Shqiptarët – këta “njerëz me bisht”

 Aleksej Kishjuhas

Albanofobia nuk ka vdekur ende në Serbi dhe as nuk dihet se kur do të ndodhë kjo. Dhe, ç’është krejtësisht e pazakontë ndjenja e frikës, përbuzjes dhe urrejtjes ndaj shqiptarëve, të paktën për shtetin dhe shoqërinë që formalisht e do Kosovën me shumicë shqiptare në përbërjen e saj, apo jo? Apo, sipas atijj zakonit të keq të vjetër, Serbia e dëshiron Kosovën – por pa shqiptarët e Kosovës?

Në kopertinën e gazetës pro-regjimit (serb) Informer, pra edhe në të gjitha stendat e gazetave në Serbi, pak ditë më parë, u shfaq titulli: “Perëndimi ia hoqi vizat një shteti të rremë”. Evropë, ja Shiptarët! Dërgoni të gjithë në BE!” Pritni! Çfarë? A nuk është qëllimi i politikës shtetërore rikthimi i shqiptarëve në Serbi?

Përse atëherë trumpetuesi i pushtetit, Informer, me fjalë fyese, i dëbon nga Kosova në Evropën e urryer? Çfarë lloj kaçamaku është ky në kokë? Tabloidët në fakt janë vazhdimësi e luftës, por me mjete të tjera. Si argument për pavarësinë e Kosovës nga Serbia, gjithçka që duhet të bëjë kryeministri i Kosovës, Kurti, është ta tregojë këtë kopertinë në Bruksel.

Termi fyes: Ky, si dhe të tjerë të panumërt. Shqiptarët në gazetën e përmendur vazhdimisht quhen “Shiptari”, si: “Shiptarët duan t’i zhdukin serbët”, “Shiptarët po përgatiten për luftë”, “Shiptarët po përgatisin sulme terroriste në Evropë”, “Shiptarët janë çmendur plotësisht” e të tjera të ngjashme.

Sipas një sondazhi, vetëm në janar të vitit 2017, Informer i ka publikuar 20 tekste me termin përçmues “Shiptar”. Ky term përdoret krejtësisht lirshëm edhe nga kreu aktual i Sigurimit të Shtetit, institucionit që ka qenë përgjegjës për aq shumë krime në Kosovë. Po, një herë e përgjithmonë, bëhet fjalë për një term fyes e përçmues, megjithëse shqiptarët e quajnë vetem ngjashëm (“Shqiptar”).

Ky term është pothuajse sikur termi “zezak” (negro), i cili është gjithashtu fyes dhe racist, ndonëse disa amerikanë me ngjyrë e quajnë vetem kështu. Por imagjinoni sikur New York Times të shkruante në kopertinën e saj: “zezakët po përgatiten për luftë”, “zezakët duan t’i zhdukin amerikanët”, “zezakët janë çmendur plotësisht” ose “Evropë, ja zezakët”?

“Njerëz nga mali”: Të përpiqemi të flasim në mënyrë racionale dhe pa emocione të tepruara. Sikur ne të ishim shqiptarë të Kosovës, a do të dëshironim të jetonim në një shtet dhe në një mjedis të tillë mediatik e social? Sipas hulumtimit të Institutit të Shkencave Sociale (2020), vetëm një e treta e serbëve të anketuar (31 për qind) do të pranonin të martoheshin me një shqiptar ose një shqiptare.

Kurse vetëm 24 për qind e serbëve do të pranonin që një shqiptar të ishte president i Serbisë. Kjo tregon pothuajse gjithçka për të ardhmen tonë të përbashkë. Të kujtojmë se si trajtohet në Kuvendin e Serbisë i vetmi deputet shqiptar, Shaip Kamberi nga Bujanoc, (nënkryetarja e kuvendit e kërkoi arrestimin e tij).

Çka do të bënim po të ishin tridhjetë apo pesëdhjetë? Kryeministrja Bërnabiq në vitin 2019 ka deklaruar se “Prishtina nuk mendon racionalisht” dhe se “keni të bëni me njerëz që shprehimisht kanë zbritur nga malet”. Ndonëse, me gjasë, fjalën e ka pasur për ish-pjesëtarë të UÇK-së, ky është tregues i trajtimit (tepër) të gjatë të shqiptarëve si barbarë iracionalë dhe si njerëz të egër të parahistorisë.

