Shqipëria – vendi i shpëtimit të hebrenjve

(Pjesë nga shkrimi “Hebrenjtë me ‘atdhe rezervë’ Shqipërinë”, botuar nga gazeta “Illyria”, në 4 tetor 2015)

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi dhe Alma Golemi

Në Gadishullin ballkanik u përhap lajmi shpresëdhënës se Shqipëria është vendi i shpëtimit të hebrejve nga vdekja. Kjo solli drejt vendit tonë prurje hebrenjsh nga Austria, Greqia, Serbia, Bullgaria, Maqedonia, Rumania etj. Shqipëria jo vetëm i strehoi por edhe respektoi zakonet, festat e hebrenjve. Fakt domethënës është se në Shqipëri u shpëtuan të gjithë hebrenjtë dhe ata nuk u cënuan, nuk u dorëzuan, nuk u penguan të hynin, nuk u grabitën, nuk iu mor pasuria, nuk u prekën nga ndonjë ligj qeveritar antihebre. Shqipëria u bë atdheu i dytë për hebrenjtë e përndjekur, ku një pjesë qëndruan aty deri sa mbaroi Lufta II Botërore. Nga listat e integruara hollësisht disa studiues shqiptarë si Sinani dhe Kotani dokumentojnë përkatësisht në publikimet e tyre në Shqipëri dhe jo vetëm, listën me 2265 hebrenj të shpëtuar në Shqipëri; por saktësimet e anëtarëve të familjeve hebraike në këto lista, del se në Shqipëri u shpëtuan deri në fund të Luftës II Botërore të paktën 3240 hebrenj. Fakt është se në kohë të ndryshme dhe të pavarur nga njeri-tjetri autorë seriozë kanë konkluduar përmes analizës se, “100 për qind e hebrenjëve të Shqipërisë mbijetuan nga lufta”.Arkivat flasin për korrespondenca, lutje, statistika, raporte, qarkore, formularë, lista tip, njoftime, vendime, lista emërore familjarësh, shkresa, telegrame etj., që flasin të gjitha për aktivitetin e hebrenjëve në Shqipëri. Në këtë lëvizje njerëzore e shkresore ishin përfshirë gjithë strukturat e shtetit shqiptar. Kjo dokumentohet nga fondet dokumentare në Arkivin qendror të shtetit shqiptar si: Fondi dokumentar i Drejtorisë së Përgjithshme të policisë; i Komandës së Përgjithëshme të Xhandarmërisë; i “Komandës Ushtarake”; i Mëkëmbësisë së Përgjithshme në Shqipëri”; i Bashkive e Prefektuarave etj. Qytetet shqiptare si Berati, Elbasani, Kruja, Kavaja, Shijaku, Vlora, Durrësi, Tirana, Shkodra, Gjirokastra etj., u bënë streha e sigurt e hebrenjve. Shqipëria dhe Danimarka ishin raste të rralla që nuk lejuan që të prekej asnjë hebre. Është fakt historik se qeveria shqiptare nuk dorzoi listat e hebrenjëve me faktin se ata ishin shqiptarizuar, ishin “tretur” në gjirin e shqiptarëve. Shteti shqiptar e trajtoi problemin e hebrenjve si çështje të brendshme, për të cilat flasin dokumentat arkivore. Nuk ka shqiptar që nuk është njohur dhe nuk ka mbështetur qytetarët hebrenj gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Ata nuk u dorëzuan tek gjermanët. Për këtë dëshmon edhe ngjarja e verës së vitit 1944, kur pushtuesit nazistë realizuan internimin masiv të rreth 800 burrave, qytetarë të Vlorës, 600 prej të cilëve u ekzekutuan në kampet e përqëndrimit në Gjermani e gjetkë. Fakt është se në rradhët dhe listat e të internuarve, nuk ishte dhe nuk përfshihej asnjë qytetar me origjinë hebraike. Por gjurmët e shpëtimit gjenden në qytete e fshatra në Mitrovicë, Prishtinë, Gjilan, Deçan, Pejë, Gjakovë, Shkodër, Tiranë, Berat, Krujë, Kavajë, Durrës, Elbasan, Librazhd, Korçë, Dibër, Burrel, Fier, Lushnjë, Vlorë, Delvinë, Përmet, Gjinokastër, etj. Hebrenjtë drejtoheshin drejt Shqipërisë e tokave shqiptare se e dinin kush nga europianët dinin dhe donin me zemër t’i hapnin derën mikut. Çështja e shpëtimit të tërë hebrenjve në Shqipëri është bërë e njohur dhe nga institucioni “Yad Vashem” (“Yad Vashem-i” është autoritetit qendror i përkujtimit të martirëve dhe heronjve të Holokaustit, me seli në Jerusalem), që deri më tani ka dokumentuar dhe njohur zyrtarisht 70 shqiptarë si “fisnikë” të shpëtimit të hebrenjve gjatë holokaustit.

