Shqiptarët dhe nevoja e rindërtimit të urave me Partinë Republikane në SHBA

Arbër Ajeti

Në historikun e marrëdhënieve shqiptare me dy partite kryesore politike në SHBA, lidhjet me Partinë Republikane janë në piken më të ulet ndonjëherë. Si shqiptarë, duke filluar nga qeveritë në vëndlindje e deri te komuniteti ynë në SHBA, ne nuk e kemi luksin t’i dobësojme dhe as arsyen mos t’i forcojmë lidhjet tona me Republikanët, marrëdhënie që për shumë dekada ishin të shkëlqyera.

Pa dashur të hyjë thellë në historikun e lidhjeve shqiptare me Republikanët, dhe pa dashur t’i mohoj e nënvlerësoj marrëdhëniet me Demokratet, dua qe t’i spikas disa momente kyqe kur Republikanët u rreshtuan në krahë të shqiptarëve në momente vendimtare për kombin tonë. Ndër të parat dhe më të rëndësishmet ishte vendosja më 1992 e vijës së kuqe nga Presidenti George W. H. Bush për Serbinë mbi territorin e Kosovës. Këtij vendimi të Presidentit W. H. Bush i parapriu vizita e shtatë Senatorëve Republikan në Kosovë më 1990, vizitë që e kryesonte Republikani nga Kansas, Senatori Bob Dole, nje mik i madh dhe i përhershëm i qështjes shqiptare. 

Poashtu, saktësisht 30 vite më pare, Sekretari i Shtetit, Republikani James Baker, bëhët sekretari i parë Amerikan që viziton Shqiperinë, e cila tashmë kishte filluar transformimin demokratik. Në fjalimin e tij në Tiranë para 300,000 shqiptarëve, Baker thote “Ju jeni me ne, dhe ne jemi me ju”. Në vitet e mëtutjeshme, lidhjet e forta me Republikanët (por dhe me Demokratët) do të sillnin edhe clirimin dhe Pavaresine e Kosoves, dhe hyrjen e Shqipërisë në NATO. Ishte Presidenti George W. Bush, djali i Bushit senior, që në vitin 2007 do të deklaronte, “Kosova është e pavarur, mjaftë është mjaftë”. Nën bekimin e Presidentit W. Bush, Kosova shpalli pavarësine më 17 Shkurt 2008. Poashtu, nën administraten e Presidentit Bush, Shqipëria në 2008 merr ftesën të bëhët anëtare e plotë e NATO’s. Në vitin 2020, Presidenti Republikan Donald Trump, do të jetë presidenti i parë Amerikan që fton në Zyren Ovale një Kryeminister të Kosovës së pavarur. Të gjitha këtyre i kishte paraprirë një punë me dekada dhe e mundimshme e komunitetit shqiptarë në Amerikë, me të dy taboret politike.

Me gjithë marrëdhëniet e shkelqyera ndër vite, sot vërehet një ftohje e lidhjeve tona me Republikanët. Arsyet janë disa dhe më poshtë do të provoj t’i ceki dhe t’i shtjelloj disa prej tyre.

 

Zbehja e Nevojës për Lobim për Ceshtjën Shqiptare:

Nga shpallja e pavarësise së Kosovës (dikush mund të argumentoj që nga mbarimi i luftes), lobimi shqiptar në SHBA është zbehur. Kjo nuk ka prekur vetëm lidhjet me partinë Republikane, por edhe me Demokratët. Ne në Amerikë, pas clirimit të Kosovës, nuk e kemi parë nevojen që t’i qasemi me të njëjtat energji dhe të njëjtën mbeshtetje financiare lobimit për qeshtjën shqiptare. Në këtë ka ndikuar edhe formimi dhe institucionalizimi i marrëdhënieve të Kosovës dhe Shqiperisë me SHBA-të, puna e ambasadave në DC dhe NYC, si dhe teknologjia dhe digjitalizimi i diplomacisë.

 

Rifokusimi i Presidentit Trump për Politiken e Jashtme:

Kur Presidenti Trump fitoi garen për President, një nga premtimet e tij elektorale ishte se do të rifokusoj komplet politiken e jashtme. Trumpi vinte nga krahu Republikan që janë përkrahës të “Amerika e Para”, një doktrinë politike që kthen fokusin kah punët e brendshme, kurse marrëdhëniet dhe konfliktet ndërkombëtare i vë në pah të dytë ose tretë. Trump filloi një epokë të re në diplomaci duke kërkuar më shumë nga aleatet dhe duke u parë i afert me kundershtarë të vjetër të Amerikes si Rusia dhe presidenti Putin. Kjo qasje më të drejtë nuk u pa me sy të mirë nga shumë shqiptarë, si në vendlindje ashtu edhe në Amerikë.

