Shqipëria përsëri me laps dhe letër

Dështon projekti i votimit dhe numërimit elektronik të votave – 5 milionë euro të shkuara dëm për projektin pilot me kompaninë IDRA –  Në provën e bërë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në praninë e vëzhguesve të ODIHR-it që kanë mbërritur në Tiranë, por dhe të përfaqësuesve të partive politike, sistemi i përzgjedhur nuk dha sukses

 

Nga Aristir Lumezi

Në zgjedhjet e 23 qershorit shqiptarët do të jenë më pak të garantuar në votën e tyre. Dy risitë e sjella në Kodin e ri zgjedhor me miratimin nga të dy forcat kryesore politike, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste dështuan.
Projekti i cili kapte shumën e 5 milionë eurove, më e madhja në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri e për të cilin është kontraktuar kompania spanjolle IDRA, nuk do të japë garancitë e pritura, edhe pse ishte propaganduar si një sukseset më të mëdha të këtyre zgjedhjeve.
Prova e identifikimit elektronik të zgjedhësve, fatura e së cilës arrin në 2.3 milionë euro, gjatë procesit të votimit dështoi. Ky proces nuk arriti të bllokojë votimin më shumë se një herë të zgjedhësve. Në provën e bërë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në praninë e vëzhguesve të ODIHR-it që kanë mbërritur në Tiranë, por dhe të përfaqësuesve të partive politike, sistemi i përzgjedhur nuk dha sukses. Një zgjedhës u provua që pasi voton në një qendër votimi, mund të shkojë me të njëjtat identitete dhe në qendra të tjera votimi, ndërsa kjo shkelje e ligjit identifikohet 48 orë pas mbarimit të votimit, ndoshta dhe pas numërimit të votave në shumë raste. Kjo e bën të pavlefshëm sistemin e ofruar për të identifikuar në mënyrë elektronike zgjedhësit për të mos lejuar votimin e tyre më shumë se një herë. Kjo ishte një nga risitë që do të provohej në qarkun e Tiranës e më pas në të gjithë Shqipërinë në zgjedhjet e ardhshme. Vetëm 13 ditë para ditës së votimit, edhe ky sistem nuk është gati duke i çuar zgjedhësit në votimin manual të identifikimit dhe duke mos e shmangur dot votimin disa herë të tyre. Kjo ka qenë akuza permanente në të gjitha zgjedhjet nga humbësit e tyre, pasi partitë humbëse kanë akuzuar për votim disa herë të personave të ndryshëm duke ndikuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Disa javë më parë, një tjetër proces elektronik zgjedhor dështoi. Kodi Zgjedhor kishte përcaktuar që në qarkun e Fierit, vota të numërohej përmes lexuesve elektronikë. Në këtë mënyrë sistemi hiqte nga dora e komisionerëve militantë mundësinë e tjetërsimit të votës, duke rritur në këtë mënyrë dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor.
Kompania IDRA nuk mori përsipër numërimin e një flete votimi në të cilën do të kishte më shumë se 42 subjekte politike në garë. Aktualisht në zgjedhjet e 23 qershorit, bashkë me kandidatët e pavarur, janë në garë 67 subjekte politike. Një fletë votimi me 67 subjekte politike kompania që ofron këtë shërbim nuk e merr përsipër duke e konsideruar ët pamundur e duke e çuar procesin në dështim të plotë. Në qarkun e Fierit zgjedhësit do të votojnë si në zgjedhjet e mëparshme dhe vota do ët numërohet me dorë në mënyrë manuale dhe jo me makineri.
Në këtë mënyrë, premtimi i madh për të provuar një sistem elektronik për identifikimin dhe numërimin e votave dështoi.
Pikëpyetjet janë të shumta, por përgjegjësia finale bie mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ndryshe nga sa ishte rënë dakort gjatë hartimit të ligjit zgjedhor, se teknologjia do të niste procedurat e përdorimit që në muajin dhjetor të 2012, KQZ vendosi ta shtyjë këtë afat për në fund të janarit të 2013. Por as ky afat nuk u respektua dhe për më tepër as nuk u bënë publike arsyet, duke bërë që të mbërrihet në fund të muajit mars asnjë nga dy projektet teknologjike të mos ishte gati. Prova u zhvillua në 14 prill afër 60 ditë para datës së zgjedhjeve, duke mos dhënë asnjë zgjidhje të fakteve reale dhe duke shuar të gjitha shpresat për përdorimin e elektronikës në këto zgjedhje.
Identifikimi elektronik i zgjedhësve në Tiranë u provua ditën e shtunë, në 8 qershor 2013 duke mos dhënë asnjë garanci për ato kërkesa që kodi zgjedhor ka përcaktuar.
Mungesa e përdorimit të elektronikës në identifikimin e zgjedhësve dhe numërimin e votave në dy qarqe të rëndësishme të vendit, siç është Tirana dhe Fieri dhe një Komision Zgjedhor i mangët, me vetëm 4 anëtarë nga 7 që ka ai me ligj, i bëjnë zgjedhjet lehtësisht të kontestueshme.