Shqiptarët në Serbinë e jugut – njëri thumbit, tjetri patkoit!

Muharrem SALIHU

Përpos Beogradit zyrtar, në pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Medvegjë kanë ndikuar edhe qasjet e gabuara dhe tepër inerte të vet subjekteve politike shqiptare të kësaj ane dhe të intelektualëve shqiptarë, të cilët, fatkeqësisht, në vend se t’u prijnë proceseve, kanë ngelur në fund të tyre. Mjafton të hulumtohet pak aktiviteti diplomatik i këtyre subjekteve dhe do të shihet se ato as që kanë paraparë ndonjëherë në axhendën e tyre ndonjë vizitë në Uashington apo në Bruksel, për të problematizuar çështjen e spastrimit etnik në Serbinë e Jugut, specifikisht në Medvegjë

 

“Gjeneroziteti” i Serbise per t’ia ngarkuar Kosovës edhe një barrë sociale (grumbull me shumë shtëpi përreth një xhamie), Preshevën dhe asgjë me tepër, me sa duket, po pranohet në heshtje edhe nga faktori shqiptar. Ndërsa përmes investimeve marramendëse në veriun e Kosovës në fushën e arsimit, infrastrukturës dhe ndërtimeve me karakter rezidencial po vazhdon të rrisë ndikimin demografik, ashtu siç kanë bërë historikisht, jo vetëm në veriun e Kosovës, por edhe në Bujanoc, ndërkohë që  në Malësinë e Bujanocit janë pasivizuar vendbanimet e shqiptarëve ashtu sikur dhe në Medvegjë, ku propaganda mediatike ka bërë aq shumë sa shumë zyrtarë të lartë në Kosovë e sidomos në Shqipëri ende nuk dinë ku ndodhet  Medvegja.

Është fakt se vizitat e zyrtarëve nga Kosova në Preshevë po lejohen lehtësisht nga ana e Beogradit, ndërkohë që kerkesat për të vizituar Medvegjën vazhdimisht refuzohen.

Është fakt se pushteti qendror nuk lejoi asnjëherë krijimin e një subjekti politik në Medvegjë, edhe me ndihmën e përfaqësuesve politikë shqiptarë nga PB, ndërkohë që në PB nxiti krijimin e dhjetëra sosh për t’i përdorur ato më lehtësisht dhe, në anën tjetër, Tirana dhe Prishtina kanë qëndruar indiferente. Është fakt se në Medvegjë ka ndodhur një spastrim etnik me mjete administrative dhe përfaqësuesit politikë në  Preshevë e Bujanoc kanë vazhduar bashkëpunimin institucional deri në nivel qendror, pa u lodhur fare për këto krime. Është fakt që edhe sot “liderët e Luginës” hallin kryesor e kanë se kush do të garojë për deputet në Parlamentin e Serbisë e jo për çfarë të garojë. Është fakt gjithashtu se në mandatin e fundit deputetët tanë më shumë kanë shërbyer si dekor i Parlamentit Serb në sytë e ndërkombëtarëve se sa në funksion të problemit të “vetëm” që e kanë shqiptarët në Serbi, atë të pasivizimit të adresave.

Edhe pse, de facto, shqiptarë e gjallë, përmes pasivizimit të adresave juridikisht kanë vdekur, prandaj deri sa nuk zgjidhet ky problem asgjë tjetër nuk ka kuptim. Në të kundërtën është vetëm tallje dhe fyerje!

Pranimi nga ana subjekteve politike shqiptare që me kaq lehtësi të defaktorizohet elementi shqiptar në Serbinë e Jugut flet për një grackë në të cilën kanë rënë ato, me apo pa vetëdije. Serbia gjithmonë ka synuar që shqiptarët të mos kenë një zë artikulues unik, sepse më lehtë e ka pasur të bashkëpunojë me individë që me pafuqinë e tyre për të imponuar zgjidhje të problemeve, në instancë të fundit, mund të jenë edhe gjenerues të problemeve.

Jemi dëshmitarë të diskordancave të shprehura në zgjedhjet e kaluara kur subjektet politike në Preshevë dhe në Bujanoc nuk kanë pasur qëndrim unik sa i përket (mos)daljes në zgjedhje. Për pasojë, ka pasur jo pak raste kur ndonjë subjekt politik në minutën e fundit ka pranuar të marrë pjesë në zgjedhje, duke u bërë dekor i demokracisë së shpifur të Serbisë, ndërkohë që subjekti tjetër ka ngelë jashtë procesit vendimarrës.