 

Ambasadori Grenell dhe Rrezimi i Qeverise Kurti 1:

Presidenti Trump emëroi të dërguar special për qështjen e dialogut Kosovë-Serbi Amasadorin Rick Grenell, një mbështetës i madh i politikave të Trump-it. Trump kishte vënë synim, në tentim për tu rizgjedhur në vitin 2020, që t’i zgjidhte ose të pakten t’i zbuste disa konflikte ndërkombëtare. Ndër to ishte edhe problemi Kosovë-Serbi. Presioni për të nënshkruar një marrëveshje në Washington kishte bërë Kryeministrin Albin Kurti që të tërhiqej nga pozita e Kryeministrit të Kosovës, por beteja e publike e Kryeministrit Kurti me Ambasadorin Grenell la pasoja posaqërisht në lidhjet tona me partinë Republikane. Gjatë kësaj kohë, për herë të parë u degjuan zëra për tërheqjen e trupave Amerikane nga Kosova.

 

Forcimi i Politikës së Ekstremit të Majtë në Amerikë:

Çdo forcë e ka edhe rezistencen e njejtë në kahun tjetër. Politikat e Presidentit Trump krijuan mundësine që në skenën politike në Amerikë të forcohën zërat e ekstremit të majtë. Disa nga këto zëra fituan pozita në Kongres dhe më vonë edhe në administraten e presidentit Joe Biden. Poashtu, shumë shqiptarë në Amerike u rreshtuan me Senatorin Bernie Sanders në tentimin e tij ne garen presidenciale. Senatori Bernie Sanders përfaqësonte politika të ekstremit të majtë (në spektrin politik amerikan) me të cilat shumë shqiptarë u pajtuan, ndër to ishin zvogelimi i shpenzimeve për ushtrinë, edukimi falas, shlyerja e borgjeve të studentëve, mjekesi falas për të gjithë, taksim proporcional dhe ridistribuim i pasurisë, politika lehtësuese të migracionit, etj. Perkrahja e Sanders shkoi paralel me rritjen e Vetëvendosjes-se në Kosovë, një parti e majtë, shumë anëtare të cilës bënin thirrje direkte për perkrahje të Sandersit në garen e Demokratëve. Më vonë, Kryeministri Kurti kishte dal haptas në përkrahje të kandidatit demokrat Biden kundrejt atij Republikan Trump.

 

Partizimi i Komunitetit Shqiptar në Amerikë:

Tentimi për të marrë vota nga diaspora dhe synimi që përmes partive politike të forcohen lidhjet e diaspores me vendin kanë filluar herët dhe janë shumëfishuar në kohën e fundit. Këtë process e ka filluar Lidhja Demokratike e Kosovës e cila kishte krijuar shume degë në shume vende te botes, për të vazhduar me partitë e tjera politike në Shqipëri e Kosovë që ndër vite kanë hapur degë dhe perkrahur llojin e vetë në diasporë. E fundit është Vetevendosje e cila ka hapur një Qender të saj ne SHBA. Të gjitha keto kanë ndikuar që komuniteti shqiptar ne SHBA të jete më i ndarë dhe me i politizuar.

Arsyet kanë ndikuar që marrëdheniet tona me Partinë Republikane në SHBA te jenë në nivelin më të dobët ndonjëherë mund te jenë edhe të tjera, po që keto te cekura më lartë spikasin. Qeveritë tona dhe komuniteti jonë në SHBA duhet qe t’i rizbulojmë dhe t’i riforcojmë lidhjet tona me Republikanët. Partia Republikane do të rikthehet në pushtet dhe ne si shqiptarë nuk guxojmë t’i rrezikojmë këto lidhje. Për në shqiptarët, Republikanët dhe Demokratët janë së pari Amerikan e së dyti parti politike. Në këtë rrugëtim, ne nuk mund dhe nuk duhet të jemi të vetëm. Të njëjten eshte imperative ta bejnë edhe qeveritë tona në Tiranë dhe Prishtinë. Ndërsa ne në Amerikë duhët të shikojme modalitetet që mbi vleren tonë të votes të krijojme lidhje të reja me senatorë e kongresmenë të Partisë Republikane. Nevoja është që sot.

Arber Ajeti

Aktivist i Komunitetit Shqiptar ne Chicago