Shqiptarët në Philadelphia festojnë 5-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Duke ecur përpara të mos harrojmë rrugën nga erdhëm

 

Nga Laver Niku

Shoqata Atdhetare-Kulturore Shqiptare-Amerikane “ Bijtë e Shqipes” në Filadelfia (Philadelphia) festoi edhe këtë vit pavarësinë e Kosovës. Eshtë kuptimplotë fakti që veprimtaritë e këtij komuniteti nisin me fatin e Kosovës dhe vazhdojnë, si një pjesë e pandarë e jetës tonë nga viti në vit. Nisi atëhere në pranverën e vitit 1998 kur ashtu natyrshëm, ende pa njohur mirë njëri-tjetrin, emigrantët e rinjë u derdhën rrugëve të Filadelfias në mbështetje të luftës së drejtë të popullit shqiptar në Kosovë, kundër genocidit më të egër të shovinistëve sërbomëdhenjë që dëbuan nga shtëpitë e tyre, nga trojet e të parëve të tyre, gati një milionë civilë të pambrojtur, duke përdorur dhunën më të egër pa dallim nga foshnjat e deri të moshuarit, nëpërmjet zjarrit dhe përdhunimit, plackitjes dhe vrasjes. Ky ishte mësimi i parë që morëm si emigrant të rinjë. Duhet të jemi bashkë për halle dhe gëzime. Në atë demostratë nisi edhe rruga e Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, e cila vitin që shkoi festoi 10 vjetorin e jetës së saj.
Në festimin e e 5 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës këtë vit pati një pjesëmarrje më të gjërë nga bashkatdhetarët, që ishin nga të gjitha krahinat e vendit, nga Kosova dhe Çamëria, nga Dibra dhe Myzeqeja, nga Korça dhe Elbasani… Gëzonin të gjithë. Eshtë një datë e shënuar dhe e bukur. Padrejtësitë e historisë ndaj shqiptarëve sikur po korrigjohen. I gjithë kombi shqiptarë kërkon të jetë si gjithë të tjerët, të jetë bashkë, në ato troje që u lanë trashëgim të parët dhe ku ka blatuar kaq shumë sakrifica sa rrallë komb tjetër në Botë.
Një fotoekspozitë e shpejt me flamurin kombëtar në krye dhe disa nga figurat më në zë të Kosovës si Azem e Shote Galica, Isa Boletini, Ibrahim Rugova dhe heroi ma i fundit i trimërisë dhe sakrificës së këtij populli Adem Jashari, janë vetëm një nderim i thjeshtë për të gjithë ata atdhetarë që sakrifikuan kaq shumë për këtë pavarësi kaq shumë të dëshiruar e kërkuar. Pastaj muzika me kengë atdhetare dhe nga krahina të ndryshme të vendit mbushi sallën e veprimtarive të shoqatës.
Zoti Sadik Elshani, kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, djalë i Suharekës së bukur, pasi përshëndeti dhe falenderoi bashkatdhetarët për pjesëmarrjen në këtë nderim të ditës së shënuar të Pavarësisë së Kosovës, i dha fjalën zoti Llazar Vero, i cili pasi bëri një përmbledhje të shpejtë të kujdesit që shoqata i ka kushtuar zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë dhe nderimit të figurave të ndritura të saj, u përqëndrua pak më gjatë në rrugën e vështirë dhe plotë sakrifica të gjysmës së kombit shqiptar të kësaj krahine. Ai përmëndi vetëm disa nga krimet më çnjerëzore të shovinistëve sërbomëdhenjë ndaj kësaj popullsie dhe të rolit të rëndësishëm që pati lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në ngritjen e revoltës brenda dhe jasht vendit, dhënien e kurajos për rezistencë dhe shpresë. Folësi më tej falenderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidentin e nderuar Klinton që u bënë mbështetësit kryesor dhe nismëtar të ndërhyrjes së NATO-s , kundër krimit dhe genocidit sërb ndaj një populli të pambrojtur. Më tej ai përcolli tek pjesëmarrësit mesazhin se duke ecur përpara në rrugën e zhvillimit, populli shqiptar dhe shqipatrët në Kosovë në veçanti nuk duhet të harrojnë rrugën nga erdhën, sakrificat që u benë, trimat dhe trimëreshat që ranë në fushën e betejës. Duke nderuar të kaluarën të gjemë forca dhe motive për të qenë më të bashkuar dhe më të mobilizuar në rrugën drejt zhvillimit dhe përparimit. “Atdhedashuria për ne, theksoi ai ndërmjet të tjerave, nuk është një nocion abstrakt, por ka në themel dashurinë për njërëzit dhe atdheun, për historinë e vërtetë. Përvoja ka treguar se pa dashurinë për njeriun , atdhedashuria shndërrohet në luftë për pushtet.” Në mbyllje të fjalës së tij, zoti Vero shprehu bindjen se duke u fokusuar për një të ardhme më të mirë drejtë botës së qytetëruar, urojmë nga zemra që të gjithë njërëzit e thjeshte, politikanët, bisnesmenët, intelktualët atdhetarë të punojnë për të njëjtën çështje: ndërtimin sa më të shëndetshëm të shtetit të ri, për edukimin e brezit të ri, me dashurinë për traditat më të mira të popullit shqiptar, për një gjuhë dhe një komb, për një histori dhe kulturë shqiptare, për një ekonomi të zhvilluar. Në Europën e bashkuar të shkojmë me ngjyrat tona, me dinjitet dhe siguri për të ardhmen.
Pas fjalës së rastit, pjesëmarrës në këtë nderim të pavarësisë së Kosovës, shprehën mendimet dhe ndjenjat e tyre për këtë ngjarje të madhe. Dy nga pjesëmarrësit në këtë veprimtari e përshëndetën 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me nga një poezi të tyre të krijuar me këtë rast. Zoti Haki Collaku nga Dibra në poezinë e tij kujton e nderon rininë studentore kosovare : “Ishin vitet tetëdjetë e një/ kur ju dolët në demostrata,/ të gjithë të bashkuar në një zë/ Të shporim shkaun nga toka amë.” Ndërsa bashkatdhetari tjetër nga Mallakastra zoti Sami Zaimaj, ashtu thjesht me vargje të këngës popullore shkruan: “ Në këtë pesëvjetor me pavarësinë,/Në zemrën tënde ka shumë gëzim,/Në ballin tënd ka shumë diell,/ Në gjoksin tend ti ke lavdinë.”
Kështu u mbush ajo mbrëmje festive me mendime dhe ndjenja të bukura. Pastaj i erdhi radha koktejlit shqiptar- “Bukë e kripë dhe zemër”, me gatime të zonjave shqiptare dhe përgatitjeve që bëri shoqata. Ajo që të bintë në sy më shumë këtë herë ishte pjesëmarrja më e gjërë e bashkatdhetarëve tanë nga Kosova që punojnë dhe jetojnë në Filadelfia dhe në rrethinat e saj. Dhe akoma më shumë disa prej tyre si: Arsim Selmani, Latif Gashi, Ali Sopaj, Jakup Domi, Emrush kabashi dhe Lumni Shurdhiqi u bën antarë të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. A nuk është një datë dhe kujtim i bukur?! Kaluan orë të tëra dhe bashkatdhetarët nuk po largoheshin. Në sallën e madhe kendohej dhe kërcehej, në kafen e shoqatës pinin ndonjë birrë apo kafe dhe bisedonin si shokë dhe miq të vjetër. Në gezimin e tyre ishte perherë kryeurimi: “Gëzuar Pavarësinë Kosovë!”