Shqipëria nuk e di kur do t’i vijnë 4 mijë afganët

“Po shtyhet ardhja e tyre për shkak të logjistikës dhe fluturimeve, e spekullimeve të fluturimeve”-tha sot paradite kryeministri Edi Rama

Knid Ndrenika

Kryeministri Edi Rama tha se ende nuk dihet se kur do të mbërrijnë në Shqipëri afganët që largohen nga Afganistani pas rikthimit të talebanëve në pushtet.

Kryeministri kur inspektoi ndërtesat studentore në Tiranë ku po punohet për përshtatjen si vendqëndrim i përkohshëm për afganët, theksoi se ka spekulime për lëvizjen e tyre.

“Po shtyhet ardhja e tyre për shkak të logjistikës dhe fluturimeve, e spekullimeve të fluturimeve”-tha zoti Rama.

Afganët parashihej që të vendoseshin në konviktet studentorë në Tiranë dhe në rrjetin hotelerik të Durrësit.

Mirëpo sipas kryeministrit planet e evakuimit të tyre nga Kabuli mund të pasohen nga ndryshime për strehimin në Shqipëri.

“Mund të ndodhë të mos nevojitet nëse do të lirohen strukturat hoteliere që kemi bërë gati pas sezonit. Në të gjitha rastet është me rëndësi të jemi të qartë që nuk bëhet fjalë për “hiq studentë e sill refugjatë afganë” por për të shfrytëzuar këtë dritare kohe përpara se të vijnë studentët”-tha ai.

Sipas kryeministrit në Shqipëri mund të strehohen përkohësisht 4 mijë afganë, ndër të cilët dy mijë janë tashmë në lista, plus që po punohet për dy mijë të tjerët.

Qeveria e zotit Rama miratoi mbrëmë vendimin që lejon strehimin për 1 vit të afganëve që largohen nga vendi i tyre pas rikthimit në pushtet të talebanëve për herë të parë që nga viti 2001.