Ulet në 5 ditë karantina dhe rekomandohet doza e tretë pas 5 muajsh për COVID-19

Ministrja Ogerta Manastirliu theksoi se në tërësi gjendja kundër Koronavirusit po përcillet në dinamikë dhe se masat do të rivlerësohen në vijim

Knid Ndrenika

Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri rishikoi masat parandaluese kundër përhapjes së Koronavirusit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se në mbledhjen e Komitetit kohën e izolimit për të prekurit nga COVID-19 në 5 ditë dhe ka rekomanduar që doza e tretë përforcuese e vaksinës të kryhet 5 muaj pas dozës së dytë.

Zonja Manastirliu theksoi se në tërësi gjendja kundër Koronavirusit po përcillet në dinamikë dhe se masat do të rivlerësohen në vijim.

Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh për vlerësimin e situatës epidemiologjike, vlerësimin e ecurisë së programit të vaksinimit dhe masave kundër COVID-19.

“Ekspertët e Komitetit Teknik rekomanduan për vlerësim nga Komiteti i Vaksinimit, reduktimin e periudhës së vaksinimit me dozën e tretë përforcuese, nga 6 muaj që është aktualisht, në 5 muaj pas dozës së dytë.
Komiteti vendosi të reduktojë kohën e izolimit për të prekurit nga Covid-19 në 5 ditë, sipas Udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik”-tha ministrja.

Ndërkaq, u theksua rëndësia e vaksinimit me dozën përforcuese, rritjen e mbulesës vaksinale për popullatën si dhe duke vlerësuar në dinamikë incidencën e rasteve të reja ditore dhe situatën në spitale, ekspertët e Komitetit Teknik do të rivlerësojnë në vijim masat anticovid.

Ministrja Manastirliu e mbylli njoftimin në rrjetet shoqërorë me hashtagun “#MbroShëndetin #Vaksinohu🙏🏼”!