Holokausti dhe 42 ligjet antihebraike                                                        

Viktimizimi i hebrenjve lidhet me holokaustin, që është fjala (“Holokaust”) me prejardhje nga greqishtja e vjetër dhe që do të thotë “sakrifikim me zjarr për nder të hyjnive”. Ndërsa “Shoah” lidhet me gjuhën hebraike dhe do të thotë “Katastrofë njerëzore”. Kjo gjetje e ka zanafillën tek katastrofa më të madhe njerëzore të shekullit të 20-të dhe ndoshta e të gjitha kohrave. Doktrina naziste gjermane bazohej mbi parimin racor të luftës së racave, që ishte në thelb doktrinë e terrorit masiv. Terrori si luftë racash vuri në shinjestër përndjekjen dhe asgjësimin e hebrenjve duke kërkuar të bëjnë “zgjidhjen finale” për çështjen hebraike nga ana e Hitlerianëve. Zanafilla e “Shoah” nis në vitin 1933, që njihet edhe si viti i “42 ligjeve antihebraike”. Fakt është se gjatë vitit 1933, qeveria gjermane nxori 42 ligje kundër hebrenjve, që iu kufizonin të drejtat qytetare, të punës, të arsimimit dhe urdhëruan largimin nga tërë punët shtetërore përfshirë shkollat e universitetet. Gjatë vitit 1934, qeveria gjermane hodhi në veprim 19 ligje të tjerë drejtpërsëdrejti kundër hebrenjve. Gjatë vitit 1935 u shtuan edhe 29 ligje të tjerë kundër hebrenjve, përfshirë edhe ndalimin e martesave midis hebrenjve dhe jo-hebrenjve edhe zhvlerësimin e qytetarisë gjermane për hebrenjtë dhe ato me origjinë të tillë. Gjatë viteve 1936-1937 u shtuan edhe 46 ligje kundra hebrenjve. Më 12 mars 1938, sipas burimeve arkivore Austria bashkohet me Gjermanë dhe kështu edhe 185.000 hebrenj austriakë bien nën regjimin nazist. Nga Nata e Xhamave të Thyer të 10 nëntorit 1938 e deri në janar 1945 u viktimizuan në kampet e shfarrosjes më shumë se 7 milionë hebrenj dhe 11 milionë njerëz të tjerë nga kombësitë europiane. E pashembullt në historinë e njerëzimit. Filozofia e nazizmit kishte në thelb krimin. Nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, kryen krime të përbindëshme ndaj njerëzimit, megjithëse e propagandonin veten si përfaqësues të një race që mishëronte vyrtytet më të larta të njerëzimit, dhe që do të ndërtonte “një rend të ri”, të quajtur “model-Evropian”. Fati tragjik i rreth 7 milionë hebrenjve në LIIB u përcaktua nga teoria çnjerëzore e demoracës, nga doktrina naziste e “zhdukjes përfundimtare”. Shfarosja masive për herë të parë u kthye në industri. Në prag të 70 vjetorit të fitores mbi fashizmin të gjithë fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore kanë dëshmorët e tyre për çlirimin e njerëzimit prej epidemisë nazifashiste, por nga ana tjetër, 7 milionë hebrenj të shfarosur, të këtij kombi të martirizuar mbeten edhe sot e kësaj dite thjesht viktima. Të flasësh për krimin nazist të LIIB s’mjaftojnë konferenca e simpoziume; kjo temë s’do shterrojë kurrë sepse është apel dhe kujtesë për ndërgjegjen e kombeve, që eksperimentet në kampet Aushviciane nga më çnjerëzoret mos të përsëriten më.