Shqiptarët e Kosovës reaguan me humor dhe me hashtagë sarkastikë në rrjetet sociale: “Të zbritur nga pemët” (#FromtheWoods) dhe “Njerëz nga pemët” (#PeopleFromtheWoods), shoqëruar me selfie para ndonjë peme.

Serbët e maskuar: Por, kjo nuk ndodh prej dje. Kjo është çështja. Një tjetër kryeministër serb, Vladan Gjorgjeviq (1897-1900), i përshkruante shqiptarët si njerëz të egër e tribalë, që nuk kanë histori dhe janë të paaftë për shtet. Gjorgjeviq, me seriozitetin e tij racist, thoshte se shqiptarët janë “lëkurëkuqtë e Evropës” që “flenë në pemët në të cilat ngjiten me bisht”. Kështu, sikurse në Qeveri, edhe në Akademinë Serbe.

Kryetari i saj, shkencëtari i njohur Jovan Cvijiq, i cilësonte shqiptarët e Kosovës si serbë të poshtër dhe të shpifur. Ai këmbëngulte në mënyrë parashkencore se Serbia “për nevoja jetike” duhet të ketë dalje në det nëpërmjet Shqipërisë (portit të Durrësit), dhe vizatonte harta të ndryshme gjeografike dhe etnografike të Serbisë së Madhe. E po, ja ai Cvijiqi në kartëmonedhën tonë 500 dinarëshe, në shtetin në të cilin do t’i joshnim shqiptarët. Por si, ju lutem shumë?

Politikat e kolonizimit: Në vitin 1937 Akademiku (serb) Vaso Çubriloviq e kishte shkruar për Qeverinë (serbe) një memorandum, në të cilin propozonte hapur spastrimin e plotë etnik të Kosovës nga shqiptarët. Ai i quan shqiptarët “element armiqësor dhe i huaj”, prandaj i kritikon metodat “perëndimore” për zgjidhjen e problemeve etnike dhe propozon arrestime, përdhosje varrezash, prerje pyjesh dhe ndjekje me qen, pra represion brutal.

Edhe ambasadori (serb) në Berlinin nazist, Ivo Andriq, në vitin 1939, e kishte shkruar një elaborat për zgjidhjen e “çështjes shqiptare” përmes asimilimit dhe emigrimit, me qëllim daljen e Serbisë në detin famoz. Sipas Dimitrije Tucoviqit (1914), shtypi shovinist në Serbi përhapte për shqiptarët stereotipe si barbarë dhe “racë njerëzore” që duhet qytetëruar.

Qëndrime të ngjashme raciste kishin edhe zotërues të ndryshëm kolonialistë, anglezë, francezë dhe spanjollë, sikurse edhe amerikanë, sikurse edhe rusë. Por, edhe ne në Serbi, përmes politikave aktive të kolonizimit, represionit dhe aparteidit.

Memorandumi: Nëse këtë e konsiderojmë si një të kaluar të shëmtuar raciste dhe kolonialiste, të mendojmë dy herë. Të kthehemi vetëm disa dekada më përpara, kur SANU (Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve) e hartoi Memorandumin(1986) në të cilin shqiptarët e Kosovës paraqiteshin si vrasës dhe përdhunues të egër që e persekutojnë popullin serb.

Edhe në vitin 1981 Serbia ushtroi dhunë të egër ndaj shqiptarëve pas demonstratave në të cilat kërkuan që Kosova të bëhej republikë e shtatë dhe shqiptarët të jenë popull konstituiv i RSFJ-së (Republikës Socialiste Fedefrative të Jugosllavisë). Asokohe u vranë dhjetëra shqiptarë, u shpall gjendja e jashtëzakonshme me të gjitha tanket dhe u arrestuan e u dënuan me burgim mbi 4000 shqiptarë.

