Shqipëria riatdheson 14 fëmijë dhe 5 gra nga kampet e ISIS-it

Kryeministri Edi Rama i shoqëroi të 19 personat nga Libani në Tiranë në atë që e quajti “operacioni më i vështirë të riatdhesimit” nga kampet e terroristëve

Knid Ndrenika

19 persona, mes të cilëve 14 fëmijë dhe 5 grau riatdhesuan në Shqipëri nga kampet e ish-Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë, apo Levantit “ISIS”.

Riatdhesimi u quajt operacioni më i vështirë në të gjithë periudhën për Shqipërinë që nga fillimi i luftimeve me terroristët e Shtetit Islamik.

Të riatdhesuarit janë familjarë të të vetëquajturëve “luftëtarë” të ISIS-it dhe mbaheshin fillimisht në kampin “Al Hol” në Siri dhe mandej në kampin “Roxh”, gjithashtu në Siri.

Kryeministri Edi Rama ishte në Liban dhe shoqëroi krejt operacionin deri në mbërritjen e grave dhe fëmijëve në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit “Nënë Tereza” në orën 8 të mëgjesit të kësaj të diele.

“5 gra, 14 fëmijë mundëm t’i shkëpusim pas një operacioni të ndërlikuar në situatë ferri. Janë dy persona që kanë refuzuar. Është e paqartë se sa është numri i personave që kanë mbetur për t’u tërhequr. Një pjesë kanë gjetur vdekjen për fat të keq, një pjesë tjetër janë fëmijë gra, ish-luftëtarë, por nëpër burgje, pengje që nuk shkëputen dot, që kanë frikë se mund t’u marrin jetën”-tha zoti Rama.

Të 19 të riatdhesuarit, 14 fëmijët dhe 5 gratë vendosen përkohësisht në Durrës nën përkujdesjen e një strukture të posaçme të Policisë së Shtetit dhe Mirëqenies Sociale.

Të riatdhesurit janë përfshirë ndërkaq në ekzaminimet mjekësore dhe psikologjike.