane La Stampa, Massimo Giannini, e duartrokitur shpesh nga publiku.
Qendra e Kulturës Shqiptare është një prej organizatave më jetëgjata e më aktive të diasporës shqiptare. Me seli në Torino dhe Milano, Qendra synon të përhapë në Itali njohjen e kulturës shqiptare, të promovojë zhvillimin e lidhjeve kulturore, sociale dhe ekonomike mes Italisë dhe Shqipërisë, si edhe të mbështesë integrimin e bashkësisë shqiptare, si pjesë e proçesit më të gjerë të integrimit të Shqipërisë në BE.