Hermann Neubacher, pavarësia shqiptare dhe hebrenjtë

Shteti shqiptar e trajtoi problemin e hebrenjve si çështje të brendshme, për të cilat flasin dokumentat arkivore. Relacionet e fshehta që bëjnë fjalë për mundësinë që Shqipëria të kthehej në një farë “atdheu të dytë” për hebrenjtë, për të cilët nuk ka pasur kurrë kuota për numrin e hebrenjve që do të pranonin. Bazuar në të dhënat dokumentare të historianëve, të kanadezit Bernd Fisher, ish-ambasadorit amerikan me origjinë hebre Herman Bernstein, Sir Martin Gilbert, Ariel Schieb, Neoel Malcolm, A. H. Sarner, J. Goldfarb, të Profesor Shaban Sinanit, etj., vërtetohet “neutraliteti relative” shqiptar. Italianët e treguan indiferentë në Shqipëri për antihebraizmin; ndërsa gjermanët me përfaqësuesin më të lartë në Shqipëri Neubacher këmbënguli në një shpallje të re të pavarësisë së Shqipërisë dhe përhapi devizën se, “Gjermania respektonte pavarësinë shqiptare në të gjithë trojet etnike shqiptare”. Hermann Neubacher kishte dalë me platformën e kategorive të reja në ligjin ndërkombëtar që lidheshin pikërisht me  “neutralitetin relativ” dhe “sovranitetin relativ”, cka solli edhe proceverbalin e bisedimeve Von Thadden-Myler të 17 tetorit 1943, ku thuhej se, “kishte nxjerrë mësime nga përvojat në Kopenhagë”. Ja si përshkruhet nga studiuesi Shaban Sinani, qëndrimi i Mylerit në takim: “..e kupton mjaft mirë qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, sipas së cilës, një veprim de fakto kundër hebrenjve në Shqipëri, pa pëlqimin e qeverisë së vendit, apo pa dijeninë e saj, do të konsiderohej fyes për këtë të fundit dhe do të shkaktonte ndërlikime të rënda në vend. Prandaj për qëndrimin ndaj hebrenjve në Shqipëri do të pranohet propozimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe do të lejohen veprime vetëm pas rikëshillimit me këtë të fundit, në një moment të përshtatshëm, duke dëgjuar edhe një herë mendimin e përfaqësuesit të saj, pasi të ketë kontaktuar e këshilluar përsëri mendimin e qeverisë së Shqipërisë”.

Kodi i besës shqiptare dhe dosja e “rezervuar” hebraike

Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri mbeti temë “e rezervuar” deri vonë, për shkak të qëndrimit politik që Tirana zyrtare mbante kundër Izraelit, si “aleat i amerikanëve”, megjithëse qeveria e Enver Hoxhës e pati njohur ndër të parat në rrugë diplomatike formimin e shtetit të ri të hebrenjve që në vitin 1948. “Dosja hebraike”, u hap disi por e rezervuar dhe shumë kujdes, vetëm në fillimin e viteve 1980, kryesisht për të evokuar traditën shqiptare të mikpritjes dhe shpëtimit të të huajve në kohë rreziku. Shqiptarët, u bënë streha e një populli të zgjuar dhe me kulturë të lashtë. “Kodi i besës, i nderit, i mikpritjes”, nuk janë shkaqt e vetme e thelbësore të mbrojtjes së hebrenjve. Ishte  kodi i zgjuarsisë dhe veprimit njerëzor të disa figurave historike shqiptare që me elasticitetin, civilizimin, zgjuarsinë dhe intuitën e tyre bënë që të ruhen e mbrohen hebrenjtë në Shqipëri. Fakt është se një komb i tërë, qeveria edhe populli, u vunë në mbrojtje të hebrenjve, që ishte përgjigjia shqiptare ndaj Holokaustit. Shqiptarët vepruan mbi bazën e Kodit moral të besës që ka qenë në vijimësi, vlera themelore, e njeriut që nënkupton ndihmën për tjetrin, qoftë edhe me koston e jetës tënde. Kjo vlerë e tejkalon edhe kulturën e arsimimin e nivelit të lartë, e të cilat nuk kishin arritur dot të çrrënjosnin mizorinë e brutalitetin.

Nuk është e rastit që të mbijetuar të Holokaustit nga vdekja e sigurt, falë mirësisë së të huajve e veçanërisht popullit shqiptar edhe pas më shumë se 7dekadash nga LIIB, janë mirënjohës për guximin, sakrificën dhe fisnikërinë e treguar duke e rrezikuar edhe jetën e tyre për të fshehur hebrenjtë sikurse thotë një maksimë e vjetër e popullit tonë “duke i fshehur edhe nën gjuhë”. Shqiptarët u treguan botës dhe europianëve se çfarë mund të jetë humanizmi në shkallën më siperore të tij. Dallimi midis kombeve të tjerë europianë është se shqiptarët e danezët, ishin dy vende që nuk dorëzuan asnjë hebre. Shqiptarët ofruan “tokën e premtuar” për hebrenjtë e përndjekur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Europianët dhe jo vetëm kishin dëgjuar për institucionin e “Besës shqiptare”, këtë akt nderi, më shumë se sa një fjalë, por e panë realisht në rastin e përndjekjeve të hebrenjve kur ofruan “bukë, kripë dhe zemër” dhe siguri, që përkthehej në atë që në shekuj ishte vërtetuar se “shtëpia është e mikut”. Por në Shqipëri, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj se sa në fillim të saj. Arsyeja, besa, nderi dhe mikpritja shqiptare mposhtën artin e shkatërrimit dhe paqja triumfoi mbi mëritë e shekujve për drejtësi, paqe e miqësi midis popujve dhe kombeve.