Ky mosharmozim politik i shqiptarëve, përfshirë edhe heshtjen e intelektualëve nga kjo anë që jetojnë në Kosovë, është reflektuar në variantin më të keq pikërisht në Medvegjë, aty ku testohet gatishmëria për të kundërshtuar politikat diskriminuese sllave kundrejt shqiptarëve. Prandaj, përveç Beogradit zyrtar, në pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Medvegjë kanë ndikuar edhe qasjet e gabuara dhe tepër inerte të vet subjekteve politike shqiptare dhe të intelektualëve shqiptarë, të cilët, fatkeqësisht, në vend se t’u prijnë proceseve, kanë ngelur në fund të tyre. Mjafton të hulumtohet pak aktiviteti diplomatik i këtyre subjekteve që të shihet se ato as që kanë paraparë ndonjëherë në axhendën e tyre ndonjë vizitë në Uashington apo në Bruksel, për të problematizuar çështjen e spastrimit etnik në Serbinë e Jugut, specifikisht në Medvegjë.

Nëse në Kosovë në vitet nëntëdhjeta funksiononin fuqishëm organizata dhe individë që merreshin me shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, kjo as që mund të paramendohet në Serbinë e Jugut. Aktualisht nuk ekziston asnjë organizatë joqeverotare që merret seriozisht me evidentimin dhe procesimin e rasteve të shkeljeve flagrante të të drejtave të shqiptarëve, duke filluar nga cenimi i pronave të tyre, e deri te mohimi i të drejtës për punë, për shkak të mosnjohjues së diplomave “të huaja” si dhe të një morie problemesh që ndërlidhen me suprimimin e organeve të gjyqësisë, shërbimit kadastal e tatimor, e deri te mosfunksionimi i spitaleve e poliklinikave në vendbanimet shqiptare.

Serbia me shekuj ka zhvilluar projekte të cilat i ka realizuar në kurriz të hapësirave etnike shqiptare, duke filluar nga Sanxhaku i Nishit, në fund të 1877-tës, për të vazhduar deri në ditët e sotme. Shqiptarët asnjëherë nuk kanë mundur vetëm t’u kundërvihen këtyre projekteve, prandaj në vitin 1999 ndodhi kthesa e madhe dhe Kosova, me ndihmën e aleatëve euro-atlantikë, arriti t’ia ndal Serbisë turrin e zaptimit të tokave të huaja. Tani ndodhemi në një realitet të ri gjeopolitik dhe shqiptarët, përfshirë ata në Serbinë e Jugut, janë koshientë për këtë realitet, mirëpo është e papranueshme të pranohet narrativi serb për këtë pjesë të banuar me shqiptarë. Beogradi po punon me të madhe që ta paraqesë Serbinë e Jugut pa shqiptarë, në mënyrë që Kosovës t’ia heqë argumentet për të kërkuar reciprocitet në trajtimin e pakicave kombëtare. Sepse, nëse një ditë Serbia e Jugut zbrazet nga shqiptarët, Prishtina zyrtare do të ndodhet para aktit të kryer dhe nuk do të ketë çka të kërkojë në këtë pjesë, si kompensim për statusin e serbëve në Kosovë.

Kjo staregji serbe për të eliminuar argumentet për reciprocitet do të shpërfaqet edhe në tryezën e bisedimeve në Bruksel, gjë që nuk do të duhej të pranohej nga Kosova. Sidomos duhet fuqizuar kërkesën për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë shqiptare në Serbinë e jugut, sipas modelit që po e kërkojnë serbët e Kosovës, të instrumentalizuar nga Beogradi.

Ditë më parë i kemi ofruar edhe disa modele të organizimit dhe bashkërendimit të kësaj pjese të banuar me shqiptarë, të cilat do të përshpejtonin procesin e evropianizimit të këtij rajoni. Sigurisht që pala kosovare në dialogun me Serbinë do të duhej t’i ketë në tryezë edhe këto modele, në mënyrë që ndërmjetësuesit në Bruksel të kenë mundësi të zgjerojnë fokusin e ngushtë të vështrimit të gjërave, që do të kalonte nga normalizimi i marrëdhënieve Kosovë- Serbi në normalizim të marrëdhënieve shqiptarë-Serbi. Çfarëdo zgjidhjejë që do të merrte mbyllja e problemeve mes Kosovës e Serbisë do të dilte e mangët nëse në pako nuk futen edhe problemet e shqiptarëve në jug të Serbisë, sepse vetëm përmes tyre do të mund të garantohej kualiteti i marrëdhënieve shqiptaro-serbe në Ballkan. Në të kundërtën, këto marrëdhënie do të kalojnë nga kriza në krizë.

Që të mos vihet deri te krizat, megjithatë, ka rrugëzgjidhje.

 

Medvegjë, 22 shkurt 2022