Shtëpia e Komitetit të Kosovës në Shkodër, në prag të shembjes

Emin AZEMI

Shkëputja e shiritit të kujtesës, duke e rrezikuar statutusin e historik e kulturor të kësaj shtëpie, po ndodh para syve tanë dhe askush – asnjë institucion, asnjë shoqatë, asnjë personalitet me ndikim – nuk po reagon që ta pengojë shembjen e kësaj godine, e cila simbolizon jo vetëm një pjesë të historisë sonë nacionale, por edhe vetëdijen tonë kombëtare.

Emin AZEMI

Në Shkodër ndodhet një shtëpi e cila në vitin 1981 shteti shqiptar e kishte vënë në listë si “monument kulture”, por për ta gjetur atë nevojitet të bredhësh shumë dhe të pyesësh shumë njerëz, sepse pakkush e di se në atë shtëpi, në vitin 1918,  ka qenë i vendosur “Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, një organizatë kjo politike gjithëkombëtare, që kishte luftuar për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe të interesave të mbarë popullit shqiptar. Në pamundësi që ta ketë përfaqësuesin e vet në Konferencën e Versajës, detyrën e përfaqësimit Komiteti ua beson atdhetarëve Atë Gjergj Fishta dhe Mithat Frashëri. Ky Komitet bënte thirrje që t’i tregohej “botës se Kombi Shqiptar, pa ndërlikim fejet e besimesh, ka një zemër e një dëshirë me e përngreh shtetin me lirina të plota. Kush të dojë me nderue vendin, shpin e atdheun le të përpiqët pa bjerrë asnjë dekikë rreth e qark dëshirës kombëtare”, thuhej në deklaratat e kryesisë së Komitetit dhe kryetarit të saj, Hoxhë Kadriut.

Fati i kësaj shtëpie është shumë i pasigurt dhe tepër i rrezikuar, sepse ditën që e vizituam hasëm në një rrethojë llamarine që tregonte se pas një kohe aty mund të mbijë ndonjë përbindësh në formë pallati gjigant. Gjendja e shtëpisë ishte e degraduar deri në mjerim dhe askush nuk e ka të qartë se si është e mundur që një “monument kulture” të përfundojë deri në atë derexhe.

Objekti në pronësi private që daton rreth shekullit XIX (1897‐1900), ndodhet në qendër të qytetit të Shkodrës, pranë rrugës “Komiteti i Kosovës”. Më 1992 ajo iu rikthye pronarëve të saj të ligjshëm – një familjeje të vjetër shkodrane.

Bashkia e Shkodrës, deri më tani, nuk ka dhënë kurrfarë sqarimi lidhur me thashethemet se mbi rrënojat e kësaj godine historike do të ngrihet një pallat shumëkatësh, por as Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) në Shkodër, institucion ky në varësi të Ministrisë së Kulturës, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje lidhur me këto spekulime dhe as nëse ka ndonjë projekt për restaurimin e saj.

Shkëputja e shiritit të kujtesës, duke e rrezikuar statutusin e historik e kulturor të kësaj shtëpie, po ndodh para syve tanë dhe askush – asnjë institucion, asnjë shoqatë, asnjë personalitet me ndikim – nuk po reagon që ta pengojë shembjen e kësaj godine, e cila  simbolizon jo vetëm një pjesë të historisë sonë nacionale, por edhe vetëdijen tonë kombëtare.

Nëse trashëgimia jonë historike e kulturore vazhdon të zhbëhet, duke injektuar një realitet bizar urbanistik, atëherë e kemi vështirë të mbajmë në këmbë shtyllat e mbamendjes sonë kolektive. Godina e “Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” mund të restaurohet dhe pronarët të kompenzohen nga shteti, por do të ishte  e pafalshme që në vend të kësaj godine të ngrihet një pallat shumëkatësh që do t’i bënte hije historisë sonë të lavdishme.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u themelua në ilegalitet të plotë, më 1 maj 1918 dhe më 7 nëntor 1918 nga figurat të shquara atdhetare si: Bajram Curri, Hoxha Kadri Prishtina, Sali Nivica, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Qamil Bala, Sali Rama, Hafiz Ismet Dibra etj. Ky komitet u vendos përfundimisht në Shkodër.