Ndërsa presidenti i parë i RF të Jugosllavisë, akademiku dhe i ashtuquajturi “baba i kombit” Dobrica Qosiq, në vitin 1999, për shqiptarët e Kosovës shkruante: “Ajo fundërrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit fisnor e barbar fitoi aleancën e Amerikës dhe Bashkimit Evropian në luftën kundër popullit më demokratik, më të qytetëruar dhe më të ndritur ballkanik – popullit serb”. Me gjuhën e urrejtjes të Qosiqit, shqiptarëve të Kosovës edhe sot u bashkangjiten vetëm epitetet “terroristë shiptarë”, tregtarë të drogës dhe të organeve njerëzore. Sikur të mos bëhej fjalë për njerëz, por për njerëz nga mali.

Nëna Terezë në vend të Cvijiqit: Nëse Serbia do ta konsideronte seriozisht politikën “Kosova është Serbi”, në vend që ta printonte atë në bluzat e ekstremistëve të djathtë, do të sillej shumë më ndryshe. Për shembull, gjuha shqipe do të mësohej në shkollat e Serbisë, ndërsa presidenti Vuçiq do të mburrej në Instagram se po e mësonte në mënyrë aktive.

Do t’i shënonim varrezat masive, do të flisnim për autofrigoriferët dhe do të kërkonim falje për krimet e luftës të regjimit të Millosheviqit. Do ta ndryshonim Kushtetutën dhe Serbinë do ta definonim si shtet të serbëve, shqiptarëve dhe të të gjithë popujve të tjerë. Do të përktheheshin libra të shkrimtarëve dhe të shkencëtarëve kosovarë.

Banka Kombëtare e Serbisë do ta zëvendësonte kartëmonedhën me portretin e Cvijiqit me atë të Nënës Terezë (ose të Ibrahim Rugovës). Do të bënim tifo për sportistët kosovarë, për xhudistet Majlinda Kelmendi e Distria Krasniqi, si edhe për futbollistët Xhaka e Shaqiri. Radiostacionet do të transmetonin edhe muzikë popullore nga Kosova, kurse në Beograd do të organizoheshin koncerte të Dua Lipës dhe Rita Orës.

Sepse gjithë kjo do të tregonte se ne vërtet jemi seriozë në synimet tona që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë dhe që shpiptarëve t’ua shtrijmë sinqersisht dorën e pajtimit. E pamundur? E paimagjinueshme? Ndoshta ashtu është. Por, pikërisht kjo është arsyeja përse Kosova brenda Serbisë është po aq e paimagjinueshme – pa luftën dhe eksodin që e ndjell Informer.

Dhe që Kosova të mos e ketë kurrë karrigen e saj në Kombet e Bashkuara dhe flamurin e saj në shtizë në East River, kjo mbetet çështje tjetër. Çfarë kemi bërë ne si shoqëri për t’i bërë shqiptarët qytetarë të barabartë dhe të mirëpritur në Republikën tonë?

Në vend të dehumanizimit kolonialist e racist si terroristë kujdestarë, si tregtarë droge, si bukëpjekës e farëshitës me bisht apo si njerëz mali? Përse nuk ka “lidhje të veçanta” me këta njerëz, me rastin e regjistriimit në fakultet apo të trajtimit në qendrat klinike? A duhet të befasohemi që shqiptarët e Kosovës nuk duan të jetojnë në Serbi? Dhe a e duam sinqerisht këtë – edhe ne vetë?

Në fund të fundit, kush janë sot të vetmit “indianë” europianë, të paaftë për shtet modern, në diskrepancë të thellë me vlerat moderne të Perëndimit? Iluminizmin, sekularizmib dhe shtetib ligjor, në vend të qeverisjes fisnore, korrupsionit partiak, kriminalitetit tribal dhe mbështetjes për Rusinë? E pra, kush në të vërtetë është këtu “fundërrina morale” e Ballkanit? Shqiptarët e Kosovës apo tabloidet serbe?

 

Aleksej Kishjuhas është sociolog nga Novi Sadi. Ai është ligjërues në universitet dhe kolumnist i gazetës “Danas” nga Beogradi. Ky shkrim është marrë nga “Danas”. Titulli është i përkthyesit.

(r.m)