Shqiptarët e Amerikës “zbulojnë” pushtetin lokal

Nga Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Zgjedhjet e 4 nëntorit 2019, nxorën veçanërisht në pah angazhimin në rritje të shqiptaro-amerikanëve në politikë dhe shërbimin publik. Të paktën gjashtë kandidatë që garuan në nivele të ndryshme administrative e të pushtetit lokal kanë rrënjë shqiptare. Mbrëmë, komuniteti festoi fitoret e kandidatëve Vedat Gashi, Buta Biberaj, Donna Colorios, Rob Gjonaj-Donovich dhe Jetlir Kulla. Po kjo listë mund të jetë shumë më e gjatë.

Zgjedhjet lokale, ndryshe nga ato për Presidentin apo Kongresin, sigurisht tërheqin shumë më pak vëmendje. Po angazhimi i një komuniteti në politikë nuk matet vetëm me anëtarë kongresi, në nivelin federal e shtetëror, po në radhë të parë shpaloset në pjesëmarrjen në bordet lokale e zyrat vendore që kanë shumë më tepër ndikim në jetën tonë të përditshme.

Nuk është hera e parë që shqiptarë të Amerikës zgjidhen apo përzgjidhen në poste të pushtetit lokal. Kjo ndodh prej dekadash tashmë. Po kjo është hera e parë që shihet një dallgë interesi dhe angazhimi që shpresoj se do të nxisë një brez të tërë të ri, që të kërkojë më shumë zë në mënyrën se si qeverisen lagjet e vendbanimet ku jetojmë.

Komuniteti shqiptaro-amerikan është fuqizuar jashtëzakonisht në dekadat e fundit. Mërgimtarët e viteve 1960-1970 e kthyen suksesin ekonomik në një forcë politike e lobuese. Emigrantët që erdhën pas rënies së komunizmit e luftrave në ish-Jugosllavi e forcuan komunitetin me frymë të re e me numra. Shumë pasardhës të brezave më të hershëm të emigrantëve filluan të rizbulojnë rrënjët e tyre.

Ndërgjegjësimi i grupeve të komunitetit të shpërndarë në mbarë Shtetet e Bashkuara filloi sidomos me daljen në treg të gazetës “Illyria”, e cila e bashkoi komunitetin me abonime nga Florida në Alaska. Shqiptarët e Amerikës filluan të zbulojnë njëri-tjetrin dhe të ndërtojnë lidhje e organizata që bashkonin burime e numra shumë më të mëdha.

Më vonë me hapjen e Ballkanit, me lehtësimin e udhëtimeve, me hyrjen e internetit, të telefonave celularë të televizioneve satelitorë, me shpeshtimin e vizitave, rënien e barrierave politike e administrative, me rënien e çmimeve të udhëtimit dhe komunikimit, jo vetëm komuniteti u khye në një trup të vetëm, po e gjitha bota shqiptare është tashmë e ndërlidhur si kurrë më parë. Visar Tasimi, një djalë 30-vjeçar që kandidonte në pushtetin lokal mbrëmë është njëkohësisht këshilltar pranë Ministrisë së Diasporës në Shqipëri. Oqeani që nan dan është bërë shumë i vogël.

Po për shkak se ngjarjet kryesore në dekadat e para të zgjimit të ri shqiptaro-amerikan ishin tragjeditë e Ballkanit dhe aspiratat e shqiptarëve për vetëvendosje e të drejta njerëzore, në raport me politikën komuniteti u përqendrua kryesisht në Kongresin Amerikan e në Washington. Ne patëm fat se krijuam shumë shpejt miq të mëdhenj si Senatori Bob Dole e D’Amato, fihura të nivelit kombëtar. Gati 40 kongresistë ishin ose pjesë e Kaukusit të krijuar nga Eliot Engel dhe Susan Molinari, ose votonin e ndiqnin me vëmendje zhvillimet shqiptare. Kjo krijoi dëshirën e natyrshme masive për të pasur shqiptarë të zgjedhur në Kongresin Amerikan. Pati edhe disa kandidime që megjithë entuziazmin e dëshirën nuk ishin të bazuara në realitet. Në imagjinatën e komunitetit kjo ishte politika.

E vërteta është se një kongresist ndonëse merr më shumë vëmendje nuk është domosdoshmërisht tregues i suksesit dhe angazhimit të një komuniteti. Para së gjithash, një komunitet ka nevojë për prani në komitetet dhe bordet lokale. Aty ku merren masa që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të shqiptaro-amerikanëve. Është e rëndësishme që komuniteti shqiptar të tregojë urtësi e të mbështesë më shumë ata që synojnë poste afër jetës së tyre, që kalibrojnë vendimet e tyre sipas mundësive reale. Disa miliona dollarë janë shpenzuar në dekadat e fundit, në gara të pafitueshme. Ne duhet të ëndërrojmë po edhe të jemi me këmbë në tokë. Kongresisti Eliot Engel që është sot njeriu më i fuqishëm në Dhomën e Përfaqësuesve për Çështjet e Politikës së Jashtme e nisi duke u zgjedhur “kapiten” i një pallati banimi, në kohën e protestave në Co-op City në Bronx.

Sot ka dhjetëra shqiptarë të Amerikës që shërbejnë në pushtetin lokal. Ndonëse njihen pak në publik, ata janë pjesë e themelit të pjesëmarrjes sonë në politikën amerikane. Kjo nuk bëhet për bujë e për famë. Nuk bëhet për të konkurruar me komunitete të tjerë. Këta njerëz janë, së pari e mbi gjithshka, suksese individuale. Po ne jemi pjesë e një demokracie përfaqësuese, me theks të veçantë në decentalizimin e pushtetit. Shumë nga problemet tona nuk zgjidhen në Washington, po në zyrat tona lokale. Shqiptarët që jetojnë e kontribuojnë aq shumë në jetën lagjeve, fshatrave, qyteteve dhe konteve meritojnë të jenë të përfaqësuar aty ku merren vendime, t’u dëgjohet zëri në forumet qeverisëse dhe debatuese.

Kjo nuk pengon zgjedhjen në nivele më të larta. Hapi më i afërt është ai i pushteteve legjislative në rang shteti. Marko Kepi po kandidon për Asamblenë e New York-ut, që dikur kishte anëtar Mark Gjonajn. Përkundrazi është një themel i mirë për suksese më të larta. Për një komunitet, anëtarët e të cilit vijnë nga një botë ku u mohohej edhe e drejta minimale e votës, ku trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë, apo vuanin në diktaturat më të rënda të kontinentit të tyre, ndryshimi nuk ka si të jetë më i madh. Kur votojmë e marrim pjesë në demokracinë e madhe amerikane e bëjmë për vete, e bëjmë për atdheun tonë të dytë, po e bëjmë edhe për nder të të gjithë brezave në tokën e të parëve tanë që nuk e patën këtë fat, apo dhanë jetën që të gëzonin çfarë na vjen sot falas vetëm se jetojmë në Shtetet e Bashkuara.