SHQIPTARJA E MADHE PATRIOTE, ZONJA LUME M. JUKA

(Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta).

Nga Eduard M. Dilo

Një vit më parë ndërroi jetë  Zonja Lume M. Juka, profesoreshë e nderuar, motër  në shpirt dhe bashkëpunëtorja e mike shumë e afërt e Nanës sonë dhe krejt njerëzimit, shenjtores së pavdekeshme Shen’ Teresa. 

Krejt bota shqiptare dhe Kombi ynë humbi një intelektuale dhe patriote të shquar, një grua e rrallë. Shumë nga të huajt këtu në N.Y. kur bisedonin me të, e pyesnin plot kureshtje,  gezim e dashuri:

 ” na duket sikur takuam e biseduam Nënën Teresë;  ju lutem kush jeni ju, si e keni emrin?”. 

Ajo me thjeshtesinë, butësinë,  mirësinë dhe dritën që reflektonte në ata sytë e saj plot embelsi, u përgjigjej:

” Jam Shqipetare, ashtu si ishte dhe Nana Teresë, ngjaj si duket me të, se jemi nga një vend, e duke qënë për shumë kohë prane Saj kam -si duket – diçka të marrë prej Saj!”

Zoti e kish sjellë që unë të bisedoja  e takohesha shpesh, të takohem e të dëgjoj mrekullitë e dala nga zemra e kesaj Zonje,  që nuk nderon vetem Shkodrën që e lindi, por krejt Kombin tonë.                      

E kompletuar me një kulturë që e do t’a kish zili gjithkush, zotëruese e 7 -të gjuheve të huaja, ishte aq e përvuajtur  sa dhe e ditur. 

Ishte vetë MIRESIA, ashtu si ka qënë dhe  motra e saj,  Shkencëtarja Shqiptare Prof. Dr. Safete S. Juka, apo vëllezërit Burhan e Fiqiret.  

 U nda nga jeta, duke lënë mbrapa vetëm shembëll e dritë -dritesie. 

Tërë jetën ja përkushtoi me zemër e shpirt vetëm Kombit, mori pjesë kudo dhe kurdoherë në gjithë aktivitetet ku percillte dhe predikonte me urtësi e mirësi veç dashurinë e pa kufi që kish për Atdhe. 

Ishte e thjeshtë dhe tepër modeste. Kurrë nuk bëri diçka për tu dukur e rënë në sy, por veç bënte atë që ja thoshte zemra e shpirti, mbrujtur e edukuar në shtëpi vetëm me ndjennjë atdhetare. 

“ Patriotizmin dhe dashurinë për Kombin e quante detyrë, dhe nuk kërkoi shpërblim e përfitim prej tij”.  

Bota shqiptare sot është më heshtur, se ka humbur një nga të paktat intelektuale model që kishte.

Zoja Lume, në biseda më tregonte fjalë e vëllait të saj të madh, Prof Burhan M Juka. 

E folmja e saj ashtu  urtë e butë si vetëm Ajo Zonjë Engjëllore dinte të fliste më vijnë e tingëllojnë dhe sot; -thoshte vëllai im-vdekja asht gjaja ma e sigurta për çdo njeri. Gjithashtu edhe ma e thjeshta. Sejcili prej nesh do t’a përballojë.

 Por kur? e si? Kërkush se di. Kur të vijë me më 

marr, vdekjen t’eme, ju lutem, mos e bani tragjike, tue u zhytë në zi, në trishtim, në vaje- në disprim. 

Vizita ngushellimi, ceremoni, fjalime, funeral e lajmerime nëpër gazeta, televisione ose internet të mos bahen. Përse me i trazue e me i detyrue miqët e të njoftunit me thurë lavdata e fjalë të bukura përpara arkivolit t’em? …. 

Vetëm Zoti na shef e na njeh si jena me të vërtetë. Vdekja për mue asht si me shkue n’udhëtim.

Kur mos të më shofin e zanin mos të m’a ndigjojnë ma në telefon e pyesin: “Ku asht? – “iu përgjegjeni: “Ka shkue në nji udhëtim pa kthim”. Nji lajm vdekjeje asht gjithmonë trondites…. Pra, sa ma qetësisht, i vini në dijeni se un nuk jam ma në kët botë ….”

 Për ta bërë edhe më të bukur ketë perkujtim  të saj, po sjell faqe nga Ditari që kam fatin e mirë ta kem në arkivën time, dhuratë nga ajo zonjë e papërsërtëshme për familjen Dilo-Sheperi.

NGA DITARI I PROF. LUME M. JUKA PER SHENJTOREN NEN’ TERESA.                                               

Një fletore, bllok i thjeshtë – ditar i saj! 

I shkruar shumë thjeshtë , çiltër, me një shkrim të qartë e të bukur, ka shumë Hyjni, se shkruan për Shenjtoren me origjinë shqiptare, Shën’ Teresën e nderuar dhe respektuar nga mbarë njerëzimi, (po e kopjoj sipas orgjinalit):                

E martë , 2 Qershor 1981             

Jam në dhomën e vogel ku ka me fjetë Nana Teresa sonte.  Po Asht e vërtetë.   S’mund të ju besoj syve të mij.    Zemra më rreh me nji  gëzim e mirënjohje të pa përshkrueshme.                     

Duhet të shkruej diçka që të më mbesin, përndryeshe kam me kujtue se kam kenë andërr.        

Ode sa grimca. Nji shtrat hekuri. Nji dyshek i hollë, ma fort  jorgan se dyshek.  Shumë ma i ngushtë e ma i shkurtë se shtrati… mbulue me nji çarçaf të vjetër e nji batanie ( jamulli) të lehtë.                                    

Në mur : nji Kryq i bame me dy dega, ose dy krande të thata.   Nji lutje e shkurtën’ anën e dritares ( vue aty sigurisht nga murgeshat).                           

(Në paça kohë kam me e kopjue).                                                    

Nji drasë me katër kambë 🙁 tavolina e saj ku shkruen kur ka kohë ). 

Nji moter posa’ vuni sipër saj tashti në një gastare çfarëdohi, nji të këputun në kopshte.( kan nji kopësht të vogël. Kur mrrina të dieln m’u duk si me u kthye në Shqipni, asht i rrethuem me mure të nalta e ka dy manda mbushë me kokrra, që kanë me u pjek përsëshpejti.  Bare e drandofile. 

Në midis statuti i Bekume. 

Zogjët qetëisht cicrojne e këndojnë ).                                                  

Ça ka tjetër? 

Varë në mur nji kalendan falë prej ndokujt, e sigurisht e falë gjithashtu nji komon i vjetër me dy syza të shtrembta të cilat patjetër me mezi çilen e hapen…                    

N’kët odë flenë ndoj murgeshë ose aspirante, ose “ come and see” kujt t’i, takojë kur s’asht N. Teresa në NY.  

Simbas nji rregulli që paskan M.M. çdo muej ndërrohen dhomat: herë herë të takon me fjetë në dormitore në podrum, herë për tok, herë n’odë në vedi.              

Para se të vinte N.Teresa aty kishte fjetë Sn.Mirmala : per tokë në dyshek të hollë të cilin – ditën- e mblidhte në një qoshe.                                                           

E pashë, se mue më thanë sot me ja goditi shtratin N.T…   

U shendova përsëtepërmi: Me i godit shtratin nji Shenjtneshe Shqiptare…. M’u duk si me më dhanë Zoti nji mision pranë vendit t’em.   

Cili mund te jete?      …

Përgatiti Eduard M Dilo

Comment

*