Shtatë të arrestuarit për kokainë dalin sot para gjykatës

Prishtinë, 19 maj 2021 – Shtatë personat që u arrestuan të hënën, gjatë operacionit në të cilin u sekuestruan 400 kilogramë kokainë, do të dalin sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka bërë të ditur se seanca do të fillojë në orën10:30.

Prokuroria Speciale ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë të arrestuarve.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) njofton opinionin se sot ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit të shtatë (7) personave, të cilët janë ndaluar më 17 maj 2021, lidhur me aksionin ku janë sekuestruar 400 kg narkotikë të llojit kokainë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Operacioni i policisë së Kosovës është kryer në bashkëpunim me DEA-n amerikane, me Policinë e Italisë dhe me policinë e Shqipërisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka thënë se policia kosovare ishte njoftuar se në një kontejner me destinacion Kosovën që ka ardhur nga Brazili dyshohet se ka narkotikë.

Ai ka treguar se ishte vendosur që ky kontejner të përcillet dhe se ka qenë nën vëzhgimin e policisë gjatë gjithë kohës.

(r.m.)

Comment

*