Shqipëria përballet me zjarret, një i vdekur dhe dëme të mëdha materiale e mjedisore

Tiranë, 3 gusht 2021 – Një qytetar e ka humbur sot jetën nga zjarri në fshatin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës.

Mediet në Tiranë raportojnë se zjarret, të cilat janë përhapur me shpejtësi në disa fshatra të Luginës së Drinos, rrezikojnë zonat e banuara, si fshatrat “Arshi Lengo”, Krinë dhe “Asim Zeneli”.

Forcat zjarrfikëse kanë mundësi të kufizuara të ndërhyjnë në këtë zonë, për shkak të terrenit të vështirë, ndërsa pushteti vendor nuk ka mjete për të përballuar zjarre të këtyre përmasave.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve që të largohen nga zona e rrezikshme, ndërkohë që ushtria dhe zjarrfikëset po luftojnë me zjarret.

Por, situata mbetet shumë e vështirë. Autoritetet qeveritare raportojnë se situatë më e rëndë mbretëron në Qarkun e Vlorës, ndërsa vatra më e madhe e zjarrit vazhdon të jetë ajo në gadishullin e Karaburunit.

Një numër i konsiderueshëm forcash ushtarake dhe punonjësish të emergjencave civile punuan edhe sot pa ndërprerje për të shuar zjarret në këtë qark.

Rreth 500 trupa ushtarake, 50 automjete nga toka, si dhe 3 helikopterë nga ajri po punojnë për të shuar zjarret që rrezikojnë banesat dhe Parkun Kombëtar të Llogarasë. Ata arritën të frenojnë përhapjen e zjarreve drejt bazës ushtarake të Pashalimanit dhe po përpiqen të frenojnë edhe përhapjen e zjarreve në  pyjet e Dukatit, që rrezikojnë për përfshijnë Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Autoritetet raportojnë edhe për një seri operacionesh për shuarjen e zjarreve që kanë kapluar sipërfaqe të mëdha në Fier, Përmet, Ksamil, Mamurras dhe në malin e Tomorrit.

“Rreziku që ne duam të shmangim me çdo kusht është përhpja e zjarrit drejt Parkut të Llogarasë. Vatrat e tjera i kemi nën kontroll, Kemi patur një situatë jo të lehtë me zjarret që po i afroheshin Bazës së Pashalimanit. Me dhjetra efektivë të Forcave të Armatosura i fikën ato vatra. Kemi patur sukses në Fier, Ksamil, Përmet, në Mamurras. Tani jemi përqëndruar këtu në Karaburun. Kemi edhe 2-3 vatra të tjera në Shqipëri por kjo është më seriozja”, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Ai ka thënë se ka kërkuar ndihmë nga vendet e rajonit dhe nga vende të tjera mike, por shumë prej tyre po ballafaqohen me zjarret njësoj si Shqipëria.

Autoritetet ende nuk kanë dhënë një vlerësim të dëmeve materiale të shkaktuara nga zjarret, por nuk ka dyshim sekëtodëme janë mjaft të mëdha. Sipas informacioneve të para, zjarret kanë shkretëruar qindra hektarë kullota dhe pyje dhe sipërfaqe me pemë frutore. Ato kanë shkaktuar edhe dëme të mëdha mjedisore, si edhe florën dhe faunën e zonave.

Opozita u ka bërë thirrje banorëve të zonave të rrezikuara nga zjarret që të evakuohen nga vendbanimet e tyre dhe të mbrojnë jetën e njerëzve.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një mesazh ngushëllimi për familjen e viktimës në fshatin “Asim Zeneli”, në Qarkun e Gjirokastrës, e ka kritikuar qeverinë se nuk ishte përgatitur për përballimin e situatave si kjo e shkaktuar nga zjarret.

“Si në rastin e tërmetit, emergjencat civile dhe qeveria ndodhen totalisht të papërgatitura për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të shmangur pasojat e katastrofave natyrore. Përgjegjësi i kësaj situate vijon turet e inagurimeve false duke lënë në mëshirë të fatit banorët dhe qindra hektarë që po digjen prej ditësh”, ka thënë Basha.

(r.m.)