Shqiptarët kërkojnë që Serbia të definohet shtet i të gjithë qytetarëve

Beograd, 11 qershor 2021 – Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë dhe shef i grupit parlamentar SDA Sanxhak – Lugina e Bashkuar, ka thënë se ai do të marrë pjesë në procesin e ndryshimeve të Kushtetutës së Serbisë, por nuk do t’i mbështesë ndryshime të pjesshme.

“Nëse procedura e ndryshimit të Kushtetutës tashmë ka filluar, do të ishte më mirë të ndryshohej e gjithë Kushtetuta dhe jo vetëm një pjesë e caktuar”, ka thënë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se ndryshimet janë të nevojshme edhe në pjesë të tjera të Kushtetutës, në mënyrë që ajo të harmonizohet me legjislacionin evropian.

Sipas tij, ndryshimet e propozuara nga qeveria përfshijnë vetëm harmonizimin me kapitujt 23 dhe 24 të negociatave përanëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kamberi ka theksuar se legjislacioni i brendshëm duhet të harmonizohet në tërësi me legjislacionin evropian, përfshirë Kapitullin 35 që ka të bëjë me negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ai ka thënë se në debatin për ndryshimet kushtetuese duhet të përfshihen të gjithë aktorët, përfshirë përfaqësuesit e pakicave.

Kamberi ka treguar se shqiptarët ndjehen të diskriminuar për shkak se me Kushtetutën aktuale Serbia definohet si shtet i popullit serb. Ai ka thënë se Serbia duhet të definohet si shtet i të gjithë qytetarëve.

“Nëse Serbia definohet si shtet i popullit serb dhe të tjerëve që jetojnë në të, do të thotë që ne kemi popuj të rendit të parë dhe të dytë”,është shprehur Kamberi.

Serbia është zotuar se në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian do të ndryshojë pjesën e Kushtetutës që ka të bëjë me drejtësinë, ashtu që të sigurohet pavarësia e saj.

Në seancën e 7 qershorit, deputetët e Kuvendit të Serbisë e miratuan propozimin e qeverisë për të bëfrë ndryshime në pjesën e Kushtetutës që katë bëjëme systemin e drejtësisë. Përfaqësuesit e shqiptarëve në Kuvend votuan kundër propozimit të qeverisë.

Referendumi për ndryshimet kushtetuese pritet të mbahet në vjeshtë.

(r.m.)