Shqipëria pritet legalizojë kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore

Tiranë, 7 prill 2022 – Shqipëria pritet të lejojë shumë shpejt kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të cannabis sativa për arsye mjekësore, pa legalizuar përdorimin vetjak. Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në përfundim të Këshillimit të parë Kombëtar, një anketim masiv që qeveria ndërmori për 3 muaj përmes postës dhe internetit.

Mbi 60 për qind të qytetarëve të anketuar vullnetarisht dhe anonim janë shprehur pozitivisht për pyetjen e qeverisë, kundrejt 30 për qind që janë shprehur negativisht. Kryeministri Rama tha para mediave sot se kjo do të bëhet shumë shpejt.

“Do të legalizojmë absolutisht kanabisin për përdorim mjekësor dhe do të hapim një front të ri pune dhe rritjeje ekonomike, përveçse edhe rritje në aspektin teknologjik. S’ka dilemë për këtë. Atë çfarë kanë thënë qytetarët, ajo do të bëhet. Nuk diskutohet” – deklaroi zoti Rama.

Ndonëse mbetet ende e paqartë se si do të realizohet, dilemat lidhen me mundësinë e kontrollit të autoriteteve mbi këtë proces. Shqipëria vijon të konsiderohet një vend burimi i kanabisit.

Pavarësisht përpjekjeve për të luftuar këtë veprimtari kriminale, edhe vitin e kaluar kultivimi i marijuanës rregjistroi shifra në rritje. Sipas të dhënave të Guardia di Finanza-s italiane, gjatë vrojtimit nga ajri, ishin identifikuar mbi 37 hektarë të dyshuar se janë përdorur për të kultivuar cannabis sativa, sipërfaqja më e madhe që pas vitit 2016.

Vëzhgues të pavarur shprehen skeptikë për këtë nismë të qeverisë, duke përmendur mungesat e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, zbatimit dhe mbizotërimit të ligjit Eksperti i çështjeve të sigurisë, Arjan Dyrmishi, thotë se Qeveria dhe shumica socialiste kanë 2-3 vjet që e diskutojnë këtë temë. E reja këtu është mënyra e veçantë e legjitimimit të kësaj nisme përmes një anketimi apo Këshillimi Kombëtar, duke marrë pëlqimin e publikut.

Pikëpyetjet nuk janë të natyrës ekonomike, të tregut dhe kërkesës, por çështja ka të bëjë me sigurinë e procesit, se si do të garantohet që pjesa e ligjshme të mos përzihet me pjesën e paligjshme, modalitetet si do të ndahen këto dy pjesë, dhe më tej, prodhimi, magazinimi dhe transporti sa do të jenë të sigurta. Një gjykim i saktë mund të jepet atëherë kur qeveria të publikojë projektin e parë zyrtar të nismës së saj, për të parë si është menduar që kjo mundësi ekonomike të mos shndërrohet në të kundërt në një problem sigurie, sepse ekonomia dhe siguria janë të lidhura ngushtë, por deri është një proces me shumë të panjohura.

“Janë aktorë si krimi i organizuar, problemi që ky legalizim shkakton tek korrupsioni etj. Ne nuk e dimë ende cilat janë vlerat, cilët janë treguesit ekonomikë, që synon qeveria të realizojë përmes kësaj: Cili është numri i vendeve të punës? Sipërfaqet që do të dedikohen? Ka një seri politikash që duhen harmonizuar. Për shkak të luftës në Ukrainë po diskutohet që sipërfaqet e tokës të mbillen me grurë, për të harmonizuar autosuficencën e furnizimit me ushqime, apo duhet që këto sipërfaqe t’i favorizojmë për të mbjellë cannabis, i cili do na sjellë disa të ardhura më shumë dhe me këto para në dorë ne do të blejmë drithë. Mungojnë shumë të dhëna dhe së pari mungon drafti i qeverisë” – thotë zoti Dyrmishi.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama komentoi sot edhe mbështetjen që sipas tij mori nga publiku përmes Këshillimit Kombëtar nisma e Ballkanit të Hapur, një proces që ai shprehu sërish vendosmërinë për të ecur përpara. Në anketën e Këshillimit Kombëtar afro 60 për qind e qytetarëve janë shprehur pozitivisht se nisma është në interes të Shqipërisë, afro 26 për qind pohuan se ajo i sjell përfitime vendit, dhe 15 për qind thanë se nuk e dinin.

Open Balkan është një nismë ndaj të cilës ka patur pikëpyetje të shumta. Gjysma e vendeve të rajonit kanë refuzuar deri tani të bëhen pjesë e saj. Kosova e ka kundërshtuar hapur që në fillim, duke vënë theksin te roli i Serbisë në rajon.

Së fundmi sërish presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se “në momentin që Serbia heq dorë nga tendencat destabilizuese ndaj rajonit, në momentin që Serbia e njeh Kosovën si realitet i pakthyeshëm, si realitet që po ecë përpara dhe assesi nuk do të kthehet prapa, atëherë dikush mund ta marrë seriozisht deklaratën e (Aleksandër) Vuçiçit se i intereson bashkëpunimi rajonal”, – tha presidentja Osmani.

Pikëpyetjet mbi këtë nismë u shtuan më tej pasi Serbia doli kundër qëndrimit të BE-së ndaj Rusisë, duke refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

“Ballkani i hapur është një interes shumë i rëndësishëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve, edhe i Kosovës, por unë jam udhëheqës i Shqipërisë, nuk jam udhëheqës i Kosovës dhe nuk dua t’i jap as mend dhe as këshilla të pakërkuara udhëheqësve në Kosovë. Është në interesin e madh të Shqipërisë që të zgjerojë hapësirën e vet të lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve, kapitaleve” – tha zoti Rama.

Në Këshillimin Kombëtar një mbështetje të gjerë duket se ka marrë nga anketimi masiv edhe ideja e një amnistie të plotë për depozitimet e parave të emigrantëve shqiptarë në atdheun e tyre dhe mundësinë që ato të investohen në vendlindje.

Shqipëria po ashtu do të kërkojë të ndahet nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit në Bashkimin Europian nëse në mbledhjen e radhës të Këshillit Europian në qershor nuk do të merret një vendim pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësimin e plotë në BE.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*